Rritje e shkurorëzimeve në Kosovë

 Qift i cili u mbajt fort per njeri-tjetrin

15 dhjetor 2011, Dojce Vele,  Numri i shkurorëzimeve në Kosovë është gjithnjë e më në rritje, pa dallim vendi, shtrese apo moshe. Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, brënda vitit shkurorëzohen mijëra qifte.

Ky rrëfim i njëzëshëm ëmë e bir nga Decani, është rasti më ekstrem i shkurorëzimeve në Kosovë, kur  nje  60 vjecare pas 41 vitesh martese nxirret në rrugë nga bashkëshorti me arsyetimin se është dashuruar në tjetër.

“Vallahi  s´po t´njoh as s´po di, vec po t´kallxoj si kur m´ka nda burri jem s´kem pas bukë me hangër. M´i thojke djalit t´hasretit, “As s´ki tokë as s´ki shpi as sen, n´rrugë krejt”,se e ka gruan e fëmijët tjerë. M´ka cu për flokësh me e shly kurorë”, rrëfen L.nga komuna e Decanit.

“Me krejt cka ka pas e ka qit n´rrugë,me 60 vjet  pas 41 vjet martese  dhe tash jeton me gruan tjetër”, plotëson i biri, B.L.

Dhunë ndaj njërit në emër të dashurisë ndaj tjetrit

Dhe, kur në emër të dashurisë ndaj dikujt  ushtrohet dhuna ndaj dikujt tjetër, ndërhyrja e organeve të drejtësisë është e domosdoshme.

Prof Fatmir Qollaku

“M´i ka gjujt teshat prej të shtatit kat n´podurm e prej aty krejt n´rrugë. M´ka lanë n´shi gjithë ditën me fmijë, derisa jemi hy në polici e n´gjyq se e ka gruan tjetër e fëmijën tjerë. Atëherë m´kanë kthy policia e i kanë thanë: “Shpejt ia  ke qit rrobet jashtë edhe më shpejt ke me ia kthy brënda. Ku don me e cu kte, plakë 60 vjet?”-rrefen L.(emri i njohur per redaksinë).

Rritje e vrullshme e kuotës së shkurorëzimeve

Sipas statistikave, dukuria e shkurorëzimeve në Kosovë është rritur dukshëm. Prof.Fatmir Qollaku, sociolog, thotë se kjo vjen si pasojë e problemeve të shumta  të cilat lidhen me ndryshimet e pasluftës në kuptimin psikologjik, social por dhe kulturor.

“Për  faktin se misione të shumta ndërkombtare civile dhe ushtarake, performanca dhe qëndrimi i tyre gjatë komunikimit  me kulturën tonë, punësimi i shumë njerëzve tanë në ato misione dhe faktorët tjerë kanë ndiku qe s´pari të bie autoriteti i burrit në familje, vlerat tradicionale dhe ato morale të zbehen dhe njëkohësisht, punësimi si mundësi objektive kushtimishtka ndikuar në daljen e gruas nga “barrikadimi shtëpiak tradicional”, ka mundësuar që martesa të mos shihet si një lidhje e domosdoshme e cila nuk bën të prishet  por vec si një mundësi e cila në rast se nuk funksionon, ndarja të jetë e pranueshme”.

Kërkohet ngritje e vetëdies dhe përgjegjësisë ndaj institucionit të familjes

Mirëpo, edhepse ka një rritje të vrullshme të kuotës së shkurozimeve në Kosovë, sipas z.Qollaku, ky  nuk është tregues i saktë i relacioneve në mes të bashkëshortëve, familjes dhe shoqërisë në përgjithësi. Dhe, përderisa formë parandaluese do të ishte sensibilizimi i përgjithshëm qytetar,  ngritja e vetëdijes mbi përgjegjësine e bashkëshortëve në jetën martesore si dhe e ndaj fëmijëve, të ketë një qasje më liberale ndaj shkurorëzimit i cili në raste të caktuara mund të jetë hap pozitiv, mendon prof.Qollaku.

“ Shkurorëzimi si një trend ose modë, është një dukuri shumë negative për shoqërinë, viktimë e të cilit në shumë raste janë fëmijët. Mirëpo, në rrethana të caktuara kur s´mund të vazhdohet tutje dhe bashkëshortët të vetdijësohen  për pamundësinë e jetës së përbashkët, shkurëorzimin e konsideroj pozitiv. Se, në rast se bashkëshortët nuk kanë harmoni të mëtejme dhe nuk kanë mundësi të vazhdojnë relacionin e tyrë bashkëshortor, atëherë përse të rrinë domosdoshëm në një relacion të  konservuar  kur mund të  kenë një qasje liberale, përkatësisht mundësinë e  shkëputjes së martesës e cila s´mund të vazhdojë tutje”.

Sipas Entit të Statistikave të Kosovës, vetëm gjatë vitit 2010 në Kosovë janë shkurorëzuar      1 mijë e 453 qifte.

Leave A Comment

Your email address will not be published.