Date Archives August 2013

BE ndihmon kthimin e të zhvendosurve romë dhe ashkali

Kampi i refugjatëve Konik në Mal të Zi(foto UNHCR)

20 gusht 2013, Dojçe Velle. Zyra e BE-së në Kosovë, në bashkëpunim me Ministrinë për Komunitete dhe Kthim dhe UNHCR, ka lansuar një projekt per kthimin në Kosovë e të zhvendosurve RAE nga Mali i Zi dhe ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.Lexo më shumë…

Projekti ka për qëllim mbështetjen e qeverisë së Kosovës në përpjekjet për të siguruar të drejtën e kthimit në Kosovë për të gjithë, lehtësimin e kthimit vullnetar, si dhe gjetjen e zgjidhjes afatgjatë për këto familje. Nga projekti pritet të përfitojne rreth 60 familje rome, ashkalije dhe egjiptase, të cilat janë të zhvendosura aktualisht në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM) dhe në Mal të Zi, thonë për DW-në nga zyra e BE-së në Prishtinë, sipas së cilës: “Familjet do të kthehen në vendet e origjines ,ose në vende të tjera brenda Kosovës. Kthimi është vullnetar dhe vetëm familjet, të cilat shprehin dëshirën për t´u kthyer do të mirren parasysh”.

Meqënëse çdo qytetar nga Kosova ka të drejtë kthimi në vendin e origjinës, projekti do t´u ofrojë të gjitha familjeve të ashtuquajturën “paketë e harmonizuar të asistencës për riintegrim sa më të mirë”, e cila ka brenda vetes edhe asistencën për krijimin e të ardhurave, thonë nga zyra e BE-së në Prishtinë, sipas së cilës pjesa dërmuese e të kthyerve RAE jane riintegruar në shoqëri, ndërsa bashkëpunimi me instiucionet e Kosovës është në nivelin e duhur.

UNHCR: “700 familje të zhvendosura në rajon dëshirojnë kthimin në Kosovë”

Projekti 30 muajsh financohet nga BE me 1,8 milionë euro dhe nga ministria per Komunitete

dhe Kthim me 0,2 milion euro, ndërsa implementues është Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara, zyra në Prishtinë. Sipas informatave të mbledhura nga zyrat e UNHCR-së, aktualisht janë rreth 700 familje minoritare në rajon me rreth 3.000 persona, të cilët kanë shfaqur interesim për t’u kthyer në Kosovë, thonë per DW-në nga zyra e UNHCR-së në Prishtinë: “Familjet e përfshira në këtë projekt janë nga komuniteti RAE. Shumica nga ata nuk posedojnë pronë, apo nuk kanë dokumente, me të cilat do të dëshmonin pasjen e pronësisë. Në këtë kontekst është me shumë rëndësi angazhimi i komunave pritëse të ndajnë truall për personat e zhvendosur, të cilët nuk kanë truall dhe duan të kthehen në Kosovë. Ndërsa aktivitetet e projektit janë ndarë në tri komponente: ndërtimi i shtëpive, dhënia e mbështetjes socio-ekonomike, si dhe mbështetja në marrjen e dokumenteve personale”.

Sipas një ekspertize jozyrtare është vlerësuar se janë rreth 17.000 persona të zhvendosur brenda Kosovës, në Malin e Zi rreth 8.000 persona të zhvendosur nga Kosova, ndërsa rreth 1.000 të tjerë në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM). Por ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq, një shifër të tillë e vë në dyshim për faktin së: “Nga njëra anë kemi të dhena zyrtare nga UNHCR, të cilat tregojnë se numri i të zhvendosurve është mbi 230.000. Por shtrohet pyetja: sa prej tyre janë kthyer dhe nuk janë regjistruar si të kthyer, meqë një numer i caktuar personash nuk dëshirojnë të humbasin statusin e refugjatit në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi për shkak të beneficioneve të caktuara, të cilat i gëzojnë me atë status?”

Qëndrimi i komunitetit pranues faktor kyq per kthim në Kosovë

Krahas kthimit të serbëve, as kthimi i romëve dhe ashkalinjve nuk ka qënë i lehtë, duke pasur parasysh dyshimet e ngrehura per implikimin e disa prej tyre në krimet e luftës. Ministri Jevtiq thotë për DW-në se: ”Në procesin e kthimit qëndrimi i komunitetit pranues është i rëndësishëm, por më i rëndësishmi është sundimi i rendit dhe i ligjit. Dhe meqë kushtetuta dhe ligjet e Kosovës qartësojnë në mënyrë precize të drejtat e të kthyerve, kjo e obligon MKK-në dhe instucionet ,të cilat kane rol të rëndësishëm në procesin e kthimit në Kosovë”. Përderisa edhe për zyrën e UNHCR-së në Prishtinë angazhimi i plotë i përfituesve potencialë dhe i komunitetit pranues është çelës për të pasur kthim të qëndrueshëm dhe riintegrim të të kthyerve. “Të gjithë ata, që janë të përfshirë në proces, duhet të bashkëpunojnë për të krijuar kushte të përshtatshme për kthim. Mënyra për të promovuar këtë bashkëpunim janë dialogu ndëretnik midis të zhvendosurve dhe komunitetit pranues. Ndërsa vizitat e të zhvendosurve në vendin e kthimit, apo aktivitete të tjera janë pjesë e fazave përgatitore të cilitdo projekt të kthimit“, thonë nga UNHCR, për të shtuar se institucionet e Kosovës janë të përfshira në të gjithë hapat e procesit të kthimit, ndërsa UNHCR bashkëpunon me organizata të tjera ndërkombëtare, shoqërinë civile dhe komunitetin pranues për të mbështetur një kthim të mirëinformuar, të dinjitetshëm dhe të qëndrueshëm të personave të zhvendosur.

Përpjekje intensive për kthimin e të zhvendosurve në Kosovë

Ministri Jevtiq (majtas)

Sipas ministrit për komunitete dhe kthim Dalibor Jevtiq, problemi i të zhvendosurve përbrënda Kosovës po zgjidhet gradualisht dhe brënda pak kohe do të mbyllen të gjitha qendrat kolektive. Për kthim nga IRJM dhe Mali i Zi po bashkëpunojnë të tria qeveritë, përderisa për kthim nga Serbia nevojitet bashkëpunimi i qeverive të Kosovës dhë Serbisë. “Procesi i kthimit të shqiptarëve në veri të Kosovës aktualisht nuk është nën ombrellën e MKK-së. Por gjithsesi pres, që edhe ai proces i i kthimit të jetë nën ingerencën e këtij institucioni dhe si çdo proces tjetër i kthimit, edhe ai të jetë transparent dhe në bashkëpunim me komuntetin pranues, në mënyrë që të largojmë çdo dyshim dhe brengë, e me këtë edhe mundësinë për probleme potenciale“.

Aktualisht projektet e kthimit, të cilat po implementohen nga ministria për Komunitete dhe Kthim janë: „Kthimi dhe Riintegrimi në Kosovë(faza e 3-të)”, “Kthimi urban në Prizren-Te Kalaja“,“Ali Libra” në Gjakovë, “Dubrava” në Dubravë, „Kthimi i Romëve nga Maqedonia dhe Mali i Zi“, si dhe kthimi individual. Partner kryesor në këtë kthim janë: Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Britanike, UNHCR, qeveria e Kosovës, qeveria e IRJM-së dhe ajo e Malit të Zi. Ndërsa nga projekti i mbeshtetur nga BE pritet të përfitojnë 60 familje të zhvendosura të komuniteteve RAE.

Ajetë Beqiraj/DW

Përpjekje të përbashkëta për luftimin e krimit të organizuar në Kosovë

Konferencë rreth krimit të organizuar në Kosovë

7 gusht 2020, Dojçe Velle. Një marrëveshje ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe EULEX-it për shkëmbimin e informatave të inteligjencës, pritet të zvogëlojë krimin e organizuar në Kosovë.Lexo më shumë.

Krimi i organizuar është një dukuri shqetësuese dhe mjaft prezente në Republikën e Kosovës, e cila më tepër është i shprehur në trafikimin e narkotikëve, në kontrabandën me migrantë, në trafikimin me qënie njerëzore, krime ekonomike dhe korrupsion. Ndersa, Divizioni Kundër Krimit të Organizuar në kuadër të Policisë së Kosovës, bazuar në misionin dhe mandatin e vet po ndërmerr veprime operative-hetimore për parandalimin dhe luftimin e këtyre formave të krimit të organizuar, bëjnë të ditur burimet nga zyra për informim i Ministrise së Punëve të Brendshme të Kosovës. Sipas kësaj zyre: “Rezultatet e luftimit të këtyre llojeve të krimeve në vitet e fundit kanë shënuar rritje falë organizimit dhe centralizimit të njësive policore, me hyrjen në fuqi të Kodit të ri Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, si dhe të organizimit dhe strukturimit të prokurorive. Ndërsa, veprimet operativo-hetimore të policisë janë në përputhje me obligimet që dalin nga strategjia nacionale për luftimin e krimit të organizuar, strategjia nacionale për luftimin e drogave dhe strategjia nacionale për luftimin e trafikimit me qënie njerëzore”.

Atje ku nuk sundon ligji krimi i organizuar lulëzon 

Anne Blanksma-Shef i Zyrës për Informim,EULEX Kosovë

Partnerët institucionalë në Kosovë kanë një vullnet të fortë për të luftuar krimin e organizuar, ndërsa është detyrë e EULEX-it për t´i këshilluar dhe mbështetur ato në këtë luftë, thotë për DW-në Anne Blanksma, shef i zyrës për informim të EULEX-it, sipas të cilit, “krimet e rënda dhe krimi i organizuar lulëzon aty ku sundimi i fortë i ligjit nuk është i zhvilluar ende. Dhe kështu, përpjekjet tona së bashku me partnerët kosovarë janë të fokusuara në themelimin e institucioneve të forta të sundimit të ligjit të cilat janë të afta për të parë kërcënimin që vjen nga krimi i organizuar”.

Me qëllim të parandalimit, zbulimit dhe zvogëlimit të kriminalitetit në Kosovë, ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe EULEX-i kanë arritur një marrëveshje teknike për shkëmbimin e informatave të inteligjencës. Një marrëveshje kjo e cila përcakton modalitetet për shkëmbimin e sigurtë dhe sistematik të informacionit si dhe një demonstrim i besimit që kemi ndërtuar me partnerët tanë”, thote Blanksma, sipas të cilit, “sistemi i mirë i menaxhimit të informacionit është bazë e inteligjencës policore, e cila është e nevojshme për të luftuar krimet e rënda dhe krimin e organizuar”.

Shkëmbim informatash inteligjente edhe për krimet e luftës

Në javët e fundit u bënë arrestime të disa serbëve për dhunime gjatë luftës dhe për krim të organizuar në veri. Nëse këto arrestime janë rezultat i kësaj marrëveshjeje, EULEX-i nuk deshi t´i komentojë. Nga MPB thonë se këto arrestime nuk janë rezultat i saj, por se:“Marrëveshja me EULEX-in do të mundësojë shkëmbim të sigurtë, të besueshëm dhe efikas të informatave në mes të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it në lidhje me krimet e luftës, hetimi i të cilave është përgjegjësi e departamentit ekzekutiv të EULEX-it për hetimin e krimeve. Gjithashtu do të shkëmbehet çfarëdo informate që ka të bëjë me hetime të përbashkëta të rasteve në mes të Policisë së Kosovës dhe asaj të EULEX-it”.

Në përgjithësi, marrëveshja teknike ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe EULEX-it për shkëmbimin e informatave të inteligjencës pritet t´i kontribuojë parandalimit, zbulimit dhe zvogëlimit të kriminalitetit në Kosovë, duke lehtësuar shkëmbimin e informatave ndërmjet Policise së Kosovës dhe Policisë së EULEX-it dhe reduktimin e krimit të organizuar brënda Rëpublikës së Kosovës.

Ajetë Beqiraj/DW

Gjermania mbështet aftësimin profesional në Kosovë

Mbi 60 mije nxenes ne shkollat profesionale, ne Kosove

Dojce Vele, 2 gusht 2013, Një marrëveshje ndermjet Gjermanise dhe Kosoves në fushën e arsimit dhe të aftësimit profesional  do të ndikojë që Kosova të ketë kaudro ekuivalente me ato të shteteve të Bashkimit Evropian. Gjermania është njëri ndër donatorët qëndror në sferën e arsimit profesional dhe mbetet model i rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj fushe te arsimit ne Kosove.




Shkolla e Mesme Teknike në Decan, komunë në perëndim të Kosovës, është ndër shkollat më të suksesshme nga të 62 shkollat profesionale në Republikën e Kosovës. Aktualisht me 868 nxënës të cilët përcjellin mësimet në: informatikë, telekomunikacion, instalim ujësjellësi, automekanik, turizëm, zdrukthtari, kontabilitet, tregti si dhe në banka dhe sigurime, suksesin e saj dëshmon pothuaj cdo vit me radhitjen në vendin e parë në Provimin e Maturës. Dhe kjo, falë kushteve të punës dhe përkushtimit të stafit,  thotë drejtori I kesaj shkolle Zenel Kasumaj. “ Falë bashkëpunimit të mirë me institucione vendore dhe organizatat ndërkombtare, ne kemi siguruar paisje të shumta kabinetike të cilat na kanë mundesuar të kemi rezutate shume të mira në procesin edukativo arsimor dhe në aftësimin profesional dhe në arsim joformal. Këtu do doja të përmend mbështetjen e  shtetit gjerman në trajnimin e kuadrit arsimor si dhe në sigurimin e paisjeve në kabinetin e automekanikeve, që është një ndihmë e madhe”,  thotë drejtori Kasumaj.

Suksesi në shkollat profesionale-I garantuar 

Nxënëse nga Shkolla e Mesme Teknike, në Decan

Endrit Kukalaj është vetëm njëri nga nxënësit e dalluar I cili nga kjo vatër diturie do të dal si profesionist. I orjentuar në profilin e informatikës, ai në garat komunale në matematikë ka zënë vendin e parë ndërsa në Olimpiaden  e Matematikës  në nivel republikan është radhitur në dhjetëshen e parë.“Kjo është meritë e stafit arsimor I cili është tejet I përkushtuar dhe jep të pamundurën të na përgatis profesionalisht. Por, shtytje e madhe janë edhe kushtet adekuate nëpër kabinete, meqënse ato që mësojmë në teori i demonstrojmë  në praktikë. Prandaj, ne ju jemi mirënjohës institucioneve tona dhe donatorëve, me theks të vecantë Gjermanisë e cila ka  dhënë shumë për arsimin profesional anëmbanë Kosovës”,thotë Endriti.

Shkolla të suksesshme profesionale ka edhe në Pejë, në Gjilan, në Prizren, në Prishtinë, ndërsa prinë shkollat bujqsore, në të cilat DANIDA e Danimarkës ka ndihmuar shumë në ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe infrastrukturore në 5 prej 15 shkollave mikse bujqsore, thotë për DW-në Ragip Gjoshi, këshilltar politik për qështje të arsimit profesioanl në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në qeverinë e Kosovës.

Mbështejte teorike dhe praktike nga Gjermania

Përderisa, me Marrëveshjen për Mbështetjen e Arsimit dhe Aftësimit Profesional në Kosovë, nënshkruar nga ministri per arsim, shkencë dhe teknologji i Kosovës, z.Rame Buja  dhe nga senatori gjerman  i shtetit per shkolla, arsim dhe aftesim profesiona,l z.Ties Rabe, në Hamburg, roli I Gjermanisë në këtë fushë do të shumëfishohet. Këshilltari Gjoshi  shpejgon për DW-në se: „Në bazë të marrëveshjes, ministria e këtij landi përmes GIZ-së synon të mbështes projektin e arsimit dhe aftësimit profesional për konceptimin e ndërtimit të dy qendrave të kompetencës si dhe për themelimin e agjencioneve të arsimit dhe të aftësimit profesional. Dhe jemi të bindur se brënda këtij viti do të mundësojmë themelimin e Agjencionit të Arsimit dhe të Aftësimit Profesional I cili do të jetë në funksion të zhvillimit të mëtejmë të shkollave të aftësimit dhe arsimit profesional”.

Ragip Gjoshi, këshilltar për arsim profesional-MASHT

62 shkolla të aftësimit profesional me mbi 60 mijë nxënës

Në Republikën e Kosovës janë mbi 60 mijë nxënës të përfshirë në arsimin profesional të cilët mësojnë në 62 shkolla profesionale: 4 prej tyre të Qendrës së Kompetences me 14 milionë euro  të investuara nga qeveria norvegjeze dhe ajo e Luksemburgut. Ndërsa, mbështetja gjermane për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtyre kapaciteteve, sipas këshilltarit Gjoshi, do të orjentohet në zhvllimin dhe përshtatjen e udhëzimeve administrative, në filozofinë e menagjimit dhe të konceptit të komunikimit, në menagjimin e bordeve dhe të raporteve, në menagjimin e investimeve, në zhvillimin e planeve ekonomike dhe të biznesit, zhvillimin e kapaciteteve menagjuese dhe udhëheqëse të shkollave, në sqarimin e përgjegjësive ndërmjet agjencionit, ministrisë dhe komunave, etj.

Zvogëlim i papunësisë dhe kuadro ekuivalente me ato të BE-së

Një koncept i tillë do të ndihmojë në avancimin e fushës së arsimit profesional, por gjithsesi edhe në thithjen e donacioneve që janë të gatshëm të ndihmojnë në këtë sferë të arsimit, mendon z.Gjoshi.“Agjencioni do t´jetë një kupolë e arsimit, nën menagjimin e të cilit do të futen edhe qështja e avancimit të mësimdhënësve, të shkollave, qështja e hartimit të standardeve dhe profesionit, qështja e kurrikulave dhe teksteve mësimorë si dhe bashkëpunimi ndërkombtar me IPA-n dhe programe tjera të shteteve të BE-se“, thotë z.Gjoshi, i cili beson se kuadrot e përgatitura në këto shkolla do t´jenë ekuivalente me ato të shteteve të BE-së. “ Jam i bindur se refleksioni do t´jetë shumë më I madh në zbutjen e papunësisë së rinisë sonë numerike dhe të mrekullueshme,  të cilët janë të interesuar të mësojnë edhe gjuhë të tjera  që të integrohen, të punësohen dhe të ndikojnë që Kosova me hapa të sigurt të ecën përpara“.

Gjermania është njëri ndër donatorët qëndror në sferën e arsimit profesional dhe mbetet pike referimi dhe model i rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të kësaj fushe të arsimit në Kosovë.