Vazhdon varferia në Kosovë

25 tetor 2012, Dojce Vele, Perqindja prej 34 në 48 nën kufirin e varfërisë dhe 12 per qind në varfëri të skajshme është më e shprehur në familjet më të mëdha, në amvisëritë me numër më të madh të të papunëve, tek ata që kanë shkallë të ulët të arsimit dhe te kryefamiljaret femra. 

Ajshe Krasniqi me banim në Prizren, të katër fëmijet e saj po i rrit me mundim. Megjithëse e veja e një punëtori të dikurshëm, ajo nuk gëzon asnjë lloj pensioni dhe i vetmi burim ekzitence me te cilin shtyn një ditë në tjetrën janë ndihmat e njerëzve vullnetmirë.« Jetoj me social, me ndihma qysh mundem. Kurrqysh…Me 60 euro As bukë s´po del me u ngi!Cka me ba ?! Burri m´ka vdek 59 vjet. Tash pension as kurrgja. Jetë e vështirë më katër jetima…Vec kush na njeh, dikush miell, dikush vaj, e po kalojmë.  Mos me na ndihmu populli, na vec me vdek… ».
Servete Krasniqi nga Juniku me bashkëshortin dhe të pesë fëmijët, e cila qe 13 vjet jeton si e pastrehë thotë se : «Jetojmë diqysh, si n´baraka ma. Kush t´na zgjat dorën, si sot. Kemi kërku zgjidhje qe 13-të vjet.Komuna ende s´ka zgjidhje për ne. Tash po presim kurh t´na zgjat doren, e kurgja ´kmi ble,a teha pr fmij a kurgja hic, ihlla ka dicka per femije e i gezojme femijet pak ».
Familjes Hadergjonaj i eshte ndal asistenca sociale
Asistenca sociale jo gjithmonë arrin te nevojtaret
Mejreme Hadergjonajt, 73 vjecare nga komuna e Decanit, megjithëse e sëmurë dhe me bashkëshortin invalid, i është ndërprerë edhe ndihma sociale.« S´marrim kurrnjisend vec pensionit. Përpara kemi mar e qe tri vjet jo. As s´ka ardhë kush me na pa vec juve, pasha kryet e vllaznive ! »
Përderisa, jeta Sahit Loshajt nga Carrabregu, ështe poaq e veshtirë meqë me bashkëshorten e të pesë fëmijët jeton me një pension prej 45 eurosh. « Mos vet hic ! Gja s´kam vec pak tokë e po mundohna me nxjerr dicka,e boll pak. Vallahi, ma në nevojë s´asht kush,vec s´kam mujt me i thanë kujt gja. Jo vallahi ! »
Varfëri edhe për Kurban Bajram
Loshaj jeton me familjen e të vëllait nën një qati. Dhe, megjithëse natë e Kurban Bajramit, asnjeri nga ta s´kanë pas mundësi të blejnë gjë për tryezën e së kremtes. E, do të dëshironin që të paktën femijët e vegjël t´i presin me sheqerka,sic është traditë…«Jo, s´kem ble kurrgja, se të papunë…Vec ndonjë ndihmë e njerëzve vullnetmirë e zbut pak gjëndej. Për mua kryeore është që kur të vinë fëmijët e vegjël për Bajram, me pas me iu dhanë dicka e mos me i kthy thatë… », shton i vëllai.
Sahit Loshaj  mban familjen 7 anetareshe me 45 euro
Sipas statistikave të Bankës Botërore, rreth 34-48 per qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë nën kufirin e varfërisë, kurse 12 per qind në varfëri të skajshme. Përqindja e varfërisë është më e lartë në familjet e mëdha, në amvisëritë  me numër të madh të të papunëve, tek ata  me shkallë të ulët të arsimit dhe te kryefamiljaret femra.  Sipas Nora Sahatçiut, eksperte për Koordinim e OKB-së, në Prishtinë :

« Megjithëse të dhënat janë trë viteve paraprake dhe Banka Botërore së shpejti pritet te dalë me statistika të reja, aktualisht kemi një fluks në mes të 34 per qind dhe 48 per qind të varferisë realtive, dmth njerëzit që jetojnë me 1.5 euro në ditë, kurse varfëria e skajshme me ata që jetojne me 90 cent ne ditë është 12 deri në 14 per qind. Të dhënat ndryshojnë varësisht nga agjencitë e OKB-së dhe janë bërë para regjistrimit të popullsisë më shifra të përafërta. Por, Banka Botërore do të dal me raport të ri në nëntor të këtij viti».

Indikatorë të shumtë të varfërisë në Kosovë

Burimet kryesore-resurset ekzistuese
Sipas koordinatores Sahatciu, arsyet përse Kosova ballafaqohet me shifra të tilla varfërie janë resurset e limituara financiare dhe kriza globale.«Por, jo gjithmonë problemet zgjidhen me të holla. Shumë gjëra të cilat mund t´i bëjmë me burimet ekzistuese financiare dhe natyrore të cilat na afrohen. Pengesat më të mëdha janë ligjet, të cilat edhepse të përpiluara më standardet më të reja evropiane nuk po zbatohen si duhet në nivel lokal. Prandaj ka ngecje në përafrimin e jetës së dinjitetshme për qytetarët e Kosovës ».

Sipas Ministrisë për Punë dhe Mirëqenje Sociale, familjet me nëna kryefamiljare, niveli  i ulët i arsimimit dhe pamundësia e zhvillimit të zonave të thella, janë faktorë të rritjes së varferise. Përderisa, bazuar në zvogëlimin e numrit të familjeve që përfitojnë nga asistenca sociale, ka rënje të varfërisë krahasuar me të kaluarën, pohon për DË-në Behxhet Gaxhiqi, këshilltar në MPMS të Kosovës.   « Në vitin 2008 kemi pas 37,000 familje nën asistencë socialë, ndërsa tash i kemi 32 000, pra 5000 me pak. Kjo ka ndodh pas një verifikimi të saktë nga Qendrar për Punë dhe Mirëqënje Sociale të familjeve të cilat me të vërtet i plotësojnë kriteret ».
Inflacioni në rritje dhe papunësia thellojnë varfërinë
Dissa familje ndihmohen vetem nga njerezit vullnetmire
Inflacioni pothuajse i trefishuar në muajt e fundit dhe shkalla e papunësisë prej 45 per qind në rritje e sipër me 73 per qind tek te rinjte-57 per qind te femrat dhe 41 per qind te meshkujt, thellojnë varfërinë.  Ndërsa, përpjekjet per zvogëlimin e këtyre shifrave, qoftë me donatorë apo me buxhetin e qeverise, vazhdojnë, thotë z.Gaxhiqi. »Me buxhetin e qeverisë por edhe me mbështetjen e donatorëve, si Banka Botërore, Komisioni Evropian, UNDP etj., me projekte për punësim të qëndrueshëm ne po arrisim të zbusim numrin e lartë të papunësisë dhë me këtë edhe të varfërisë, në përpjekje të vazhdueshme për ngritjen e mirëqënjes së qytetarëve  tanë».  

Në vazhdën e përpjekjeve të mobilizimit të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për t’i dhënë fund varfërisë në Kosovë, orgniazata dhe agjenci të ndryshme të Kombeve të Bashkuara, me moton :« Vetëm me zërin dhe veprat tuaja, së bashku mund t’i japim fund varfërisë », për të 7-tën herë shënuan Javën për Luftimin e Varfërisë. Ndërsa, Ekipi i Kombeve të Bashkuara në KosovëP, ndau Çmimin e  Gazetarisë për Varfërinë 2012.
(Visited 3 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *