Kosova,strehë azilkërkuesish apo tranzit drejt Evropës?

24 janar 2011, Dojce Vele, Në 12-të mujorin e fundit, rreth 300 persona nga shtetet e lindjes kanë parashtruar kërkesën për azil në Kosovë. Kosova nuk ka kapacitete as buxhet për strehimin e azilkërkuesve, ndërsa lëvizjet e vazhdueshme të emigrantëve tregojnë se destinacioni I tyre është Evropa.  

 

 Tashmë, kur familja 12-të anëtareshe i është e shkapërderdhur nëpër botë si pasojë e konflikteve ndërfetare, në veri të Nigerisë, edhe Q.E., pas 30 vjetësh detyrohet të braktis atdheun e tij. Por, megjithëse vrraga nën sy ia kujton konfliktet muslimano-krishtere në vendlindjen e tij, atë nuk e trishton fakti se është strehuar në Kosovën e banuar me shumicë dërmuese nga popullata muslimane.

 „Feja nuk ka rëndësi, por fakti se kush sa është i arsyeshëm? Psh., trajtimi që na kanë bërë në kufirin e Serbisë ishte mjaft fyes. Ishim katër veta dhe pasi na futën në një dhomë, na zhveshën të gjithëve lakuriq, ndërsa njerin që kundërshtoi e rrahën keq. Unë kam parë edhe të tjerë me shenja të maviosura në koke e në sy, nga keqtrajtimi që ju është bërë. Ndërsa, me të hyrë në Kosovë, na ofruan shërbime shëndetsore.Pra, ky është dallimi!“, thotë emigranti nigerian i cili dashamirësinë ndaj Kosovës shpreh edhe me mësimin e gjuhës shqipe.„Po mesoj, pak“!

Pas fluturimit me aerpolan deri ne Stamboll dhe me autobus nëpërmjet territorit të Serbisë, ai gjen strehë në Qendrën e Azilit, në Prishtinë. Ndërsa, përpjekjet për ikje ilegale drejt shteteve të Bashkimit Evropian, i arsyeton si “një promenadë sa për të njohur qytetet përtej kufijve të Kosovës. Jo, jo, jo…Nuk desha të ik!“

Stacion i azilkerkuesve Kosova-Cak perfundimtar Evropa

Ndërkohë që E.A., 26 vjecar palestinez, i vendosur qe disa ditë në Qendrën për Azilkerkues në Prishtinë, deklarohet haptas se destinacioni i tij përfundimtar janë vendet e BE-së.

“Kam ardhë në Kosovë nëpërmjet Maqedonisë. Në Kosovë do të qëndroj 15 ditë dhe me t´më arritur paratë nga vëllai e shokët, do të shkoj në Francë“, thotë azilkërkuesi palestinez i cili pavetdishëm dëshmon ekzistencën e një rrjeti rajonal për trafikim me qenie njerëzore. Përderisa, pjesa tjetër e rrëfimit i tij është edhe me cuditshëm:


„Ishim 13 veta nga Palestina, Somalia, Tunizia, Shrilanka dhe Afganistani dhe shkuam në Hungari. Hungaria na dëboi në Serbi, ndërsa policia e Serbisë na i mori paratë dhe na deportoi në kufi me Maqedoninë, në një mal, larg policisë kufitare dhe na thanë: „Ja, matanë është Maqedonia? Shkoni, pra. Prej këtu jeni të lirë!“ U futëm ilegalisht dhe pasi fjetëm 12 netë në një gjami, erdhëm në kufirin e Kosovës. Policia e Kosovës na ktheu prapa. Por ne u futëm serish ilegalisht dhe kerkuam azil vetëm përkohsisht, sepse pas 15 ditesh do të udhëtoj për në Francë“, flet palestinezi aq i sigurt sikur rruga e tij të ishte krejt e hapur.

Kosova nuk ka kapacitete për pranimin e azilkërkuesve

Se destinacion i azilkërkuesve nuk është Kosova, Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Emigracion në Prishtinë është i vetdishëm,

thotë Islam Caka, drejtor, sipas të cilit vetëm gjatë vitit 2010 në Kosovë ka pas 267 kërkesa për azil.

“Ne jemi mundu me e stopu, mos të shndërrohemi në një vend për tranziti sikurse shtetet e rajonit, konkretisht Greqia, Maqedonia dhe Serbia, por kemi bërë përpjekje të bëjmë identifikimin e gjithë këtyre njerëzve dhe akomodimin, edhepse kjo na kushton shumë si qeveri. Se, secili shtet në rast të tillë ban një kthim të mjeteve, a ne përkudnrazi, e përballojmë me një buxhet që ne e dimë sa është…

Por, pavarësisht angazhimeve tona, azilkërkuesit bëjnë përpjekje të vazhdueshme për të gjetur rrugë për ikje nga Kosova, sepse destinacioni përfundimtar është Evropa“,thotë drejtori Caka.

Lëvizje të vazhdueshme emigrantësh

Për ardhje-vajtjet e vazhdueshme të azilkërkuesve flet edhe drejtoresha e Qendrës për Azilkërkuesit në Prishtine, Sabrie Rashani-Koci: „Po, kemi pas largime dhe ardhje të reja, vazhdimisht. Kjo nënkupton se interesimi i tyre nuk është për qëndrim në Kosovë. Por, ne I trajtojmë rastet ashtu si na vinë,sepse mandati i qendrës është që t´iu ofroje strehim, shërbime dhe t´ua plotësojë të gjitha të drejtat konform Ligjit mbi Azil dhe udhëzimeve administrativë“, thotë drejtoresha Hashani-Koci.

Aktualisht, brenda territorit të Kosovës janë 86 azilkërkues, 23 prej të cilëve janë strehuar në Qendrën për Azilkërkues, ndërsa pjesa tjetër në një hotel të kontraktuar nga Ministria e Punëve të Brendshme-thotë drejtori Caka, i cili tërheq vëmendjen se një dyndje e re e emigrantëve kah Kosova, do të ishte e papërballueshme për buxhetin e saj të varfër. “Se, përpjekja e Greqisë për nxjerrjen e azilkërkuesve jashtë, rritja e numrit të azilkërkuesve automatikisht është reflektuar edhe në Kosovë. Bëj thirrje që Kosovës t´I happen mundësitë në ingranimin e mekanizmave ndërkombtar”. 

Qendra për Azilkërkues në Prishtinë ka kapacitet për pranimin e 23 personave. Por, ndryshim të madh nuk do të sjell as objekti për 50 persona I cili po ndërtohet me mjetet e Bashkimit Evropian, sepse numri I azilkërkuesve në Kosovë është gjithnjë e më në rritje.

Leave A Comment

Your email address will not be published.