Jam Unë…

JAM UNË…

(Popullit tim…Tokës sime të djegur!)

Jam unë Gjaku i derdhur
Në zemër të kësaj toke
Ngado që shpërthejnë lulëkuqet
Rënjët kanë në plagët e mia,
Me hapa mata trojet e shqipes
Kreshtat tona me krahë pushtova
Ku më zuri Ora lashë edhe shpirtin
Mbi unin tim vuri themel liria.

Jam unë Krahu i Paepur
Shtylla e fortë e kësaj kështjelle
Një jetë dhashë një tjetër mora
Mua as plumbat nuk më shpojnë,
Jam dora qe iu shtri karvaneve
Me bukë kripë e zemër
Jam trualli i hartës së vjetër
Me emrin e vetëm Shqiponjë.

Jam unë Ashti i Lashtë
Trup gjymtyrësh I copëtuar
I mbuluar me dhè për së gjalli
I varrosur në prag të shtëpisë,
I bërë fli në Bjeshkët e Nemuna
Në kufirin që ndante zemrën
Shpirt nga engjujt i rrethuar
Dëshmor në altarin e lirisë.

Jam unë Loti i Vajtimit
Varur në qepallën e jetimit
Sytë e mi nxjerrë nga balli
Iu bëjnë dritë si yjet e qiellit,
Se jam legjendë në tel lahute
Rrudhë e thellë ne ballin e plakut
Në histori faqe e bardhë
Emër i shkruar me rreze dielli.

Oh jam unë Mynxyrë Martiri
Përvëluar në shtatë rrathë ferri
Fryt i nxjerrur nga barku i nënës
Nuse e vrarë me foshnje në gjij,
Varr i përdhosur nga thundra bishash
Kockë e hedhur nëpër djerrina
Plakë uloke e djegur në votër
E bërë shkrumb me plang e shtëpi.

Se unë isha Trungu i Fisit
I përkundur në djep Drenice
Rritur në shkrepat e Rugovës
Kalitur në odat e Boletinit,
Isha plumb në grykë të pushkës
Jehonë zëri që jep kushtrimin
Kobure e ruajtur me mote
Në Kullen e Moçme të Dukagjinit.

Këtu jam unë Skelet Kosove
I murosur nën këmbët tuaja
Hija ime iu bën roje
Kudo jam mos më harroni,
Prindër mbahuni të fortë
Nuse mos mbaj zi për mua
Jetima gëzojeni lirinë
Por Amanet më përkujtoni!

.

Recital i publikuar në akademinë e I-rë përkujtimore kushtuar dëshmorëve dhe martirëve të fshatit Strellc, me 2001. Këshilli Organizativ i akademisë: Hysen Balaj, Albert Kurtulaj, Imer Elezaj, Besim Hylaj, Lindita Bajramaj, Besarta Bajramaj, Arta Beqirajt & Ajetë Beqiraj.

Recituan: Arta Beqiraj dhe Besarta Bajramaj

Writen by© Ajetë Shaban Beqiraj

Foto: FB(Unknown)

Instr.: “Nderi i Dardanisë”, Ilir Shaqiri

https://www.youtube.com/watch?v=gYn4JDFRSi8

(Visited 88 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published.