Fillon terheqja e familjeve RAE nga kampet e Mitrovices

5 maj 2010, Dojce Vele, Në “Lagjen e Romëve” në veri të Mitrovicës po ndërtohen 140 shtëpi për të 108 familjet e komuniteteve RAE, të cilat tash sa vjet jetojnë në qendrat kolektive “Osterode” dhe “Qesmin Lug”. Zgjidhja është bërë me donacionet e Komisionit Evropian dhe të USAID-it amerikan në vlerë prej 7 milionë eurosh, ndërsa shtëpitë do të ndërtohen në pronat e komunës. 

 Radhë barakash, gra e burra që shetisin nëpër oborr dhe fëmijë që ngarendin pas cdo vizitori është imazhi i parë në kampin „Osterode“, në jug te Mitrovices, ku qindra familje te komuniteteve rom ,ashkalinj dhe egjiptas jetojnë në kushte të rënda sociale. Habib Hajdini, 41 vjec, banor I “Lagjes së Romëve”në veri të qytetit, është përfaqësues i romëve në këtë kamp, në jug të tij.
„Për momentin jane afro 108 familje, një pjesë e tyre janë të “Lagjes se Romeve”, disa janë nga komunat e tjera dhe disa të tjerë të Tunelit të Parë dhe Stari Tërgut. Këtu, sic po e sheh, jeta është katastrofale. Që 11-të vjet jemi nëpër kampe të tilla…“.
Mira Hajrizi, me baba serb, nënë maqedone dhe e martuar për rom, është banore e këtij kampi.
„Jete  e varfer. S´ka kushte. Kurrfare shteti. Jemi 16 anetare familjeje dhe jetojme nga grumbullimi i hekurit, aluminit e bakrit te cilat i mbledhin bijte e mi nga kontejneret si dhe nga social prej 75 eurosh„.
Një rrugë e rrëpirët rrethuar me mbeturina i paraprinë kampit „Cesmin Lug“, në të cilin në kushte të tilla jetojnë edhe 43 familje të tjera të komuniteteve RAE. Por, imazhet që ndërrohen parasysh gjatë ecjes mes barakave të ndara nga njëra-tjetra me nga një metër vend, tregojnë se edhe në kushte të tilla jeta ecën tutje. Dhe, kur nga barakat në krye të kampit dëgjohet një melodi rome nën tingujt e së cilës vallezojnë grup banorësh, kjo dëshmon se si këto komunitete edhe mes mjerimit e varfërisë dinë të gjejnë të bukurën e jetës; jetë, e cila nuk ishte e lehtë për ta pothuaj asnjëherë!
“Një numër i vogel punojnë në punë të shtetit e të tjerët jetojnë nga sociali apo punojnë gjithqysh, prej ngarkim-shkarkimit, hapjes së kanaleve, etj. Kjo s´është jetë…Ndërsa, për ne është plus i madh largimi prej këtu se jeta e kampeve dhe jeta në shpine tënde, ndryshojnë qind per qind”-thote Latif Masurica, 44 vjec, baba I pesë fëmijëve, përfaqësues i kampit “Qesmin Lug”.
Hixhrije Qazimi, 34 vjecare, tash e 11-te vjet jeton në njërën prej këtyre barakave.
“Tash, inshallah do Zoti e shkojmë se valla kemi qejf edhe na me e pas ndonjë shpi tonën…”.
 „Shpia është më ndryshe nga barakat, se këtu një shi kur po bjen, krejt po pik brënda. Vec te unë me ardhë qysh asht krejt lagështi, mirë që I kam fëmijët gjallë!”-shton Eminja, 21 vjecare, e cila banon në një dhomë me bashkëshortin, vjehrrën dhe të kater fëmijët.
Duke e parë këtë gjëndje të vështirë, Kuvendi Komunal i Mitrovicës ka vendosur të bëj zgjidhje duke bërë rregullimin urban të “Lagjes së Romëve” dhe ndarjen e parcelave për familjet të cilat kane banuar në këtë lagje deri në vitin 1999.
“Në kampin „Osterode“ janë 108 familje, ndërsa në kampin „Qesmin Lug“ janë 43 famlije. Kushtet janë jashtezakonisht të rënda, sic e shihni edhe vet…-shpjegon për Dojce Vele-n Mehdi Bala, drejtor i drejtorise per planifikim, urbanizem kadaster dhe prone ne KK te Mitrovices. Por, tashmë së bashku me donatorët kemi bërë zgjidhje dhe pas gjashtë objekteve të banimit kolektiv për komunitetin RAE, me ndihmën e donatorëve po implementohet projekti për ndërtimin e 140 shtëpive të tjera. Pjesa e parë janë 50 shtëpi me donator USAID-in amerikan, ndërsa pjesa e dytë është 90 shtëpi, me donator Komisionin Evropian. Implementimin e projektit e bën Mercy Corps. Shtëpitë po ndërtohen në pronën dhjetëhektarëshe të komunës, ndërsa kosotoja e përgjithshme e projektit është 7 milionë e 500 mijë euro”.
Sipas drejtorit Bala, me përfundimin e projektit për ndërtimin e 140 shtëpive dhe vendosjen e këtyre banorëve atje do te bëhet edhe shpërbërja e këtyre kampeve të kontaminuara me plumb. Ndërsa, pjesë e këtij programi është edhe përkudesja shëndetsore, fusha e arsimit si dhe hapja e vendpunimeve të reja. Mirëpo, Besim Bajrami, 37 vjecar, baba I një vajze s´është shumë optimist për të ardhmen e tij.
„Ata që në “Lagjen e Romëve” kanë me i hangër blloka e tulla. Pa punë mos t´kthehen hic, se s´iu vyen. Unë qe dy vjet jam kthy e kurrfarë ndihme s´kam. Tre muaj e kam prit socialin e menxi ma kanë ndreq. Unë po e kallxoj t´vërtetën e Zotit!“
Komisioneri për të drejtat e njeriut Tomas Hammarberg, në vizitën e para pak kohe në Kosovë këto kampe i quajti “skandal për Evropën e shekullit 21”. Me këtë u intensifikuan edhe përpjekjet për zgjidhjen e këtij problemi. Kështu, krahas ndërtimit të gjashtë objekteve të banimit kolektiv me 72 apartamente për komunitetin rom, në “Lagjen e Romëve” në veri të Mitrovices, të mundësuara nga Këshilli Danez për Refugjate(DRC), tashmë me mbështetjen e Komisionit Evropian dhe të USAID-it amerikan është mundësuar ndërtimi i 140 shtëpive të tjera për romët, ashkalinjtë dhe egjiptasit e Mitrovicës të cilët jetojnë në kampet, “Qesmin Llug” dhe “Osterode”. 

(Visited 1 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *