Manastiri i Deçanit, 24.11.2010
Manastiri i Deçanit, 24.11.2010
24 nëntor 2010, Dojçe Vele. Kishat e manastiret ortodokse do të jenë vende të gjithë besimtarëve, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike dhe fetare,“-deklaroi peshkopi i sapoemëruar i Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, në Manastirin e Deçanit.
 
Automjete të shumta përgjatë rrugës së Manastirit të Deçanit, forca të shtuara sigurie, lëvizje të shumta besimtarësh para manastirit, në oborr dhe brënda tij janë shenjat identifikuese të çdo kremteje fetare në këtë manastir shekullor, i ndërtuar që në shekullin 13-të nga themeluesi, mbreti shenjt Stefan Decanski.

Vesna Manitasevic, anëtare e shoqates së grave „Jefimija“, nga Hoça e Madhe, krahas kremtimit ekspozon edhe punëdoret e shoqatës në hyrje të Manastirit:

„Sot është festë në Manastirin e Deçanit dhe unë jam e ftuar t´i ekspozoj punëdoret tona. Kemi bashkëpunuar me shoqatën „Hareja“ nga Rahoveci dhe me shumë shoqata shumëetnike të asaj ane, meqënse donatorja jonë ishte gjermane. Ishim 20 anëtare, por për shkaqe financiare janë larguar. Tash mbijetojmë me vështirësi,“ thotë z. Manitashevic.

Sigurimin e Manastirit gjatë festës, në të cilën morën pjesë qindra besimtare ortodoksë nga Kosova, Serbia, Mali i Zi, por edhe Shqipëria, e kanë bërë forcat e KFOR-it dhe Policia e Kosovës.

„Vij me kënaqësi, sepse kjo më duket si një mbështetje ndaj murgjve dhe popullatës së këtushme. Në festë kishte edhe shqiptarë nga Shqipëria. Nga Kosova nuk kam parë, edhe pse në monografi kam lexuar se shqiptarët për shumë vjet kanë qënë roje të këtij objekti fetar. Prandaj ai ka mbetur i hapur, gjithmonë për njerëzit vullnetmirë,” thotë Miodrag Vujosheviç, 38 vjeç nga Podgorica, i cili përcjell me kënaqësi festat fetare në çdo manastir e veçanërisht, në Manastirin e Deçanit.

Peshkopi Artemije të shtunën u përcoll përtej kufijve të Kosovës

Manastiri i Decanit në origjinalitetin shekullor
Manastiri i Decanit në origjinalitetin shekullor

Liturgjinë e kremtes e shërbeu peshkopi i Budvës dhe Nikshiqit, Joanikije mbështetur nga peshkopi hercegovas,Grigorije si dhe peshkopi i sapoemëruar i rashkës dhe Prizrenit, Teodosije- zëvendës i peshkopit të saposhkarkuar, Artemije, të cilin Policia e Kosovës të shtunën në mëngjes (20.11) e përcolli jashtë kufijve të Republikes së Kosovës. Këtë e pohoi edhe peshkopi Teodosije, i cili për Dojçe Vele-n tha se kisha do të vazhdojë të mbajë qëndrimin, që i përshtatet një kishe ndaj institucioneve të Kosovës.

“Qëndrimi i kishës ndaj popullit, ndaj institucioneve dhe ndaj politikës, do të jetë i tillë si i përket kishës. Sepse kisha në rend të parë duhet të merret me popullin dhe t´i përkushtohet atij shpirtërisht,”-tha me këtë rast peshkopi i sapoemëruar Teodosije, sipas të cilit kishat dhe manastiret ortodokse do të jenë vende të të gjithë besimtarëve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike dhe fetare.

“Thjesht, ne ketu jemi të gjithe miq dhe ky është roli i kishës: t’i afrojë njerëzit dhe t´i pajtojë ata. Ne kurrë s´do të lejojmë të vihemi në një anë dhe ana tjetër të shohë te ne kundërshtarin, armikun apo dikë, që ndaj tyre është qëllimkeq. Ky ishte roli i Kishës gjatë gjithë shekujve dhe qëllimi ynë është që i tillë të mbetet edhe tash, në Kosovë dhe Metohi”.

Përçarja brenda kishës – e nxitur nga jashtë?

Peshkopi i pensionuar Artemije, i njohur për qëndrimin e tij radikal, i cili kishte paralajmëruar formimin e kishës së re serbe, të shtunën e kaluar, i mbështetur nga dhjetëra murgj dhe qytetarë kishte uzurpuar manastirin „Duboki Potok“ në veri të Kosovës. Atij me një vendim të Sinodit të Kishës Ortodokse Serbe, i është marrë edhe titulli peshkop dhe është kthyer në rangun e murgut të thjeshtë.

Kompleksi i Manastirit i Decanit

Goran Bogdanoviç, ministri serb për Kosovën, i komentoi ngjarjet e fundit gjatë festës në Manastir:

„Unë në thelb jam besimtar. Dhe fatkeqësisht, ngjarjet në dhjetë ditët e fundit nuk shkojnë në të mirë të askujt e më së paku, në të mirë të atyre që jetojnë në Kosovë. Brenda nesh ka mjaft grindje e përçarje. Dhe, fatkeqësisht dikush sërish provoi të na ndajë, duke pranuar njerin dhe duke refuzuar tjetrin peshkop. Askush nga krerët e shtetit nuk është i kënaqur me këtë që ka ndodhur. Ky ishte një rrezik i madh për formimin e një kishe të re serbe në Kosovë.” Sipas Bogdanoviçit, kjo ka qenë ide e “ndonjë faktori ndërkombëtar”.

Kjo festë nga besimtarët ortodoksë kremtohet për nder të mbretit Stefan Decanski, themelues i Manastirit të Deçanit. I themeluar që në shekullin 13-të, i ruajtur në origjinalitetin shekullor, me vite të tëra është ruajtur edhe nga popullata autoktone shqiptare.

Leave A Comment

Your email address will not be published.