Zgjedhjet lokale në Kosovë-Sfidë luftimi i varfërisë dhe i papunësisë

Lemoshe per mbijetese…
Kontejneret, burim ekzistence…

24 tetor 2013, Dojce Vele, Kosova po përballet me përqindje të lartë të papunësisë dhe te varfërisë. Qeveritë vinë e shkojnë, por gjendja mbetet e njëjtë. Premtimet për ndryshime, mirëqënje e prosperitet vazhdojnë edhe në prag të zgjedhjeve të 3 nëntorit, edhepse të parat nuk u përmbushën as për së afërmi.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës varfëria e përgjithshme në Kosovë është 29.2 për qind me 8.2 për qind varfëri të skajshme, ndërsa papunësia arrin në rreth 30.9 për qind. Prof. Belul Beqaj, analist politik  dhe Kryetar i Lëvizjes Evropiane në Kosovë,thotë për DW-në se:
Investimet kapitale më shumë janë në funksion të simbolikës se sa të krijimit të kushteve. Ende mendohet për asfalt e nuk mendohet për bukë e ujë,të cilat Kosova importon në vend se t´i eksportojë. Mendohet si të harxhohen paratë e taksapaguesve e jo si të futen ato dhe investimet e huaja në zhvillimin i cili do të hapte vende të reja të punës“, thotë z.Beqaj,  sipas të cilit papunësia është e ndërlidhur më mungesën e strategjisë zhvillimore dhe shkallën e lartë të krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë.


Behxhet Pacolli,AKR


Premtime apo objektiva?



Sipas Partisë Demokratike të Kosovës, parti në pushtet, problemet e grumbulluara me dekada nuk mund të zgjidhen brënda dite.“Zvogëlimi i papunësisë dhe i varfërisë  është proces historik dhe mision i brezit tonë, të cilin duhet ta arrimë bashkarisht me përgjegjesi e përkushtim.  Partneriteti ndërkombëtar sidomos nga Gjermania, është një shtytje e madhe. 

Ndërsa, meqë Kosova po kalon nëpër procesin e shtetndërtimit dhe integrimit euro-atlantik, koncepti i PDK-së për luftimin e varfërisë dhe zvogëlimit të papunësisë bazohet në forcimin e shtetit ligjor dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik afatgjatë”, thotë Kadri Veseli, zëvendëskryetar i PDK-së. Përderisa, Aleanca Kosova e Re, parti në koalicion me PDK-në,  për tejkalimin e kësaj situate parasheh krijimin e atmosferës së volitshme për investime dhe 


Dr.Avdullah Hoti,LDK

ngritjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme ekonomike, thotë kryetari i kësaj partie, Behxhet Pacolli.”Në komunat që do t´i qeveris AKR, komuna do të miratojë programin e saj menaxherial dhe ekonomik që pos të tjerash parasheh ngritjen e ndërmarrjeve të përbashkëta ndërmjet Agjensionit Komunal të Participimeve dhe investitorëve potencial.Në qytet fillohet nga krijimi i zonës ekonomike, ndërsa në fshatra pronat e patundshme komunale do të përdoren për krijimin e veprimtarive bujqësore dhe blegtorale me investitorët vendas “, premton  z.Pacolli, sipas të cilit, Fondi i Punësimit do të ketë të ardhura progresive vjetore me dhjetëra miliona vetëm në kryeqytet.

 „Mungesë vizioni për zhvillim ekonomik!“




Ernest Luma-AAK

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, parti në opozitë thonë se, ka pasur një vëmendje të tepruar të qeverisë aktuale në çështjet politike duke e lënë mënjanë axhendën zhvillimore. Ndërsa, është sektori privat ai i cili mund të kontribuojë në zvogëlimin e papunësisë dhe varfërisë në Kosovë, meqënse vetëm rreth 25% e popullsisë në moshë pune janë të punësuar,ndërsa vetëm 10% e femrave dhe të rinjve janë të zënë me punë, mendon dr. Avdullah Hoti, anëtar i Kryesisë dhe Kryesues i Këshillit të Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Promovimi i zhvillimit rural do të prodhonte efekte multiplikuese në tërë ekonominë. Zhvillimi i bujqësisë është i domosdoshëm për të zvogëluar importin prej rreth 500 milion euro të produkteve ushqimore. Biznesi i vogël dhe i mesëm duhet të stimulohet në veçant. Mbi të gjitha, duhet të përmirësohet cilësia e sistemit arsimor në mënyrë që, kuadrot që dalin nga arsimi të jenë në përputhje me nevojat e ekonomisë”,thotë z.Hoti, sipas të cilit, këto politika janë plotësisht të realizueshme në gjendjen ekzistuese dhe me kapacitetet financiare që ka Kosova.

Në Kosovë qeveritë ndërrohen – Papunësia e varfëria mbeten.



Ylli Hoxha,Levizja për Vetvendosje

Motoja e fushatës së liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj është: “Asnjë familje në Kosovë pa një të punësuar!”.Sipas tij:”AAK në programin e saj ka identifikimin e familjeve me asnjë të papunë dhe mbështetjen e tyre me paisje pune, duke krijuar mundësinë e vetpunësimit nga shtëpia”. Përderisa, Ernest Luma, zëdhënës i kësaj partie opozitare thotë për DW-në se:”AAK do ta bëjë këtë me menaxhimin e mirë dhe orientimin e duhur të parasë publike për hapje vendpunimesh për të gjithë, për dallim nga qeveria aktuale e cila ka bërë mbingarkim të administratës dhe të kompanive publike me punësime të klaneve, familjarëve dhe militantëve“. Por, Lëvizja Vetvendosje për gjëndjen aktuale fajson të gjitha qeveritë që udhëhoqën Kosovën përgjatë 14 viteve.“Ato kanë implementuar politika të favorshme për importuesit dhe politika defavorizuese për prodhuesit vendor. Janë përqëndruar në projekte të cilat kanë sjellë përfitime për liderët dhe bizneset që u kanë shërbyer dhe i vetmi qëllim ekonomik ka qenë pasurimi i lidershipit, familjarëve dhe miqve. Kjo mendësi gllabërimi ka rezultuar me shkallë alarmante korrupsioni dhe ka prodhuar papunësi dhe varfëri”, thotë Ylli Hoxha nga kjo parti, sipas të cilit, Vetvendosja  angazhohet për shtet zhvillimor.

Pritet kthesë në votëbesimin e qytetarëve




Prof.dr.Fadil Maloku(ShSK)

Përderisa prof.dr.Fadil Maloku, kryetar i Shoqatës së Sociologëve të Kosovës (SHSK) dhe anëtar i Shoqatës së Sociologëve Botërorë flet për mungesë vizioni të partive politike,të cilat:”edhe në këtë prag të zgjedhjeve lokale flasin për zbutjen e papunësisë dhe varfërisë. Por, në programet e tyre nuk kanë projekte të detajuara për zgjidhjen e tyre dhe temat sociale e ekonomike edhe më tej mbesin të margjinalizuara. Si rrjedhojë, pakënaqësitë sociale dhe ato ekonomike mund të rezultojnë me rrebelimin e të rinjve nga frustrimi në rritje “,thotë për DW-në z.Maloku, i cili në bazë të një studimi të Shoqatës së Sociologëve të Kosovës konstaton se: premtimet e partive politike ishin vetëm sa për të marrë votën dhe se në katër palë zgjedhje qytetarët kanë kuptuar se ishin të manipuluar. Prandaj, në zgjedhjet e sivjeme mund të priten kthesa pozitive në ndërgjegjësimin e qytetarëve, se kujt do t´ia japin votën.

(Visited 1 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *