Kunder vrasjes dhe gjakmarrjes

Vrasjet e gjakmarrjet mbajne ne ngujim qindra familje shqiptare
16 tetor 2012, Dojce Vele, Vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti brenda territorit të Republikës së Kosovës kane ndodh  24 vrasje, pas të cilave mund të pasojë gjakmarrja. Ngritja e vetëdies dhe funksionimi i gjyqsorit , i domosdoshëm.

Dervish Ukaj mban emrin e agjës së vrarë. Familja e tij e fali gjakun pasi u bë burrë. Ndaj sot ai porosit bashkëkombasit e tij për paqe dhe pajtim.
 
“Nuk asht lehtë  mee  fal gjakun…Por, ne e kemi shtri dorën e pajtimit për hir të popullit e të rinisë që të marrim mend e mos të shkaktojmë më gjakderdhje e vëllavrasje në këtë tokë. Prandaj, iu bëj apel të gjithë shqiptarëve kudo që janë që të mos bëjnë vrasje apo gjakmarrje. Dhahtë  Zoti që të gjithë shqiptarët kudo që janë,mos me pas ma konflikte ndërmjet veti”.
 
Në Kosovë 24 vrasje në nëntë muajt e parë të vitit
 
Kryeimami Ssabri efendi Bajgora
Si pasojë e rethanave ekomomike e sociale dhe të mosfunkionimit adekuat të gjyqsorit,  dukuria e vrasjeve në Kosovë është gjithnjë e më në rritje. Sipas Policisë së Kosovës, vetëm në nëntë muajt e parë të këtij viti në Republikën e Kosovës kanë ndodh  24 vrasje: 3 në Prishtinë, 3 në Mitrovicë, 3 në Gjilan, 1 në Ferizaj, 7 në Prizren dhe 7 në Pejë. Motivet më të shpeshta: fajdja, reketi, haraqi, borxhi, pronat në kontest,etj.  Por, cilido të jetë motivi, vrasjet janë në kundërshtim me të gjitha fetë qiellorë dhe islami i dënon ato fuqishëm, thotë kryeimami  i Bashkësisë islame të Kosovës, Sabri Efendi Bajgora.
 
Islami i lufton vrasjet me të gjitha forcat dhe mundësitë që i posedon se kshtu na mëson Kurani famlartë dhe porositë e profetit Muhamed a.s. Prandaj, ne pjesëtarët e bashkësisë fetare islame jemi kundër të gjithë atyre që keqpërdorin fenë për të arritur qëllimet e tyre ekstreme apo të shtyrë nga motive të tjera. Islami përpiqet vazhdimisht të mbjell paqe ndërmjet njerëzve  sepse vet fjala “Islam”don të thotë “Paqe”. Për këtë për shekuj me radhë teologët islam gjatë shtjellimit të qështjes islame, kanë pasur parasysh gjithmonë këtë qështje duke shpjeguar besimtarëve të tyre se vrasja apo gjakmarrja jënë reptsisht të ndaluara”.
 
Tri dioqeza të Shqipërisë-dekret kundër vrasjes dhe gjakmarrjes
 
Edhepse jo në permasat e dikurshme, si motiv vrasjeje nuk perjashtohet as dukuria  e gjakmarrjes. Kjo, sidomos në Shqipërinë e veriut ku një pjesë e popullatës ende është nën ndikimin  e  Kanunit të Lekë Dukagjinit; traditw e cila kërkon që gjaku as mos të falet as mos të humbet por drejtësia të merret në duart e veta, thotë dr.Don Lush Gjergji nga Kisha Katolike e Kosovës sipas të cilit:“Kjo historikisht ka  qënë e shpjegueshme dhe deri diku e kuptueshme, edhepse kurrë e arsyeshme. Por, që të ndodh kjo në shekullin 21 është edhe dobësi, edhe gabim, edhe mëkat, edhe krim”.
 
Don Lush Gjergji nga Kisha Katolike
Pas vrasjeve të shumta në veri të Shqipërissë në emër të gjakmarrjes, Metropolia e Shkodrës, e Sapës dhe Lezhës jo fort larg kanë nënshkruar një dekret me anë të të cilit, të gjithë ata që kryejnë vrasje apo bashkëpunojnë në mënyrë të qëllimshme sidomos në vrasjet për gjakmarrje, ndëshkohen me shkishërim apo ekskomunikim.
 
“Që don të thotë, kush drejtpërsëdrejti apo terthorazi  ndihmon apo vepron kundër jetës së dikujt, ai automatikisht nëpërmjet këtij dekreti shkishërohet dhe në ktë mënyrë përjashtohet nga pjesëmarrja në jetën kishtare, në ritet, ceremonitë e sakrementet dhe nese vdes, nuk do ta ketë një përcjellje apo një varrim të krishterë. Është sigurisht një masë e skajshme , nje prerje, një kirurgji. Por, nëse nuk gjenden mjete të tjera, asht skajshmërisht e domosdoshme për të shpëtuar jetën e njerëzve. Sepse, disa njerëz të cilë t nuk kanë vetëdie njerëzore, personale, familjare, shoqërore, kishtare apo fetare, ata njohin vetëm rregullën e cila ende funksionon: të jesh i perjashtuar dhe i njollosur publikisht,të të mohohen disa të drejta dhe detyra të cilat kanë karakter publik kishtar. Ndoshta do t´i detyrojë këta njerëz të mendojnë për peshën e krimit e cila gjithmonë është vetvrasje, vëllavraje dhe pastaj vrasje. Dhashtë Zoti të funksionojë edhepse ende është heret të themi?”.
 
Mosfunksionimi i gjyqsorit arsye për marrjen e drejtësisë në duar
 
Në  950-të vjetorin e themelimit të Ipeshkvisë së Sapës, para dy javësh , i derguari i Papës, kardinali Santos përkrahu dekretin në emër të Selisë së Shenjt, të Vatikanit dhe të Papës përkrahu dekretin, me anë të të cilit të tri arqipeshkvitë e Kishës Katolike në Shqipëri iu bënë thirrje edhe organeve gjyqsore shtetrore për rreptësi më të madhe në dhënjen e vendimit për vrasjet, sidomos ato në emër të gjakmarrjes, duke kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm.
 
Stop vrasjeve dhe gjakmarrjess(foto DW)
“Krimi nuk është shqiptar apo joshqiptar. Krimi është krim dhe  si i tille duhet të dënohet dhe fatkeqia është mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë në Shqipëri dhe Kosovë. Po ta kishim një shoqëri më të organizuar dhe një gjyqësi më të mirëfillte, mendoj se njerëzit shumë më lehtë do ta delegonin problemin të gjyqsori. Dhe, masa të tilla mund t´na paraqesin si një popull primitiv  i cili në shekullin 21 lufton kundër këtyre dukurive sepse drejtësia e shteteve tona nuk funksionon. Por e them gjithmonë: më e rëndësishmë është jeta. Ndërsa, ne duhet të kemi fuqi të ballafaqohemi me vetveten, me dukurite tona negative dhe atëherë të paraqitemi me fytyren pozitive, sepse dyfytyrësia, paraqitja kinse të mirë, kinse demokrat dhe kinse të lirë nuk na ndihmon fare”,thotë Don Lush Gjergji, i cili shton se megjithëse ndër  katolikët e Kosovës nuk janë shumë të shprehura vrasjet dhe gjakmarrjet,Kisha Katolike në Kosovë do të marr një hap të tillë poashtu,nëse e sheh të nevojshme .
 
BI:”Islami punon në mënyrë të vazhdueshme për paqe dhe pajtim”
 
Bashkesia Islame e Kosovës e mbështet dekretin e nënshkruar nga të tri dioqezat  e Kishës Katolike në Shqipëri dhe e vlerëson si një kontribut për të mirën e kombit dhe të mbarë njerëzimit.Ndersa,sipas kryeimamit Bajgora,  besimi është preventiva më e mirë e dukurive të shëmtuara në shoqëri.
 
“Bashkësia Islame e Kosovës dhe të gjithë imamët e kanë obligim moral, fetar dhe njerëzor që të pajtojnë njerëzit ndërmjet vete. Për këtë funksionojnë kuvendet apo “islihatet” të cilat i kanë pajtuar njerëzit rreth ndonjë gjaku eventual.Kjo vazhdon në mënyrë të vazhdueshmë dhe hoxhallarët janë të parët të cilët në raste të zenkave apo të vrasjeve shkojnë për të pajtuar familjet . Prandaj,ne s´kemi nevojë për një dekret të tillë  sepse kjo rrjedh nga urdhëresat kuranore dhë të atyre të profetit Muhamed a.s.”.
Protestë në Tiranë (20.07.) pas vrasjes së 17 vjeçares
Marie Qukaj dhe gjyshit të saj në Kir të Shkodrës(foto DW)
 Sipas dekretit te shkisherimit, dera e Kishës do t´jetë gjithmonë e hapur për vrasësit apo gjakmarrësit të cilët të goditur nga ndëshkimet, pendohen dhe duke ndryshuar mendësine e vrasjes duan të kthehen në bashkim të plotë me Kishën dhe Zotin duke shfaqur publikisht pendimin, duke ndrequr padrejtësinë e bërë, duke vuajtur dënimin e paraparë me ligj si dhe duke marr faljen nëpërmjet rrëfimit sakramental. 

Leave A Comment

Your email address will not be published.