Veriu i Mitrovices nen sovranitetin e kujt?

14 gusht 2011, Dojce Vele,  Tensionet e shkaktuara nga ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, nuk janë asgjë e re për banorët shqiptar të Lagjes së Boshnjakëve. Presionet 12-të vjecare, më se 80 për qind prej këtyre banorëve ua imponuan shitjen e pronave dhe shpërnguljen.

Mërmëritje ndër dhëmbë dhe përgjegje në të ikur, janë ato që merr pas cdo përpjekjeje të hedhësh dritë mbi përditshmërinë e banorëve të Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës. Pa emra, pa fotografi e as pa prononcime, duhej kapur realitetin e kësaj pjese të Kosovës, i cili është edhe më i veshtirë se në dukje.
“Me 2001 kur serbët na hodhen granatën, kush mor masa? Shpiat po shiten…Shqiptarët po shpërngulen…S´kem cka bisedojme oj motër! Se me ia nis me t´shpjegu unë ty, ditë e natë duhet me bisedu. E cka ka prej asaj pune?„, përgjigjet pronari i një qebatoreje në këtë lagje, pa dashur t´ia dijë se heshtja jo gjithmonë është flori.
Heshtja s´është gjithmonë flori…
Lagja e Boshnjakeve ne veri te Mitrovices
Lagja e Boshnjakëve në veri të Mitrovices rreth 100 metra në të djathtë të lumit Ibër, ura e të cilit lidh qyetin e Mitrovices por ndan shtëtin e Kosovës, deri në shpërthimin e luftës ishte e banuar me 10,000 shqiptarë. 12 vjet pas, struktura e kësaj lagjeje ka ndryshuar dhe të rreth 2,000 shqiptarët e mbetur, tashmë janë pakicë mes popullatës serbe të vendosur gjatë dekadës së fundit. Ky ishte edhe qëllimi i politikës së vazhdueshme të qeverisë së Serbisë, e cila nëpërmjet instrumenteve të ndryshëm të krijuar në këtë pjesë të Kosovës ia ka dal të bëj spastrimin etnik, mendon Ahmet Jashari, zëdhënës i komunës së Mitrovicës. „Presione fizike, presione psiqike, meqënse nuk ka javë që nuk ndodhin incidente në atë pjesë. Zakonisht, sulmohen shqiptarët, sulmohen të rinjtë. Andej në vazhdimësi ka hedhje granatash dore ose shkrepje me armë të tjera, në shtëpitë e banorëve shqiptar. Me këtë është kriju një gjëndje jostabile dhe një presion I vazhdueshme I cili ka detyruar banorët ose të zhvendosen nga shtëpitë ose t´i shesin ato“, thotë z.Jashari.
Dhe këtu, përdithshmëria është e rëndë. Megjithëse të ndarë me vetëm një urë nga pjesa tjetër e Kosovës, ata jetojnë si në një botë tjetër, me lëvizje të kufizuar, pa siguri dhe në gjëndje të vështirë ekonomike. “Banorët e këtushëm kryesiht jetojnë me pune krahu dhe nga ndihma sociale, e cila në masë të madhe edhe po iu ndërprehet”, thotë Florent Azemi, përfaqesues i kësaj lagjeje.
Për shqiptarët e veriut liria matane Urës se Ibrit
Por, asnjë fjalë për mungesën e sigurisë. Realiteti në të cilin jetojnë nuk guxuan  ta deklarojnë asnjeri prej tyre. Dhe kjo është logjike për dikë që jeton nën presion 12-të vjecar, pa parë as hapin më të vogël për ndryshime nga përfaqësuesit e shtetit të tyre. Përderisa liria për ta edhe më tej mbetet larg, e paprekshme edhepse aq afër, vetëm matanë Lumit Ibër…
Ne veri vozitet me targa te Serbise apo pa targa
„Jaaa, unë nuk flas se kur të dalim kah ura na bajnë…Këtu jetojmë me serb të armatosur, me njerëz të MUP-it(Ministria e Puneve të Brendshme e Serbisë), thotë njeri, duke lëshuar trupin si i rrahur.
“Jo, more s´po flas se kur po hajna dajak s´po vjen kurrkush me na pa”, ia prêt tjetri.
 “Serbët folin se I mbron Serbia, a neve s´na mbron kurrkush“, thonë të gjithë njëzëri.
Ndërsa, për nivelin e bashkëjetesës në kushtet aktuale, Florenti përgjigjet:“Ne me banorët vendës, fqinjtë serb, nuk kemi pasur raporte t´kqija. Problem gjithmonë kanë qënë ardhacakët, të cilët kanë ardhur s´di prej kah dhe janë vendosur në objektet e ndërtuara. Ne nuk i njohim ata dhe kjo për ne është shqetësuese“.
Presionet shkaktuan shpernguljen masive të shqiptarëve nga veriu i Mitrovicës
Sidoqoftë, presione të tilla shkaktuan shpërnguljen e mbi 80 per qind të banorëve të Lagjes së Boshnjakëve. Ndërsa, qëndrimi larg i institucioneve shtetrore një arsye më shumë, thotë Florenti.
„Shteti ynë nuk ka pas dorë ktu, prandaj popullata është demoralizuar dhe ka filluar me shitjen e pronave. Por, pavarësisht kësaj, ne kemi një të drejt fetare, morale, trashëgimore dhe si të rritur nën doktrinën e Kanunit, konsiderojmë se shitjet e pronave kanë qënë të dëmshme për neve”, shpjegon Florenti, duke pohuar se pronat iu jane shitur serbve të ardhur apo qeverisë së Serbisë, megjithese jo me shuma marramendëse sic besohet.
“Ajo dihet haptas se kujt ja kanë shit. Qeverisë së Serbisë! Është spekulu se kanë marrë shuma të mëdha, por unë mendoj se ato shuma nuk kanë qënë aq marramendëse. Te gjitha ato familje të cilat i kanë shit pronat, nuk kanë mund me e gjet veten ne pjesë të tjera”, thotë Florenti.
Serbet,blerje pronash dhe rrokaqijej-Shqiptarët, shitje pronash dhe shpërngulje
Cka (s)po ben qeveria e Kosoves per veriun e Kosoves?
Sipas z.Jashari, shitjes së pronave të shqiptarëve të veriut i ka paraprirë edhe politika e njëanshme ndërkombtare. „Në pjesën e veriut, pjesa më e madhe e ekzekutivit përbëhej nga UNMIK-u të cilët kanë bërë një politikë shumë të njëanshme dhe diskriminuese për shqiptarët. Këtu, si dëhsmi mund të përmend faktin se serbve ju lejohej ndërtim i objekteve shumëkatëshe në proant e shqitparëve, përderisa shqiptarëve nuk ju lejohej ndërtimi i shtëpive të djegura dhe të rrënuara nga lufta“.
Në dy vitet e fundit, komuna e Mitrovicës e përkahur nga pushteti qëndror ka ndërtuar mbi 100 shtëpi, përfshirë këtu edhe Lagjen e Boshnjakëve, Lagjen e Doktoreve dhe Kroin e Vitakut, në veri të Mitrovicës. Këtu ka familje të cilat pas dhjetë vjetësh janë kthyer në vatrat e veta. Investime janë bërë edhe në infrastrukturë rrugore, për të lehtësuar jetën e disa fshatrave tashmë në kuadër të komunës së Zvecanit si: Boletini, Zhazha dhe Kelmendi si dhe në fshatin Vidishiq, në veri të Mitrovicës.
Shqiptarët e veriut duan ndërtimin e një shoqërie demokratike
Por, zhvillimet e fundit në veri kanë rënduar edhe më shumë jetën e shqiptarëve të veriut. E përkunder të gjithave, serish vullnet për bashkëjetesë.
Lumi Iber-Pika ndarese jug dhe veri

„Tensionet janë të vazhdueshme. Mirëpo, në asnjë mënyrë ne nuk thërrasim në urrejtje ndërnacionale dhe dhunë ndëretnike, sepse ne jemi për qetësi dhe paqe dhe do t´gjejmë mënyra për t´bashkejetu dhe për t´qënë një shoqëri demokratike dhe bashkëkohore sic është në gjithë Evropen. Ne jemi për bashkëjetesë dhe ne kem besim të KFOR-i, Policia e Kosovës dhe instituconet tona“.

Përderisa, zëdhënësi Jasahri thotë se komuna e Mitrovicës do të qëndrojë pranë banorëve të vet. „Ne vazhdimisht e vecanërisht gjatë kësaj kohe, kemi qënë dhe mbetemi me ta. Përkundër rrethnave e shoëerore ne do t´vazhdojmë t´i mbështesim në cdo moment dhe në cdo situatë, dhe ata në asnjë moment nuk duhet të ndjehen të braktisur.
Sipas statistikave, Mitrovica dikur i kishte rreth 100 mijë banorë, përfshirë edhe Zveqanin i cili tash vepron si komune më vete. Duke pasur parasysh se pjesa dërmuese e shqiptarëve të veriut janë tërhequr në jug, qoftë me blerje pronash qoftë me qira, sipas regjistrimit të fundit vetëm në këtë pjesë të qytetit numri i banorëve sillet rreth 80 mijë.
http://www.dw-world.de/dw/0,,609,00.html?id=609

Leave A Comment

Your email address will not be published.