
Bota Sot 2002 Nuk doja të shihja asgjë nga gjykimi i kryekriminelit. Mendoja të dëgjoja vetem raportin e korrrespondentëve tanë, duke përcjellur nga larg gjykimin e shekullit. Por, i vura zemrës një gur dhe u vendosa para ekranit gjithe ditën. Gjithë ditën e lume, që kishim pritur me vjet!Dhe, pashë edhe më shumë se prita: pashë se si gjykonte botën krimineli!Aty, si një film i tmerrshëm m’u shfaq parasysh gjithë llahtari i terrorit të përgjakshëm. Zëri i tij më solli klithmat e tmerrshme të të gjithë të masakruarve në mënyrën më mizore. M’u paraftyruan trupat e tyre të hedhur si lecka të vjetra, apo të futur grumbull nëpër gropa dheu… Por, në fytyrën e të ulurit në bankën e zezë asnjë shenjë pendese. Perkundrazi! Feçka e tij po shkrihej në qeshjen plot ironi. Edhe kokën mbante lart, pa iu turpëruar vulës së turpit; vulës së gjakut! Dhe, gulçonte bisha. Edhe i lidhur në pranga gulçonte dhe me gjuhën e gjarpërit serish tentonte ta helmonte atë botë, së cilës vetëm tragjedia e popullit të Kosovë ia hapi sytë. Dhe, zëri i saj i ngritur kundër tij nuk ishte këmbanë kobzezë që po ia paralajmëronte fundin, se ai ende besonte fort në maskën e tij tashmë të grisur. Për atë e tëra ishte një melodi që ia përkundte gjumin, se vetëm paturpësia e tij nuk paska kufi!