Mire Mete Lajci-Burrnesha e Malajve te Rugoves(Foto nga Ben)

18 prill 2014,Radio Kosova, Ne fshatin Malaj në zemër të Rugovës, nga prindërit Vake dhe Metë Lajçi para 73 vjetësh u lind një vajze e cila me 6 vjetet e saj hoqi dorë nga gjinia e lindur, duke përforcuar përcaktimin e saj që në moshë të re me fjalën e një ”virgjëreshë të përbetuar” e cila do të heq dorë nga feminiteti i saj,përgjithmonë.


Është kjo Mire Metë Lajçi, ndër burrneshat e rralla në Kosovë,  e cila gjithë jetën i qëndroi besnike  thirrjes së shpirtit për t’ u bërë fli e familjës me transformimin në mashkull shtëpie. Sepse, dashuria ndaj prindërve dhe dëshira për t’iu ndihmuar ishte më e madhe se ëndrrat vashërore për nusëri e amëri.  Ajo nuk pyeti sa i lartë do të ishte çmimi? Ajo vendosi një herë e për gjithë jetën dhe nuk u kthye pas kurrë.

“Vendosa qysh e re se, mixha plak pa djalë, pa çikë. Baba vetëm e vëllezërit e vegjël. Vendosa, nuk u ktheva pas ma dhe nuk u pendova kurrë. Gjithë ditën këndoja, se atëherë s’ka pas me vajtu punët pas, here po e here jo.  Askush s’ ka guxu me ma përmend martesën as pasha Zotin kurrë s’kam lakmu ndonjë femër. Si njeriu që vdes edhe nuk ngjallet ma aq më asht kthye mua mendja”, thotë kjo virgjëreshë e përbetuar e cila feminitetin e saj ndrydhi nën pantallonat, xhaketën e shallin e errët duke u shndërruar ne një burrë me emër ,gjeste, qëndrim, fjalë e vepër.

Pune burrash dhe peshe e fjales ne odë

Ndërsa, puna me bujq e blegtorë do të mbetet rruga e vetme e kësaj burrneshe rugovase të njohur në opinion si “Bariu Kajtaz”, në vendimin jetik të cilës ndikuan toka e gjerë dhe numri i bagëtive për t’ u bërë një krahë më shumë në familje.“Dikur jetonim me vështirësi, me bjeshkë e dyerve të hallkut me bagëti. Kështu m’ka shku jeta…Kam ruajt bagëti, kam mjel, kam qeth, kam mbjell are, kam lavru, kam kosit, kam prashit. Gjithë çka ban një mashkull i mirë e një punëtor i fortë unë i kam ba. Kam punu, kam hjek keq për hatër të babës e të vëllezërve dhe nuk jam pishman!”, shton kjo burrneshë fjala e së cilës dikur peshonte sa e një mashkulli të shtëpisë, në çfarë edhe ishte transformuar.

“Burrneshat”-Këputje e fijes natyrale në emër të një betimi

“Virgjëresha të përbetuara” janë femra që heqin dorë nga identiteti i tyre dhe vishen si meshkuj për të vazhduar jetën si të tillë. Fenomeni është më i shprehur në perëndim të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, ku për shkak te rrethanave në familjet që kanë mbetur pa trashëgimtar, zakonisht femra e parë ose e fundit janë detyruar ta ndërmarrin një hap të tillë. Kjo është këputje e një fije natyrale në emër të një betimi, thotë për Radio Kosovën Xhavit Fazliu, sociolog, i cili për punimin e diplomës e zgjodhi ketë fenomen.

“Madje edhe emërimi “burrneshë” është i padenje se ato janë më të forta se vet burrat, te cilët nuk do ta bënin me asnjë kusht një flijim të tillë. Ky është akti me  lartë i një flijimi që mund të bëjë një femër në emër të dashurisë për familjen, ndaj është i pakrahasueshëm me ndonjë fenomen tjetër”, mendon Fazliu, sipas të cilit fenomeni i “Burrneshave Shqiptare” nuk ka të bejë me transvestitet apo homoseksualizmin e aq më pak mund të krahasohen me murgeshat të cilat edhe po hoqën dorë nga urdhri,  ripranohen në familje dhe në shoqëri pa ndonjë bujë të madhe për dallim nga Burrneshat.  Sepse, ato kanë heq dorë me betim nga të qenit femër, duke menduar në të gjithë të tjerët e më së paku ne vete, siç bëri edhe Mire Metë Lajçi, virgjëresha e përbetuar e Malajve të Rugovës.

Gjithe jeten ne sherbim te te tjereve

“Unë nuk kam menduar në jetën time, se kam dëgjuar veten e as m’ka ba përshtypje çka m’del pas. Mendoja vetëm si të përparoj shtëpinë, babën e vëllezërit. S´më ka ba përshtypje ças e kam dëgju vetën. Verëe e dimër kam  nejt n’shi e n’borë  se i kem mbajt nga dy-treqind copa dhen, lope e kuaj. Unë me to bjeshkëve e dyerve të hallkut në rrafsh me i dimnu. N’Malaj, n’Leqinat e n’Guri t’Kuq i kem pas konaqet e torishtat, e unë me fëmijë të vëllezërve  e me bagëti. Atyre iu shtrojsha e flinin e unë rrisha gjithë natën ulur e ua tersha teshat. Ua bajsha bukën mbrëmje e mëngjes”, rrëfen vetmohimin e saj deri në flijim burrnesha Mire Mete Lajçi, e cila gjithë jetën e kaloi nëpër kullosa me bagëti. Sepse, ishte puna e saj, dashuria e saj, jeta e saj…Ndaj, me heqjen e tufes ajo humbi një pjesë të shtrenjtë të botës së vet në të cilën u lind, u rrit e shkoi jeten!

“Me atë rod jemi qe 100 vjet. Ma ka lëne baba…Pardje i kam shit të mbramat! Kam kajt gjithë ditën e lume, se kam çu ymër me to…Andej mos m´prek se jam shumë e mërzitun! E kam pas shenjë të babës…Jom kone shume e lidhun për to”, shton ajo, teksa lotët për dhentë e saj i bulojne ne sy.

“Burrneshat” si fenomen kane tradite te gjate ne trojet shqiptare

“Burrneshat” apo “virgjëreshat e përbetuara” kanë një traditë të gjatë në trojet shqiptare, të cilat për hir të një betimi heqin dorë nga gjinia e tyre e lindur. Por fenomeni  nuk ka të bëjë me shtrirjen gjeografike apo pikëpamjet fetare, thotë Fazliu, sipas të cilit këtyre femrave kanuni nuk iu ofron më shumë se veç qëndrimit në oda, pa të drejtë fjale as mendimi. “Ndaj në sytë e sociologeve këto femra shihen vetëm si flijuese,  meqë përfundimi i tyre është i mjerë për shkak të mungesës së përkujdesjes institucionale dhe familjare, për shkak se pjesa dërmuese e tyre nuk kanë vëllezër ndërsa në shoqëri nuk ekziston gatishmëri e madhe që të merren me raste të  tilla”.

Përkujdesja institucionale për këto raste tejet të veçanta dhe të rralla është e domosdoshme, qoftë nga aspekti social apo ai ligjor dhe një iniciativë e tillë do duhej të vinte kaherë. Një hap në këtë drejtim paralajmëron sociologu Fazliu me themelimin e një fondi i cili do t´iu siguronte një jetë të dinjitetshme. “Unë heq kapelën para flijimit të tyre…Por, e kundërshtoj hapur një flijim të tillë, meqë ato femra më shumë do të kontribuonin me lindjen e dhjetëra fëmijëve. Familjet e këtyre vajzave do duhej të mendonin  se ajo krijesë të cilën nuk e quajnë madje as  “burrë” nuk ka asgjë të përbashkët me natyrën e burrit. Ajo është e brishtë, e thyeshme, e ndjeshme, e dobët në punët fizike dhe nuk ka forcën e burrit qe të bëhet një luftëtar/e i fortë. Dhe me këtë, ajo mbetet e ndëshkuar të mohojë vetveten dhe natyrën e saj”-thote Fazliu

Mohim I vetvetes deri ne pakufi

Ketë nuk do t’ia preferonte asnjë femre as burrnesha e Malajve Mire Metë Lajçi, se ajo  është dëshmitare e çmimit të lartë të kësaj sakrifice. “Kam ndejt unë boll s´ka nevojë me nejt tjetërkush. Le të shkojnë kah të donë . Kam heq keq gjithmonë. Tash jam plak. Dhente  i kam shit, ma s´ pres me i ba kurrë…Mirë e keq qysh ma ka qit. Nuk e kam ndjerë vetën femër kurrë dhe nuk jam pishman! Tash veç vdekjen e pres…”, thotë për Radio Kosovën Virgjëresha e Përbetuar e Malajve, Mire Metë Lajçi, e cila është ndër dy tri raste në Kosovë e cila ëndrrat vashërore ngujoi brenda rrobave te “burrneshës”, për të kaluar gjithë jetën në bjeshkë e vrri duke qenë çdo gjë tjetër, por jo ajo për të cilën u krijua. Në emër të dashurisë ndaj familjes  ajo barti gjithë jetën një barrë sa bjeshka mbi supet e saj të brishta…Për hir të prindërve ajo ruajti deliresine femerore ne cdo kuptim, duke privuar vetveten nga dashuria dhe nga të qenit bashkëshorte e nënë!

(Visited 11 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *