Manastiri i Decanit

11 korrik 2011, Dojce VeleMe ndërrimin e strukturave brënda Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, kjo bashkësi fetare duket se po hap një faqe të re në marrëdhëniet me institucionet e Kosovës dhe shoqërinë në të cilën jeton.

U deshën 12-të vjet që Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë të jap sinjalin e parë të hapjes ndaj institucioneve të Kosovës për hir të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë. Këtë faqe të re e hapi vizita e parë zyrtare e peshkopit të ri të Rashkes dhe të Prizrenit, Teodosije së bashku me igumanin të Manastirit të Decanit, Sava Janjiq në komunën e Decanit.
„Kisha, sic edhe I takon, gjithmonë ka qënë e hapur për shoqërinë në të cilën jeton. Ne kemi pasur kontakte me komunen edhe më parë dhe vazhdimisht tek ne kanë ardhur përfaqësues të institucioneve të Kosovës. Ka kaluar mjaft kohë nga ngjarjet e luftës, është ndërtuar një mirëbesim dhe unë jam I lumtur që vërtet ekziston vullneti i mire dhe gatishmëria nga të dyja palët dhe shpresojmë që këto marrëdhënie të zhvillohen tutje. Ne si manastir respektojmë zakonet, vlerat dhe rregullat dhe jemi gjithmonë të hapur për komunën tonë, për njerëzit që jetojnë këtu, sepse ne i përkasim kësaj komune dhe dëshirojmë që popullata e këtushme Manastirin e Decanit ta shohin si të vetin“, thotë për Dojce Vele-n, igumani i Manastirit të Decanit, Sava Janjiq.
Peshkopi Teodosije dhe Igumeni
Janjiq u priten nga Kryetari Selmanaj
Selmanaj:”Ka ardhe koha per ndryshime”
Kryetari I Komunës së Decanit Rasim Selmanaj, thotë se do të vazhdoj të luaj rolin që I përket si kryetar I komunës në ndërtimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve.
„Manastiri është objekt fetar në komunen e Decanit dhe ne si të tillë e respektojmë dhe e ruajmë. Mirëpo, mendoj se ka ardhë koha për ndryshime që do duhej të ndodhnin para shumë vitesh dhe Manastiri I Decanit të jetë shtytje e zhvillimit ekonomik apo thënë më ndryshe, ndihmesë e hapjes së rrugës së zhvillimit të turizmit në komunën e Decanit, konkretisht për projektin tonë prioritar, rruga Decan-Plavë”.
Një meritë e vecantë në sanimin e marrëdhenieve komunë-manastir ka ambasadori novergjez Swerre Johan Kvale, i cili në permbyllje të misionit të tij në Kosove ishte pjesë e vizitës së parë të përfaqësuesve të kishës ortodokse në institucionet e Kosovës, gjegjsisht në komunën e Decanit.
Ambasadori Kvale(ne mes): “Kam nderin
te jem mik i Komunes dhe Manastirit”
“Dhe kjo nuk ishte aspak e vështirë, sepse ekzistonte vullneti i mirë nga të dyja anët dhe unë jam krenar që jam mik i të dyja palëve. Mua kjo më bën shumë të lumtur sepse e shoh se ajo për të cilën kemi punuar një kohë të gjatë po ndodh para nesh, gjë e cila është shumë e mirë“, mendon z. Kvale, I cili jo fort larg u shpall edhe Qytetar Nderi I Decanit.
Janjiq:”Ardhja e peshkopit Teodosije sjell ndryshime pozitive KOS”
Vizita e para dy javësh në Komunën e Decanit shënon edhe daljen e parë zyrtare të përfaqësuesve të Manastirit të Decanit në komunën e tyre, por edhe daljen e parë zyrtare të përfaqësuesve të Kishës Ortodoksë të Kosovës. Dhe mbyllja në vete për 12-të vjet u bë për shumë arsye, thotë igumeni i  Manastirit të Decanit, Sava Janjiq, i cili megjithëse përmend se sulmet e disa individëve ndaj Manastirit kanë ndikuar në pasigurinë e murgjve të Manastirit ai shreh bindjen poashtu se prapa tyre nuk qëndron popullata e këtushme e cila këtë manastir ruajti me shekuj.
Peshkopi Teodosije dhe Igumeni
Janjiq pas vizites ne komunen e Decanit

„Ndërsa ndër pengesat kryesore të mbylljes sonë ka qënë qëndrimi i peshkopit tonë të mëparshëm Artemije, i cili praktikisht ka dalë nga Kisha Ortodkse Serbe dhe ka formuar një sekt në vete. Me ardhjen e Peshkopit të tanishëm Teodosije, njeri i matur dhe konstruktiv bashkëpunimi i dioqezës sonë me Bashkësinë Islame dhe Kishën Katolike është përmirësuar dukshëm sikurse edhe hapja jonë ndaj shoqërisë në të cilën jetojmë. Tashmë kemi hyrë në një periudhë kur pavarësisht statusit, vërtet dëshirojmë të dëshmojmë se Kisha Ortodokse e Kosovës do të jetë një pjesë e mirë dhe konstruktive e kësaj shoqërie, me shpresën se rolin tonë do ta njohin edhe të tjeret, do t´na ndihmojnë dhe do t´na respektojnë„, thotë për Dojce Vele-n igumani i Manastirit, Sava Janjiq.

Qytetarët kujtojnë rrjedhën e ngjarjeve gjatë 12-të viteve
Pavarësisht e kujt është përgjegjësia për 12-të vjetët e ikura, decanasit ende kujtojnë hendikepin e vazhdueshëm si pasoje e politizimit të cdo lëvizjeje përgjatë zonës ku shtrihet manastiri, sidomos pas shpalljes së Zones së Vecantë, me 2005.
Restorani Gryka ne Zonen e Vecante

„Për një terrasë të drunjtë verore në kuadër të restoranit kam pas presion nga Zyra Amerikane, nga Komuna e Decanit, se Manastiri nëpërmjet UNMIK-ut ushtronte ndikimin e vet. “Është problem politik edhe duhet të hiqet”, më thoshin dhe ma rrënuan. Në të njëjtën kohë, mbi 16-të cisterna beton kanë shku në manastir prej akshamit deri n´gjysmë të natës. Ai n´tokë t´vet në Zonën e Vecante-unë n´tokë timen, n´Zonë t`vecante. Por, ai kishte të drejtë e une s´kisha të drejt!“, rrëfen Naim Kuqi, pronar i objektit të vetëm hotelier “Gryka e Decanit”, brënda Zonës së Vecantë, të cilit me 2007 iu rrënua terrasa verore në kuadër të restoranit.

Sipas Zymer Ukajt nga Lumbardhi, nga ky institucon fetar kanë dale vendime të shumta politike në dëm të popullatës shumicë: „Ai edhepse është tempull fetar, për fatin tonë të keq, kishat sllave gjithmonë kanë diktu politikën në dëm të qytetarëve, sidomos n´Decan. Na kanë kriju probleme të shumta edhe pas luftës. Edhepse e kemi fitu lirinë, na është pengu lëvizja e lirë dhe bukuritë natyrore që na i ka fal Zoti për shkak të pengesave që i ka shfaq kisha s´kem mujt me i shiju. Kisha është dashtë të hapet edhe më parë, sidomos Kisha e Decanit se edhepse kemi përjetu shumëcka, as nga ne, as nga parardhësit tanë kurrë s´ka qënë e rrezikuar„.
Qendra e Decanit

Komuna dhe Manastiri premtojnë projekte të përbashkëta 

Nisur nga raste të tilla, në Kosovë dominon bindja se Manasitiri i Decanit është shndërruar në pengesë për zhvillimin e komunës së Decanit. „Përkundrazi, Manastiri i Decanit përfaqëson njërin ndër burimet më të rëndësishme të kësaj komune-beson igumeni Janjiq-  Dhe ai gjithsesi do të jetë burim i zhvillimit ekonomik të kësaj hapësire, sepse falë këtij monumenti fetar vinë njerëz nga mbarë bota e të tjerë mësojnë ku është Decani. Njëri treguesit më të qartë se Manasitiri nuk është pengesë për zhvillimin ekonomik të komunës është investimi që vie së shpejit në hidrocentrale me instalime nëntokësore në këtë zonë  nga kompania austriake KELKOS. Ky është njeri ndër investimet më kapitale në Kosovën e pasluftës, i cili do të ndikojë në zhvillimin e komunës së Decanit dhe në përmirësimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës, në përgjithësi“.
Selmanaj:”Kemi krijuar klimë bashkepunimi

Sido që të jetë, popullata e këtij rajoni Manastirin e Decanit e konsideron pjesë të veten dhe vizita e përfaqësuesve të tij ishte e natyrshme. Ata duan të besojnë se mosmarrëveshjet kanë ngel në të kaluarën dhe me hapjen e një faqeje të re, Komuna dhe Manastiri bashkarisht do të trasojnë rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë për të gjithë.

Hapa të përbashkët drejt një të ardhmeje më të mirë
Peshkopi i ri i Rashkës dhe i Prizrenit, Teodosije, gjatë vizitës se tij të parë zyrtare në institucionet e Kosovës premtoi publikisht mbështetjen e tij. “Ne jetojmë në këto hapësira dhe është e rëndësishme të kemi një respekt të ndërsjellë. Cdo gjë që do të jetë në të mirë të kësaj komune, popullatës dhe nuk e rrezikon direkt Manastirin, identitietin, paqen dhe trashëgiminë e tij shekullore, besoni se do të jemi të hapur ta ofrojmë për mirëqënjen e këtij populli”, premtoi peshkopi Teodosije gjatë vizitës në komunën e Decanit.
Igumeni Janjiq paralajmeron projekte
te perbashketa me komunen

Projekte të përbashkëta tashmë janë paralajmëruar. Turizmi, si arterje kryesore e zhvillimit është synim i të dyja palëve, ndërsa projekti kapital i rrugës Decan-Plavë ende kërkon alternativa të përbashkëta dhe fonde.

„Fillimisht ne kemi kriju një klimë të mirë për projekte të përbashkëta dhe presim donacione nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe ato ndërkombtare. Siguria është e plotë, qytetarët janë të vetdishëm realitetit dhe unë besoj së së shpejti  përfaqësuesit e manastirit si qytetarë të këtij vendi, do të dalin, të ecin lirshëm dhe të jetojnë jetën normalisht si gjithë të tjerët„, thotë kryetari i Komunës së Decanit, Rasim Selmanaj.
Sfida e radhës Komunë-Manastir në Gjykatën Supreme të Kosovës

Ndërsa, sipas igumenit të Manastirit të Decanit Sava Janjiq:
„Komuna e Decanit ka vrtet një perspektivë të madhe. Falë territorit domethënës me trashëgimi natyore dhe kulturore, si Manastiri I Decanit, kullat, pyjet e lumënjtë, numri i vizitorëve do të shtohet përditë. Prandaj, është e rëndësishme që të gjithë të përgatitemi për atë periudhë në të cilën do të punojmë së bashku në zvillimin e turizmit dhe t´iu dëshmojmë të gjithëve se ne bashkarisht dimë të përkujdesemi dhe t´i ruajmë thesaret tona. Nëpërmjet valëve të DW-së unë përshendes fqinjtë tanë, banorët e Decanit me dëshirat më të mira që kjo komunë të përparojë dhe të gjithë të jetojmë në paqe dhe në shëndet sic duhet dhe sic kemi jetuar gjithmonë”.
Hoteli Iliria(ish Visoki Decan),
prone ne kontest Komune-Manastir
Ky eshte takimi i pare i perfaqesuesve te Komunes se Decanit me ata te Kishes Ortodokse Serbe, ine krye te se ciles deri me tani ishte peshkopi Artemije. Me ndryshimin e krereve te ketij institucioni ndjehet nje fryme e re bashkepunimi ne te dyja palet, ndonese sfidë mbeten mbi 20-të hektarë tokë te dy ndermarrjeve shoqerore mbeten kontest gjyqsor, lënda e të cilave aktualisht gjendet në Dhomën e Vecantë të Gjykatës Supreme të Kosovës.

 

Leave A Comment

Your email address will not be published.