Date Archives December 2010

Komisioni Rajonal për Krimet e Luftërave të ish-Jugosllavisë

 30 dhjetor 2010, Dojce Vele, Këshilli Rajonal pas mbledhjes së 1 milionë nënshkrimeve do të kërkojë nga parlamentet e rajonit themelimin e Komisionit i cili do të punonte në zbulimin dhe publikimin e  fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në territorin e ish Jugosllavisë

Nisma për themelimin e Komisionit Rajonal për ndriqimin dhe publikimin e fakteve për Krimet e Luftës dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në territorin e ish Jugosllavisë (KOMRA), ka filluar nga tri OJQ: nga Bosnjë-Hercegovina, Kroacia dheSerbia, të cilave ndërkohë iu kanë bashkangjitur mbi 1000 organizata dhe individë të profileve të ndryshme nga të gjitha shtetet e rajonit. Prej vitit 2006, kësaj nisme i janë bashkangjitur edhe organizata të shumta nga Kosova, 16-të prej të cilave vetëm nga Rajoni i Pejës. Ndër to është edhe OJQ “Syri i Vizionit”. Drejtori i saj Veton Mujaj, është njëri ndër anëtarët e Këshillit Qendror Rajonal për themelimin e KOMRA-s.
Komisioni i së vërtetës
“Ideja kryesore ka qënë zbardhja e fakteve të luftës në ish-Jugosllavi. Mirëpo, kjo nismë ka evaluuar gradualisht dhe është kthyer në idenë për themelimin e një komisioni mbi të vërtetën…I një Komision Rajonal i vendeve të ish Jugosllavisë të cilët do të arrinë t´i zbardhin faktet për krimet dhe gjithë atë që ka ndodh prej vitit 1991 deri në vitin 2001 në luftërat e ish Jugosllavisë, përfshirë këtu edhe Maqedoninë”, thotë drejtori Mujaj.
Fondi për të Drejtën Humanitare ishte ndër tri OJQ-të e para që inicoi këtë projekt. Bekim Blakaj, shef i zyrës në Prishtinë thotë se:„Duke pasur parasysh faktin se organizata jonë në Kosovë deri më tani ka evidentuar me emër dhe mbiemër rreth 14 mijë viktima, të vrarë dhe të zhdukur gjatë viteve ´98-´99  dhe nga ana tjetër, se nuk ka më shumë se dhjetë aktvendime të plotfuqishme për krime lufte në Kosovë, atëherë familjarët nuk janë të kënaqur aspak dhe nismën tonë e shohin si mundësi mundësi për ta sjell drejtësinë në vend. Sepse, në fokus të saj janë viktimat dhe familjet e tyre”.
Vetëm dhjetëra aktvendime për krimet e luftës në Kosovë?
Takimet e rregullta konsultative nëpër shtetet e rajonit, në nivelin lokal, qendror dhe rajonal, kanë për qëllim verifikimin e fakteve mbi krimet e luftës dhe shkeljet e tjera të rënda të të drejtave të njeriut gjatë luftërave në ish-Jugosllavi. Atdhe Berisha, drejtor i organizatës joqeveritare “Kalaja” brënda koalicionit për KOMRA, të cilit forcat serbe ia kanë vrarë 4 anëtarë civilë të familjes dhe nuk është i kënaqur aspak me drejtësinë, thotë se: “Në takimin më të fundit në Prishtinë, në iniciativën për KOMRA kanë marrë pjesë edhe nga komunitete të tjera. Dhe, edhepse ende nuk janë shuar ato ndjenjat e vjetra dhe herë-herë flitet për politikë, arsyeja kryesore e takimeve tona është që politikën ta lëmë anash dhe të fillojmë të mendojmë se si të gjejmë sa më shumë dëshmitarë të cilët do të ndihmonin që kryesit e krimeve të dalin para drejtësisë”.
Kthim dinjiteti dhe qetësim shpirtërash
Meqënse luftërat në territorin e ish-RSFJ-së karakterizohen nga krimet dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut; duke vërejtur se gjykimet në Gjykatën Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi dhe ato në gjykatat tjera nuk përmbushin në masë të duhur nevojën e viktimave për drejtësi si dhe me kundërshtimin e fuqishëm ndaj keqpërdorimit të viktimave për qëllime politike, iniciativa për themelimin e KOMRA-s do të mundësonte shënimin e saktë, zyrtar dhe objektiv për krimet e luftës si dhe pranimin e viktimave dhe vuajtjeve të tyre-thotë z.Mujaj.
“Mandati ose forma se si do të funksionojë komisioni, është përgatitur si dokument dhe së bashku me një milionë nënshkrimet që të mblidhen në muajin mars-prill, në qershor do t´iu dorëzohen secilit prej parlamenteve të vendeve të dala nga ish-Jugosllavia. Pastaj, mbetet detyrë e parlamenteve dhe shtetet të përcaktojnë njerëzit e vet që ky komision të krijohet realisht. Një proces i tillë do të mundësonte gjetjen e kriminelëve të cilët do të burgoseshin dhe do të jepnin fakte mbi atë se ku janë edhe njerëzit e pagjetur. I gjithë ky proces do të ndihmojë shumë jo vetëm në pajtim por edhe në qetësimin e shpirtërave të familjeve të viktimave”.
Histori e re për hir të brezit të ri
Por, ende nuk ka një nismë për shkrimin e historisë më të re 1989-2001 nga historianët e vendeve të dala nga ish Jugosllavia, në mënyrë që brezi i ardhshem të mos ushqehet me informacion të rrejshëm. Një nismë, të cilën Kosova do ta mirëpriste dhe do ta përkrahte-thote prof.dr. Isuf Bajraktari, drejtor i Institutit të Historisë së Kosovës.
“Sic dihet, Kosova nuk ka pasur mundësi të ndërmarrë një iniciativë të tillë dhe as nuk do të arrinte të gjente mirëkuptimin e vendeve të tjera të rajonit. Por, ne do ta mirëprisnim një iniciativë të tillë prej ngado që do të vinte, sepse për neve  do të ishte me interes për arsye se Kosova në këtë project do të kishte një hise të konsiderueshme”.
Shpërbërja e mozaikut të RSFJ-së me gjashtë republika socialiste dhe dy krahina autonome, filloi me 1989, me heqjen e autonomisë së Kosovës. Konfliktet e armatosura në Slloveni dhe Kroaci me 1991, të cilat do të shtrihen nëpër republikat e tjera dhe do të vazhdojnë deri me 2001, shëonojnë fillimin e shkëputjeve të përgjakshme të vendeve nga kjo federatë-socialiste e cila do të lere pas vetes qindra-mijëra viktima.

Vetem 10 aktvendime per krimet e forcave serbe ne Kosove

 5 janar 2011, Radio Kosova, Pwr të mijëra viktimat e vrara, të masakruara dhe të humbura në Kosovë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë, nuk ka më shumë se dhjetë aktvendime të plotfuqishme për krime lufte në Kosovë. 

 Banorët e fshatit Qallapek, reth 17 kilometra në juglindje të Pejes, ende kujtojnë tmerrin e 28 marsit të vitit 1999, kur mllefi nga bombardimet e NATO-s mbi caqet serbe do të shfryhej mbi popullatën civile. Atdhe Gashi, i cili kishte mbaruar studimet për agjent tregtar në Gjermani dhe atëbotë po punonte në Mynih të Bavarisë, rrëfen për fatin e familjes së tij. 


“Te familja jonë, sulmi nga forcat serbe ka ardhë I paparalajmëruar. Pasi që kane djeg shtepitë dhe kanë has në rezistencë të babës dhe të axhës, sipas të gjitha gjasave, pas dy orësh ata të dy janë vra. Më vonë, për të kuptu për fatin e tyre janë kthy edhe dy gratë e axhës, të cilat janë vra poashtu. Jo, ata që të gjithë kanë qënë civil!“

Familjet e viktimave njohin ekzekutuesit e familjarëve të vet

 Mirëpo, fatkeqësia dyfishohet, kur ekzekutuesit e familjes deri dje jetonin vec një fshat matanë-thotë Atdheu dhe shton:„Vrasësit e familjes sime vinë nga fshati Rasuja, në anën tjetër të malit nga fshati Qallapek. Ata njihen dhe kjo është cfarë na mundon më së shumti…Sepse, gjatë gjithë kohës mendon se ata që kanë bërë krime sot janë të lirë. Dhe, kjo është me të vërtet e tmerrshme”.

Masakra e Qyshkut është njëra ndër masakrat më mizore të kryera nga forcat serbe në Kosovë, kur nga njësia paraushtarake „Qakallët“ u ngujuan, u ekzekutuan dhe u dogjën 44 civile shqiptarë. Zyrafete Gashi në këtë masakër i ka humbur 17 anëtarë të familjes.
“Njerëzit e mi kanë qënë në shtëpitë e veta, ku kanë strehuar edhe njerëz të tjerë. Me 14 maj 1999, forcat serbe kanë ardhë heret në mëngjes I kanë grumbulluar, I kanë ndarë në tri grupe, I kanë shti në tri shtëpi, I kanë masakru dhe n´fund I kanë djeg…Që të gjithë kanë qënë civil”, rrëfen Zyrafetja, sipas së cilës edhe vrasësit e banorëve të Qyshkut njihen nga banorët e këtushëm-Vrasësit kanë qënë banorë të fshatrave përreth. Thonë se kanë qënë nga Nakulla e Nabergjani, mirëpo ne kemi pas afër edhe fshatin Gorazhdevc, që është I banuar me serb”.

Banorët e Qyshkut nuk i besojnë drejtësisë së Beogradit

Me 20 dhjetor, në Gjykatën për Krime Lufte në Beograd, ka filluar procesi gjyqsor kundër nëntë pjesëtarëve të njësisë „Qakallët”, të cilët ngarkohen me akuzën se me 14 maj 1999 në Qyshk të Pejës kanë vrarë 44 civilë shqiptarë, kanë djegur mbi 40 shtëpi dhe kanë plaqkitur dhe dëbuar reth 400 civile shqiptarë. Me të njëjtën akuzë ngarkohen edhe 17 të tjerë kundër të cilëve është shpallur fletearrest ndërkombtar, përderisa Zoran Obradovic, njëri nga të dyshuarit kryesor të Masakrës se Qyshkut, këto ditë është arrestuar në Gjermani. Por, sa I besojnë banorët e Qyshkut drejtësisë së Beogradit?
“Aspak! Beogradi me arrestime të vogla tenton të mbulojë para botës krimet e mëdha të bëra në Kosovë. Mirëpo, ne nuk besojmë aspak”, thotë Zyrafete Gashi.

Kërkohet ndërpreje e parktikës së pandëshkueshmërisë së krimit

Meqense luftërat në territorin e ish-RSFJ-së karakterizohen nga krime mizore dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut; duke vërejtur se gjykimet në Gjykatën Ndërkombëtare për ish Jugosllavi dhe ato në gjykatat tjera nuk përmbushin në masë të duhur nevojën e viktimave për drejtësi si dhe me kundërshtimin e fuqishëm ndaj keqpërdorimit të viktimave për qëllime politike, është marrë iniciativa për themelimin e Komisionit Rajonal për Vërtetimin e Fakteve mbi Krimet e Luftës(KOMRA)në hapësirat e ish Jugosallvisë, në përiudhën 1991-2001. Veton Mujaj është njeri ndër të 20 anëtarët e këshillit për themelimin e këtij komisioni ndërrajonal.


„Draft-mandati i këtij komisioni është përgatit si dokument, ndërsa në muajin mars dhe prill nga të gjitha vendet e ish Jugosllavisë do të mblidhen nënshkrime të cilat së bashku me këtë draftmandat diku në qershor të vitit 2011 do t´iu dorëzohen të gjitha parlamenteve. Dhe pastaj, mbetet detyrë e parlamenteve që shteti t´i përcaktojë njerëzit e vet që një komision I tillë të themelohet realisht“, thotë z.Muaj, sipas të cilit synimi kryesor i kësaj iniciative është kthimi i dinjitetit të familjeve të goditura si dhe qetësimi I shpirtërave të viktimave. 

Kthim dinjiteti dhe qetësim shpirtërash

„Kjo do të mundësojë gjetjen e kriminelëve të cilët do të kapen, do të burgosen dhe do të ofrojnë fakte se rreth vendndodhjes së njerëzve të pagjetur. Dhe, I gjithë ky proces do të ndihmojë shumë jo vetëm në pajtim por edhe në qetësimin e shpirtërave të familjeve të viktimave”.

Por, edhepse drejtësia ka efektin e vet, zemrat e atyre njerëzve s´do të qetësohen asnjëherë-mendon Zyrafetja, sepse: “Shumica prej të vrarëve kanë lënë fëmijë të cilët e kanë para masakrën dhe janë rritur me kujtimin e atij përjetimi. Prandaj, zor se do të zbeh kjo kujtimin e asaj cfarë kanë përjetuar”.

Dhe, shtytjet e vazhdueshme për pajtim janë të padrejta, kur pajtimi qoftë edhe në emër të një të ardhmeje në paqe është tejet i veshtirë-thotë Atdhe Berisha, sipas të cilit:“Megjithëse një kërkim falje prej tyre do të ishte gjest I vullnetit të mirë, ata që nuk e bënë as pas dhjetë vitesh nëse do ta bëjnë në të ardhmen, dihet se do ta bëjnë për të mbrojtur lëkurën e tyre. Dhe ky është problemi, sepse se vazhdimisht kërkohet amnesti për vrasësit pa menduar fare në viktimat dhe familjet e tyre”.

Vetëm dhjetë aktvendime për krime lufte në Kosovë?

Ndërkohë, themelimi i KOMRA-s është një mundësi për ngritjen e zërit të familjarëve të viktimave dhe sjelljen e ekzekutuesve para drejtësisë-thotë Bekim Blakaj, nga Fondi për të Drejtën Humanitare, zyra në Prishtinë. „Duke pasur parasysh faktin se organizatat jonë në Kosove deri më tani ka evidentuar me emër dhe mbiemër rreth 14 mijë viktima, të vrarë dhe të zhdukur gjate vitit 98-99 në Kosovë dhe nga ana tjetër, se nuk ka më shumë se dhjetë aktvendime të plotfuqishme për krime lufte në Kosovë, atëherë familjarët e shohin këtë si mundësi për të sjell drejtësinë në vend. Fokus i gjithë kësaj edhe janë viktimat dhe familjet e tyre”.

Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë(RSFJ)me gjashtë republika dhe dy krahina autonome, filloi me shpërthimin e konflikteve të armatosura në Slloveni dhe Kroaci me 1991. Ndërsa, Komisioni Rajonal për Përcaktimin e Fakteve të Viktimave të Luftërave të ish Jugosllavisë(KOMRA)synon ndriqimin e se vërtetës për viktimat si dhe ndërprerjen e praktikës së pandëshkueshmërisë së kryesve të krimit.

Të dhunuara nga forcat serbe-të harruara nga shoqëria e Kosovës

27 dhjetor 2010, Dojce Vele,  Te mijëra femrat e dhunuara nga forcat serbe në Kosovë, janë një kategori e ndjeshme e shoqërisë kosovare për të cilat, institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombtare kanë bërë pak qoftë në mbështetjen institucionale apo në sjelljen e përdhunuesve para drejtësisë.

 ”Ne, të dhunuarat, edhe kur ecim rrugës e ndjejmë barrën e dhunimit, e shofim atë në sytë e njerëzve, të cilët ndoshta kurrë nuk do t´mund ta imagjinojnë se çfarë kemi perjetuar. Edhe kur njerëzit qeshin pa kujtuar fare se ne ekzistojmë, ne mendojmë së ata qeshin dhe tallen me tragjedinë tonë…Ne, të dhunuarat, edhe në mesin te të gjallëve ndjehemi te vdekura!”


Ky fragment i shkëputur nga libri “Rrëfimet e femrave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë”, është vetëm një zë i mijëra femrave të dhunuara nga forcat serbe në Kosovë, të cilat 11-te vjet pas luftës nuk mund të flasin më për tmerrin e përjetuar. Është kjo një klithje e brendshme dhe një zë i vulosur në faqe libri, si përgjërimi me i thellë që të paktën tani dikush të ngreh zërin për fatkeqësinë e tyre, tashmë kur edhe pas një dekade dhuna e ushtruar mbi to është shkruar me të zezë vetëm në zemrën e tyre, vrragët e së cilës janë shumë më të thella se plagët e trupit.

Të izoluara nga plagët e dukshme

„Ato kanë plagë të dukshme, që nga prerja e gjinjve, këputja e veshëve, prerja e buzëve, nxjerrja e syrit. Kanë kafshime, lëndime e djegje me cigare në fytyrë, në gjoks, në bark ose djegje me gjëra të metalta ne fytyrë”, rrëfen autorja e këtij libri, Luljeta Selimi, e cila duke qënë në krye të një orgnaizate joqeveritare, i ka parë nga afër viktimat e dhunimit.

Dhe, teksa disa prej tyre kanë arritur të kapin serish fillin e jetës, të tjera shkëputur nga bota e braktisur nga shoqëria jetojne në skaj të ekzistencës, izolimi i plotë për të tjerat nuk vie vec për shkak të stigmës. Sepse, ato nga torturat janë shpërfytyruar, thotë zonja Selimi:

„Si do dukej nje grua së cilës mbi 100 cigare i janë fikur në fytyrë? Nje grua së cilës i është shkruar me thikë në fytyrë emri i përdhunuesit? Një grua së cilës me dhjetëra herë i është tërhequr thika zvarrë nëpër fytyrë dhe plaga i është qelbur me dhjetëra herë? Këto I kanë bërë ushtarët dhe policët serb, ndërsa pacientet tona vazhdimisht thonë se në mesin e tyre kishte edhe civil!”.

Stigma e rëndë sa dhunimi

Duke pasur parasysh se tek dhunimet dhe abuzimet seksuale, stigma përcillet te cdo popull dhe tek secila grua, nuk është e lehtë që një viktimë të flas për dhunimin. Por, është tejet e padrejtë kur as pas një dekade e më shumë askush s´ka provuar t´iu qaset këtyre viktimave me një program të mirëfilltë, I cili do t´u ofronte ndihmë porofesionale pa e stigmatizuar dhe shkaktuar probleme në familje, mendon Naime Sherifi, e cila duke qënë pjesë e stafit të Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të të Drejtave të Njeriut në vitet ´94-2003, pati qasje direkte në deklaratat e këtyre viktimave apo dëshmitarëve, të mbledhura në terren menjëherë pas luftës nga të mbi 3000 vullnetarët e këtij keshilli.

“Për shifra të femrave të dhunuara kushdo që flet vec mund të gabohet, përderisa nuk ka një studim të mirëfilltë i cili është vështirë të realizohet. Ndërsa, e them me përgjegjësi, se asnjë institucion qoftë vendor apo ndërkombtar në Kosovë nuk ka bërë dicka konkrete për to as nuk ju është qasur më ndonjë program gjithëpërfshirës për t´iu dal ndihmë. Përderisa ato nuk kanë arrit të hynë i kategori”, thotë drejtoresha Sherifi.

Të dhunuarat në kategorinë e invalidëve të luftës

Në Ligjin për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe të Viktimave Civile, femrat e dhunuara në Kosovë jane përfshirë në kategorinw e invalidëve të luftës. Ndërsa, sipas Bajram Azemit, Kryesues i Divizonit të Skems së Pensioneve, ne Departamentin për Familjet e Dëshmorëve, Invalidëve të Luftës dhe Viktimave Civile në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenje Sociale të Kosovës, baza e pensionit invalidor për civilët e luftës është baraz me pagën minimale në Kosovë.

„D.m.th prej 40 per qind deri në 60 për qind, pagesa është 96 euro në muaj. Prej 60 deri në 80 per qind, 109 euro. Ndërsa, prej 81 deri në 100 per qind, pagesa e pensionit është 122 euro. Ata/o që kanë shkallën e invalidetitit mbi 80 per qind, e gëzojnë të drejtën për kujdestar i cili paguhet 40 euro në muaj“, thotë z. Azemi.

Por, kjo ndihmë solide do të vie pasi që këto femra të aplikojnë me dëshmi përdhunimi dhe t´i nënshtrohen kontrollit të komisionit përkatës brënda këtij departamenti. Një qasje mizore kjo, absolutisht!-mendon z. Sherifi e cila udhëheq Strehimoren për Gra dhe Femije, ne Prishtine. Sepse, ato asnjëherë nuk kanë për t´pranuar t´i nënshtrohen një kontrolli të tillë, sepse është probemi i stigmatizimit!”

Mijëra femra të dhunuara-Përdhunuesit larg drejtësisë

Femrat e dhunuara nga forcat serbe në Kosovë janë kategoria që ka pësuar më se rëndi nga lufta. Por, institucionet e Kosovës as ato ndërkombtare nuk kanë bërë asgjë, qoftë në identifikimin e rasteve, në mbledhjen e shifrave, në mbështetjen e tyre institucionale apo në futjen e tyre nën mbrojtjen ligjore. Për to nuk është vënë asnjëherë drejtësi që përdhunuesit e tyre të sillën para gjyqit. “E kjo do mund të bëhej pa ua cenuar dinjitetin dhe duke ruajtur konfidencialitetin e viktimave-mendon drejtoresha Sherifi, sipas së cilës-Këtyre femrave duhet qasur me një program i cili vërtet do t´iu ndihmonte. Në të kundërtën, më mirë mos të preken. Ndoshta, pas pesëdhjetë vitesh edhe femrat në Kosovë do të deklarohen për dhunimet. Por, në Kosovën e sotme dhë në mentalitetin ekzistues, është gjynah me ua hap plagën!“

Përderisa, autorja Luljeta Selimi, para pajtimit therret për drejtësi: “Ne vazhdimisht na kërkohet të pajtohemi me popullin serb. Ne nuk kemi asgjë kundër popullit serb apo cilitdo popull i cili vjen të bashkëjetojë më ne në paqe. Mirëpo, si mund t´i kërkohet kjo një viktime e cila përditë e sheh fytyrën e përdhunesit të vet?!“

Vazhdon riatdhesimi i kosovarëve nga vendet e treta

20 dhjetor 2010, Dojce Vele, Sipas Ministrisë për Punë dhe Mirëqenje Sociale, në Kosovë deri më tani janë riatdhesuar 3,690 persona, 620 prej të cilëve nga Gjermania. Por, sa ka kapacitete Kosova për pranimin qytetarëve të vet dhe sa po mund ta gjejnë veten këto familje pas rikthimit në Kosovë? 

Familja Rrustemi nga komuna e Skënderajt, megjithëse e riatdhesuar para tetë muajsh ajo ende nuk ka arritur ta kap fillin e jetës në Kosovë. Sepse, jeta në Gjermani për të cilën shiten plang e shpi, pas dy dekadash ju rrënua brënda nate.
„Mirëpo avokati na tha se nuk ka shancë me ju kthy. I thashë: “Mua po m´thonë komuna që duhet me u kthy!” Tha: “A po m´beson mu apo komunës”? Dhe, s´kaloi as një javë dhe policia erdhi në tre të natës…”, rrëfen kryefamiljari 48 vjecar, Bedri Rrustemi, familja e të cilit në fillim të këtij viti u deportua nga Gjermania në Kosovë.
Projekti “URA”mbwshtet tw riatdhesuarit

Projekti Ura 2 I cili financohet nga Zyra Federale për Migrim  dhe Refugjatë si dhe landet: Baden-Vuerttemberg, Saksonia e Ulët si dhe Renania Veriore-Vestfalia, të gjithë të kthyerve vullnetarë dhe të deportuarve nga Gjermania ju ofron mbështetje të shumëfishtë për riintegrim në shoqërinë kosovare. Në tri vitet e fundit për këtë qëllim janë ndarë rreth 4 milionë euro, 630 mijë prej të cilave vetëm për vitin 2010. Nga projekti “Ura” ka përfituar edhe familja Rrustemi, e cila pas shtatë muajsh ndihmë nga URA është gjetur në udhëkryq.
”Shtatë muaj nga projekti Ura kemi marrë nga 300 euro për banesë e 300 të tjera për ushqim. Për këtë kohë nuk e kemi ndjerë krizën. Pastaj na vazhduan edhe dy muaj me nga 150 euro për banesë. Ndërsa prej datës 19-të, Ura s´na paguan as ushqimin as banesën.”
Pritet valw e re riatdhesimi

Në vitin 1999, Gjermania kishte rreth 200.000 refugjatë kosovarë, kthimi I të cilëve filloi pas pavarësimit të Kosovës. Në bazë marrëveshjejes për riatdhesim në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, brënda vitit 2010 parashihej riatdhesimi i 2,500 kosovarëve të tjerë nga Gjermania. Mirëpo, në periudhën janar-shtator 2010, nga Gjermania për në Kosovë janë dëbuar vetëm 620 persona.
“Pra, Gjermania këtë vit s´do të kalojë shifrën prej njëmijë personash të kthyer, që don të thotë se shteti gjerman nuk është I interesuar t´I bëjë trysni Kosovës që të kthejë me shumë për një vit. Ai vetëm do të shohë vullnetin tonë dhe gatishmërinë t´i pranojmë këta përsona kurdo që t´iu vie momenti. Dhe natyrisht, pranimi I tyre është obligim shtetror sepse ata janë shtetas të Kosovës”, shpjegon Muhamet Gjocaj, drejtor i Departamenitt për Mirëqënje Sociale në Ministrinë për Punë dhe Mirëqënje Sociale të Kosovës shpjegon Muahmet Gjocaj, sipas të cilit kjo nuk është edhe aq e thjeshtë, sepse thotë ai: Unë s´kam marrë asnjë cent shtesë për këtë detyrë shtesë që ka ngarkuar qeveria. Të gjitha mjetet për akomodimin e tyre janë siguru nga Divizioni I Shërbimeve Sociale, të cilat kanë qënë të parapra për tjera qështje. Shpresojmë se qeveria tani do të krijojë një fond të vecantë, I cili është shumë I domosdoshëm për sigurimin e banimit të të pastrehëve”.
Pa strehw as pa burim ekzistence

Ndër këta të pastrehë është qifti Rrustemi nga Skënderaj, e cila si shumë familje shqitpare para 18-të vitesh zbarkoi si refugjatë në një qytet të Saksonisë së Ulët, ku krijoi edhe familjen. Por, në muain e nëntë të riatdhesimit të tyre në Kososvë  ata do të shkelin pa një strehë mbi kokë as pa një burim të vetëm ekzistence.
“A ka kund n´botë që tetë muaj mos me lanë kund zyrë pa trokit, nga nivelet ma t´ulta e deri në instancat ma t´larta, e askush mos me ta dhanë një përgjegje positive? Une s´po shoh perspektivë askund. Banesë-jo, shpi-jo, tokë-jo, pasuni kurrfare…Vec n´mëshirën e Allahut” As dy sahat gjumë s´i baj tuj mendu cka do t´bahet nesër. Cka do t´bahet?!”, rrëfen kryefamiljari Bedri Rrustemi, sipas të cilit shkollimi I fëmijëve në Kosovë është një sfidë shtesë.

Problem, integrimi i fwmijwve  
„Fëmijët shkojnë në shkolle…Por, djali I madh jo më, se një ditë e ka pas një rrahje në shkollë dhe do nxënësve më të mëdhenj ju ka pa n´dorë armë a thikë, e ka marr frikë. Kush si e con mo s´ka! Drejtori m´tha sille, pork am frikë se do t´vie deri te më e keqja. E n´Gjermani kurrë fëmijët e mi me kënd s´kanë pas problem“, thotë z. Rrustemi, përderisa  bashkëshortja e tij Bahrija shton se integrimi i fëmijëve në Kosovë është problemi më i madh krahas atij të papunësisë.
„Edhe unë kam lyp punë cdokund ku mund të punoj një femër, por s´kam mujt me gjet kurrkund. Ndërsa, problemi ma i madh janë fëmijët që s´janë integru asnjë fijese gjithë kohën e kanë mëndjen n´Gjermani, atje ku kanë lind e kanë jetu. Edhe n´shkollë po thonë se po shkojmë kot, se s´po kuptojmë kurrgja. Notat nuk i kanë hic t´mira. Por, me pas me na ndihmu t´paktën një punë me e gjet, bile këtë krizë me e thy pak…“.
Lidhjen me Gjermaninw zbehin rrethanat

Genta, 17 vjecare, vajza e madhe e kësaj familjeje e  lindur dhe e rritur në Gjermani, thotë se kapja e mësimit në gjuhën shqipe I bie shumë vështirë.
„Na n´shkollë ekemi shumë ma problem se fëmijët e tjerë. E arsimtaret, ma para bajnë hajgare me mua sesa me ndihmojnë, sepse nuk e di gjuhën. Më thonë: „Pse nuk e din gjuhen? Ti shqiptare je!“, e qesi fjalësh palidhje. Unë s´them asgjë, sepse kot flet kur atyre nuk ju intereson“, rrëfen Genta, dy vëllezërit e së cilës, Atdheu dhe Kushtrimi flasin rrjedhshem vetëm gjermanisht. Përderisa, edhe lidhjet me jetën në Gjermani po zbehen përditë.
“Sepse, nuk kemi mundësi të kontaktojmë. Vec kur shkoj te dajët që hi nganjëherë n´Internet, se tjetër jo“, thotë Genta e re, zgjidhja e vetme për të cilën është kthimi në Gjermani.
„Ma s´miri kish pas me qene me u kthy ne Gjermani“.

Pa-Varësia e votës për përsonat me aftësi të kufizuara

3 dhjetor 2010, Dojce Vele, Në Kosovë, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12-të dhjetorit kanë aplikuar 2,162 persona me aftësi të kufizuara, ndërsa në terren do të jenë aktive 115 ekipe mobile. Por, sa ju sigurohet atyre pavarësia e votës? 

Edhepse pengesat në të ecur nuk ia pamundësojnë qasjen deri te kutitë e votimit, Ardita Peci, 30 vjec nga Vushtria, nuk ka votuar asnjëherë në jetën e saj.

„Nuk kam votu se na thoshin se për persona me aftësi të kufizuara vinë te shpia. Por, s´kanë ardhë kurrë“-thotë Ardita, e cila tash e tutje do të veprojë ndryshe.


„Do të dal në zgjedhje, Inshallah!”

Dhe, Komisioni Qendror Zgjedhor ka parasysh përfshirjen e të gjithe qytetarëve me të drejtë vote në procesin e votimit-thotë Fehmi Ajvazi, zëdhënës I KQZ-së, në Prishtinë.
„Ata persona të cilët nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar personalisht në vendvotime, në bazë të një afati ligjor kanë aplikuar prej 6 deri me 26 nëntor, kur edhe ka qënë kjo periudhë aplikimi”-thotë z.Ajvazi, sipas të cilit, Sherbimi Votues I Komisionit Qendror Zgjedhor ka pranuar 2,162 aplikacione të personave me aftësi të kufizara-thotë z.Ajvazi. Ndërsa, në baze të planeve operacionalë për zgjedhjet, gjatë procesit të votimit do të jenë aktive 115 ekipe mobile të cilat do të përkujdesen për përfshirjen e të gjithë qytetarëve me të drejtë vote në zgjedhje.
 
(Pa)Varësia e votës
„Këta persona, gjatë aplikimit kanë pas edhe një formular të vecantë në të cilin kanë përshkruar mënyrën në të cilën janë të interesuar të votojne. Në kategoritë e personave me aftësi të kufizuara hynë edhe të burgosurit, apo të tjerë që për arsye të ndryshme nuk mund të jenë pjesë active e posaqërisht për personat me aftësi të kufizuara”-thotë z.Ajvazi.

Personit me aftësi të kufizuara, qoftë i lindur apo i aksidentuar, duhet t´i garantohet pavarësia e votës. Por, fletaplikimet në alfabetin e Brajit për të verbërit dhe interpreti i Gjuhës së Shenjave për personat të shurdhërit, mungojnë-thotë Enver Kurtalani, administrator i Shoqatës së të Shurdhërve të Kosovës.

 „Infromacionet të tilla janë dhënë në gjuhen e folur shqipe, mirëpo jo edhe nëpërmjet gjuhës së shenjave për komunitetitn tonë, i cili sipas OSBE-së numëron rreth 20-25 mijë perosna të shurdhër apo me dëmtime në dëgjim. Kjo dëshmon se neve nuk na është ofruar qasje e barabartë“-thotë z. Kurtalani, I cili në këtë Ditë Ndërkombtare për Persona me Aftësi të Kufizuara, përmend dy vështirësitë kryesore të këtij komunitetit: pensionin prej vetëm 45 eurosh I cili në të shumtën e rasteve edhe ju mohohet si dhe familjët me fëmijë me aftësi të kufizuara, të cilave që nga shtatori nuk iu është ofruar përkrahje materjale.

Përpjekje për avancimin e pozitës në shoqëri
Zyra për Qeverisje të mirë në kuadër te Kryeministrisë, është kompetente për zbatimin e Planit për Veprim për Personat me Aftësi të Kufizuara. Habit Hajredini, kryesues i kësaj zyre përmend disa nga përparimet që janë bërë gjatë përpjekjeve për përmirësimin e kushteve për jetë të personave me aftësi të kufizuara.

„Është punu në zyrtarizimin e gjuhës së shenjave për persona që nuk degjojnë. Po punohet në draftimin e ligjit për personat e verbër. Është përkahur organizata „Henikep Kosova“ me 24 mijë euro, pastaj Shoqata e të Verbërve, Shoqata që punon me komuniteitn e prekur me sindromin Daën, janë përkrah me 24 mijë euro, me projekte të përbashkëta të Komisionit Evropian“.
Sipas Organizates Botërore të Shëndetësisë, në Kosovë janë rreth 200.000 persona me aftësi të kufizuara;shifër e cila besohet të jetë shumë më e lartë. Dhe, krahas përpjekjeve të institucioneve të Kosovës për avanciomin e pozitës së tyre, gjendja  vazhdon të jetë e rëndë dhe pa ndonjë ndryshim të dukshëm.

Rritet mëdyshja e qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhje

3 dhjetor 2011, Dojce Vele, Prej zgjedhjeve të vitit 2000, pjesëmarrja e qytetarëve të Kosovës në zgjedhje është në rënje e sipër. “Demokracia në Veprim” tash një muaj po punon në vetdijësimin e qytetarëve së pjesëmarrja në zgjedhje ështq menyra e vetme e ndertimit te institucioneve legjitime dhe demonstrimit te vullnetit te tyre per ndertimin e nje shteti demokratik. 
 
Manipulimi me vota, mosrealizimi i premtimeve të dhëna, ndryshimet e pakta që sollen zgjedhjet e kohëpaskohshme si dhe anashkalimi i vullnetit të qytetarëve janë arsyet më të shpeshta të zbrapjes se qytetarëve nga kutitë e votimit. Ndërsa, hetimet e figurave të larta politike për korrupcion, dalja në skenë e rastit Bllaca si dhe zhvillimet e fundit politike në Kosovë, kanë lëkundur besimin e qytetarëve në institucionet shtetrore. Si rrjedhoje, tek shumica e qytetarëve është prezente ndjenja për bojkotimin e zgjedhjeve. Dhe, megjithëse nevoja për ndryshime ndjehet më shumë se kurdoherë, mosbesimi është me i dukshem se kurrë më parë:
 
“Hic kurrë. Pse me votu? Cilin ta votosh, secili ma I zi se shoqi. Nuk duhet ashtu, krejt hapur me ia plas mushkëritë popullit, me t´ba pishman pse ia ke qit voten“-thote Zenun Sahiti nga komuna e Pejes.
 
Populli ka sy e vesh
 
Sepse, populli ka sy e vesh. Dhe pyetjet: “Përse të votoj? Kujt t´ia jap votën? Cfare kam nga e gjithë kjo“, kanë një bazë, tashmë kur pas premtimeve të shumta në fushatën paraprake të zgjedhjeve për një shtet stabil dhe me perspektive evropiane, Kosova gjendet me president të larguar, me parlament të shpërbërë dhe përballë zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.
 
„As një të tretën e atyre që kanë premtuar, nuk i kanë realizuar. Sepse, lehtë është me thanë kemi 24 orë rrymë, e ajo s´osht kurrkund hic. Premton se rriten rrogat, e rrogat nuk rriten. Vec me dalin sa për sy e faqe. E prapë lypin me e marr pushtetin. Luftojnë për karrike. Vec, populli i Kosovës ndoshta është në mjegull e ndoshta ua jep votën…”-thotë Xhafer Ahmetaj nga komuna e Decanit.
 
Dhe populli voton, vrojton, kërkon dhe prêt ndryshimet që cojnë drejt një jetë më të mirë. Në të kundërtën, bojkotojnë zgjedhjet e para që pasojnë. Dhe për këtë, Esma, boshnjake nga Ljubizhda e Hasit fajson liderët politik: „Sepse, asnjë ndryshim nuk ka sa i përket bashkësisë boshnjake nga partitë që na udhëheqin. Dhe, prandaj mendoj se nuk do të dal në zdhedhje, sepse dola unë apo cilido nga boshnjakët, nuk do të sjellim asnjë ndryshim përderisa është në qeveri kjo garniturë qeverisëse“.
 
Përderisa, Raif, turk nga Prizreni ka pritur një qasje tjetër nga institucionet e Kosovës ndaj bashkesise turke: “Sepse, bashkësia turke asnjëherë nuk është ndarë, por ka qënë e integruar dhe pjesë përbërese e shoqërisë kosovare. Prandaj institucionet e Kosovës do duhej t´i kushtonin një vëmendje të posacme kërkesave të tyre, të cilat përkundëe vështirësive të medha nuk kanë qënë të shumta asnjëherë!“
 
Demokracia ne veprim
 
“Demokracia në Veprim” krahas monitorimit të zgjedhjeve në programin e saj ka edhe nxitjen e qytetarëve për pjesëmarrje në zgjedhje. Ky koalicion i OJQ-vë tash një muaj po njofotn votuesit për ndryshimet e Ligjit për Zgjedhjet që janë bërë në vitin 2010, duke zhviluar takime të ndryshme me qytetarët, për vetdijësimin se vota e tyre është mënyra e vetme e demonstrimit të vullnetit për të ndërtuar një shtet demokratik dhe për t´ua dhënë fuqinë përfaqësuesve të tyre në institucionet shtetrore. Dhe, megjithëse përvoja e zhgënjimit nga zgjedhjet e kaluara është tejet e freskët, „Demokracia në Veprim“ beson se do t´ia dalë të rikthejë qytetarët në mëdyshje tek kutitë e votimit.
 
„Pavarësisht ndoshta premtimeve që i kanë bërë subjekete poltike dhe zhgenjimit që kanë qytetarët, megithatë unë mendoj se ata janë duke e kuptuar se ky është mekanizëm i vetëm me të cilin ata mund të avancojnë procesin dhe mund të binë njerëz të përgjegjshëm në institucionet e tyre“thotë Ismet Kryeziu, udhëheqës i këtij koaliconi.
 
“Voto ose bieri fyellit”
 
Dhe shpresa për ndryshime është gjithnjë prezente. “Se, nëqoftëse hiqet qekjo strukutrre e vjetër e politikanëve me siguri ka me pas ndryshime. Se, ka njerëz me shkollë e profesionalistë të fushave, por sillen rrugëve së nuk i lanë këta të pashkollët që udhëheqin shtetin“-thotë qytetari Ahmetaj. Perderisa, z. Kryeziu  edhe një herë sjell mesazhin kryesor të OJQ-vë „Demokracise në Veprim“, drejtuar qytetrave të Kosovës:
 
“Motoja kryesore ka qënë: “Voto ose bjeri fyellit!“ Sepse, ka momente të caktuara kur njeriu duhet të demonostrojë fuqinë dhe reagimin e tij. Ndërsa, dita e zgjedhjeve është një demonstrim I fuqisë së qytetareve dhe një reagim qytetar për të prodhuar institucione legjitime të cilat do të udhëheqin me ne në vitet e ardhshme“.
 
Në diten e zgjedhjeve të jashtezakonshme paralamentare të 12 dhejtorit, koalicioni i OJQ-ve „Demokracia në veprim“ do të angazhojë rreth 5,000 vëzhgues të cilet do ta monitorojne procesin e votimit dhe të numërimit të votave.