Biografia

Ajetë Shaban Beqiraj

Ajetë Sh. Beqiraj, u lind në fshatin Strellc të Poshtëm të komunës së Deçanit. Shkollën fillore e kreu në Strellc, të mesmen në Pejë, ndërsa studimet i kreu në Shkollën e Lartë të Gazetarisë “Faik Konica” në Prishtinë, për të vazhduar në universitetin AAB Prishtinë, në drejtimin komunikim masiv dhe gazetari.

Me shkrime filloi të merret që në moshë të re, ndërsa në moshën 16 vjeçare shkroi një roman rinor i cili do të shihte dritën e botimit pas 8 vitesh si një libër dypjesësh “YLLI I FATIT i pushonte në dorë”, botuar me 1995 te Shkëndija, Prishtinë si dhe “SYTË E FATIT TË MIRË”, botuar me 1998 nga “TOENA”, Tiranë. Si emigrante në Gjermani shkroi dy librat me poezi: “Zemra e Di”, botuar pas kthimit në Kosovë me 2000, nga “Iliriku”, në Prishtinë si dhe librin ”Tretur në natë”, botuar me 2002 nga “Vatra” e Shkupit.

Pas kthimit në Kosovë i përkushtohet gazetarisë, ku fillon bashkëpunimin me gazeta të ndryshme, si: “Kosovarja”, “Bota sot”, “Pavarësia”, “Zëri Ditor”, “Zëri javor”, etj. Me 2003-2005 filloi punë në radiot lokale Radio Peja dhe Radio Alba si moderator dhe operator zëri. Me 2004 vazhdon praktikën në studio montazhi dhe në etikë gazetarie në Radio-Tirana për të kaluar pas një viti si praktikante në Dojçe Vele-shqip, prej nga akreditohet si korrespondente e dytë për Kosovën. Raportimin për DW-në me tema politike, ekonomike dhe sociale nga terreni e vazhdon prej 2006 deri me 2014, ku paralelisht raporton edhe për Radio Kosovën si reportere nga Deçani dhe Juniku.

Gjatë viteve 2009-2010 ishte autore e emisionit socio – kulturor “Realitete”, në Radio Kosova, ndërsa gjatë viteve 2014-2016 nga redaksia u angazhua në realizimin e emisionit “ETNO”, kushtuar trashëgimisë kulturore shqiptare, brenda dhe jashtë Kosovës.

Me 2013, inicioi dhe themelot Shoqatën Rajonale të Shkrimtarëve “TEUTA”, me bashkwthemelues shkrimtarët e mirënjohur Mirash Martinoviq dhe Natasha Lako si dhe hartuese dhe koordinatore e projekteve brenda saj (”Shkrimtarët lobojnë për Kosovën në Rumani”, “Muzat e Alpeve”, etj.).

Është fituese e “Çmimit për Varfëri” nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, fituese e “Çmimit Special” në Festivalin Rajonal të Radiove, në Neum të Bosnjë Hercegovinës, me 2007, si dhe fituese e “Çmimit të Parë” të Festivalit Rajonal të Radiove ”Zëri si vizion-Tuzla 2008”, në Tuzla, BeH.

Me 2017, me projektin “Vatër e Diell me shqiptarët e Amerikës” me TV storje nga SHBA, Beqiraj nga Radio Kosova kalon ne Televizionin Publik të Kosoves si bashkëpunëtore profesionale në redaksinë e dokumentarëve ku vazhdon edhe sot e kësaj dite me pergatitjen e pergjithshme te storjeve nga terreni.

Flet shqip, anglisht, gjermanisht dhe serbo-kroatisht.

(Visited 75 times, 1 visits today)