Fati i disa te pagjeturve te Kosoves nuk do t´zbardhet kurre

Fotografite e te pagjeturve para Kuvendit te Kosoves

27 prill 2011, Dojce Vele, Në Kosovë janë mbi 1,800 persona të pagjetur, për fatin e të cilwve nuk dihet asgjë. Qindra mbetje mortore vazhdojnë të mbesin në Morgun e Prishtinës, për të varrosurit pa analiza të ADN-së dyshohet për identifikime të gabuara, përderisa dyshimi i përdorimit të furrnaltave për djegjen e trupave jep të kuptojë se fati i disa prej tyre nuk do t´zbardhet kurrë.

Sabit Vishajt nga fshati Beleg, nga forcat serbe iu vranë nëntë anëtarë të familjes, gjashtë prej të cilëve rezultojnë të pagjetur.

„Axhallarët dhe djemt e axhës, prej moshës 3 deri në 60-70 vjecare m´janë vra në Masakrën e Belegut. Tre prej tyre janë gjetur, kurse gjashtë të tjerë ende figurojnë të zhdukur. I kemi dhëne të gjitha informatat që na janë kërkuar. Edhe mostrat e ADN-së i kemi dhënë. Kemi bashkëpunu me institucionet vendore, me EULEKS-in vetëm të zbardhet fati I tyre. Por, pa rezultat…“.

Identifikime të gabuara dhe djegje te trupave ne furrnalta?!

Viktimat e Masakres se Belegut

Mirëpo, ky bashkëpunim jo i lehtë për familjet e të pagjeturve, nuk haset përherë. Djegja e mbetjeve mortore, vështirëson procesin e identifikimit. Ndërsa, dr.Arsim Gergjaliu, ekspert për Mjekësi Ligjore në Prishtinë, për të varrosurit menjëherë pas luftës pa analiza të ADN-së, ngreh dyshimin për identifikime të gabuara. “Është punu me metoda klasike dhe zakonsiht Tribunali I Hagës ka marrë një activist të fshatit dhe vetëm ai ka pas qasje aty. Ndërsa, në momentin kur i kanë hap, kufomat kanë qënë edhe të kalbëzuara. Kështu që, shumica prej tyre jane varros, mos të them edhe me hamendje, që më vonë ka rezultuar se janë krejt gabim…Ndërkohe jan ndërtu shumë përmendore të shtrejta. Por, shumica prej tyre le te jenë të vetdishëm se aty mund të mos I kenë të afërmit e vet. Sepse, ata 2000 njerëz janë varros pa kurrfarë analize të ADN-së, pa kurrfarë autopsie ligjore dhe në një test që kemi ba në komunën e Mitrovicës, prej 12 rasteve që i kemi hap, katër kanë dalë gabim“, thotë dr.Gërgjaliu.



Ndërsa dyshimi i përdorimit të furrnaltave për djegjen e trupave jep të kuptosh se enigma e fatit të disa të pagjeturve nuk do të zbardhet kurrë, thotë z.Prenk Gjetaj, kryetar i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur në Kosovë, sipas të cilit, termi “i zhdukur” duhet pasur parasysh me arsye: „Sepse, dyshojmë se janë përdor furrnaltat, duke fillu prej Ferronikelit në Drenas, në Trepqë, në Maqkaticë, madje ka zëra dhe informacione se edhe Kollubara është përdor. Sepse, njerëzit janë vra ose kidnapu edhe janë percjell me kamion, sic ka ndodh rasti ne liqenin e Peruqacit, pastaj në Batajnicë…Dhe, në raste të tilla sigurisht se s´mund të kërkojmë gjurmë dhe mund të flasim për të zhdukur“.

Kosova ende nuk ka Ligj për të Pagjeturit

Instituti i Mjeksise Ligjore,Prishtine

Në Kosovën me halle shumë, problemi i të pagjeturve po mbetet gjithnjë e më në hije dhe mundësia për të qetësuar shpirtrat e familjarëve po zbehet perdite, thote Haki Kasumi, kryetar I Këshillit Koordinues të Asosciacioneve për Persona të Pagjetur.


„Gjendja e familjarëve të cilët tash 12 vite jetojnë në ankth është më e rëndë se e cdo qytetari tjetër. Këta familjarë, në shekullin e 21, të presin 12 vjet për një informatë që është e drejtë elementare njerëzore, është padrejtësia më e madhe. Zhdukja e njerëzve është një prej krimeve ma t´rënda kundër njerëzimit!, thotë z.Kasumi, sipas të cilit, kërkesa 11 vjecare që istitucionet vendore të shërbehen me një listë të konsoliduar të cilën mekanizmat ndërkombtarë në Kosove e kanë, nuk është perfillur. Ndërsa, kërkesa për Ligjin për të Pagjeturit, ka has në vesh të shurdhër. “Kosova ka nevojë për një ligj për të zhdukurit. Qe 11-të vjet ne përsërisim kërkesën e njejtë dhe ai shtyhet e prolongohet. Ky ligj na ka pru shpirtin te goja. Ju lutem, a ka ujë që e lan? Gjyqi I historisë ne do t´na gjykojë rëndë!”
Homazhe te varrezat e te vrareve


Sa është e përgatitur Kosova të dëshmojë krimet e Serbisë?

Ndërkaq, problemi i të pagjeturve në tavolinën e bisedimeve Kosove-Serbi, është një brengë tjetër e shoqatave për persona të pagjetur.

“Sa qeveria jonë është duke punu dhe sa është e përgatitur që nesër të ballafaqohet me grupin dialogues të Beogradit, forcat e të cilit e kanë ba krimin. Këtë e din krejt bota! Por duhet dëshmuar dhe duhet sjellur njerëz dhe fakte të cilat argumentojnë atë krim”.

Në këtë rrugëtim shumevjecar është identifikimi i mbi 400 mbetjeve mortore në Morgun e Prishtinës.

„Ne nuk kemi qasje të mjaftueshme. Mirëpo, sipas informatave që i kemi, numri i mbetjeve mortore të kompletuara dhe të pakompletuara në Morgun e Prishtinës është rreth 400. Ka edhe të dëmtuara deri në atë shkallë, sa nuk japin mundësi për analizën e ADN-së“, thotë z.Gjetaj.

Vetëm 10 raste të proceduara nga gjykatat e Kosovës

A.Gergjaliu,ekspert i mjeksise ligjore

Mirëpo, për këto krime në gjykatat e Kosovës janë proceduar vetëm 10 raste-thotë Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare-Zyra në Prishtinë.


„12 vjet kanë kalu prej krimeve masive nga forcat serbe në Kosovë. Por, edhepse ne i kemi evidentu me emër dhe me mbiemër dhe me rrethanat e vrasjeve dhe zhdukjeve të 13 mijë e 300 personave në Kosovë, gjyqsori i Kosovës deri më tani i ka proceduar dhe jane dënuar me dënim të prerë, vetëm dhjetë raste”.

Se hulumtimi i varrezave të reja është një sfidë tjetër për Kosovën këtë e kupton më së miri dr.Gërgjaliu, i cili flet nga përvoja:

“Sa I përket gjetjes dhe hapjes së varrezave, ka pas kamuflime nga pala serbe, si levizje të njerëzve, krijime të varrezave dhe mbi të kanë hedhur mbeturina të veturave të vjetra. Ndërsa, ka edhe eshtra të njerëzve që kanë rënë në përiudha të tjera”.

EULEX premton mbështetje në zbardhjen e fatit të të pagjeturve

Kerkojne gjykimin e krimineleve te vertet



Prej fillimit të bashkëpunimit EULEKS-Ministri e Drejtesisë, jane gjetur dhe identifikuar mbi 200 persona, me të fundit prejt e cilëve ishin 18 anëtarë të familjes Krasniqi nga Malisheva. Të martën(26 prill)Zëvendësshefi i EULEX-it Andy Sparks, në një komunikatë për media lëshuar me rastin e Ditës Kombtare të të Pagjeturve, premtoi mbështetjen e mëtutjeshme të të gjithë mekanizmave në Kosovë për të zbardhur fatin e mbi 1800 personave të pagjetur.  Përderisa, familjari i të pagjeturve Sabit Zukaj, bën thirrje tek të gjithë mekanizmat relevante për më shumë angazhim në zbardhjen e fatit të të dashurve të tyre:


„Ju kisha lut sidomos këtyre prijësve tanë që punojnë për shtet të cilët janë ulur mbi gjakun e tyre, të mos harrojnë për asnjë cast se ku janë tw ulur…”.
(Visited 2 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *