25 mars 2010, Dojce Vele, Vetëm gjate vitit të kaluar nga disapora në Kosovë janë riatdhesuar 4,160 persona, 436 prej të cilëve nga Gjermania-kumton Ministria për Punë dhe Mirëqenje Sociale e Kosovës. Kthimi i detyrueshëm vazhdon edhe në vitin 2010, në vazhdën e të cilëve ishte edhe kthimi i 69 familjeve rome si dhe i një familjeje shqiptare nga Gjermania në Kosovë.

Një grua në kulm të dëshpërimit, e rrethuar nga tre fëmijë me fytyra të trishtuara… është kjo pamja e parë që hasim në një tavolinë në koridorin e madh të motelit „Aviano“, në magjistralen Pejë-Prishtinë, i cili është stacion i parë i familjeve të kthyera nga vendet tjera.

“Për arsye se e kam pas çikën e sëmurë prej astmës, kam pas qëndrimin për katër vjet. Para gjashtë muajve ja kanë ndërpre bashkeshortit punën dhe na kanë thanë që duhet t´kthehemi patjetër në Kosovë. Bashkëshorti u tha: “Pse po ma humbni shpresën e jetës, kur unë kam fillu jetën këtu, që 17-të vjet? Qysh t´kthehem n’Kosovë me fëmijët që m´kanë lind këtu?“.

S´iu ka interesu aspak veç janë përgjegj: „Është vendi juaj dhe duhet me u kthy“, rëfen 40-vjeçarja, Bahrije Rrustemi nga Prishtina, e cila pas 17 vitesh jete në Gjermani, para dhjetë ditësh u deportua në Kosovë.

Kthimi i (pa)pritur

“Po, na kane thanë paraprakisht. Por, neve na ka thanë avokati të rrimë pa frikë se s´guxojnë me na kthy. Dhe, ne jemi bazu në fjalën e avokatit, në letrat e tij që i keni edhe ju në dorë. Sikur t´na kish tregu me kohë, ma mirë ka qënë, se banesa në t´cilën kemi financu qe 17-të vjet, na ka mbet mbyll komplet, se kemi investu veç atje!“, përgjigjet Bahrije Rrustemi.

Gjermania me 1999 kishte rretj 200 mijë refugjatë nga Kosova

Sipas Zyrës për Migrim dhe Refugjatë, në Nyremberg, në vitin 1999, Gjermania kishte rreth 200.000 refugjatë kosovarë, 114.000 prej të cilëve tashmë janë kthyer në Kosovë. Vetëm në vitin që lamë pas, prej të 4.160 të të riatdhesuarve në Kosovë, 436 ishin nga Gjermania, thotë Arbërita Hoxha, Koordinatore për Kthimin e Personave nga Vendet e Treta në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqënjes Sociale të Kosovës.

“Numri i përgjithshëm i personave të kthyer ka qënë 4.160. 1.384 prej të cilëve të kthyer vullnetarisht, ndërsa 2.776 janë dëbuar. 436 persona prej numrit të përgjithshëm janë kthyer nga Gjermania“, shpjegon koordinatorj Hoxha, sipas së cilës roli i Ministrisë për Punë dhe Mirëqenje Sociale, në bazë të Strategjisë për Riatdhesim, është strehimi shtatëditësh i të riatdhesuarve të pastrehë si dhe transporti për ata që s´kanë mundësi transporti. Pastaj, kompetencat barten në pushtetet lokale të cilat nëpërmjet Qendrave për Punë dhe Mirëqënje Sociale përkujdesen për këta persona, të cilët në bazë të kritereve që parashtrojnë, vendoset nëse do të futen apo jo në skema sociale, si çdo qytetarë tjetër i Kosovës.

Prerja e ëndërrave përgjysmë

Hartmut Sprung, shef i Departamentit për Emigrim dhe Kërkim Migrimi, jo fort larg për Deutsche Wellen pat paralajmëruar një valë të re kthimi të refugjatëve në Kosovë.

„Në bazë të një marrëveshjeje të re për kthim, brenda vitit 2010 parashihet kthimi i 2.500 kosovarëve të tjerë nga Gjermania. Ndërsa, vëmendje e veçantë do t´i kushtohet përzgjedhjes së barabartë në mes të kombësive në mënyre që të mos ketë të kthyer vetëm nga një grup etnik“, thotë Sprung.

Në vazhdën e kthimit të detyrueshëm ishte edhe riatdhesimi i 69 kosovarëve nga Gjermania, me 17 të këtij muaji, që të gjithë të komuniteteve romë, ashkali dhe egjiptianë, përveç familjes Rrustemi.

„S´disha as çka është ba, se as nuk kallëzonin se çka u ba? Veç na thanë: “Hajde se s´keni me nejt ma n´Gjermani!” Atëherë veç kam kajtë se s´disha çka me ba?! S´mujsha me besu, edhe hala s´muj me besu, se jemi n´Kosovë. Gjermania…Kam pas shumë ëndërra në Gjermani, se atje kam pas shkollën, shoqërinë…E këtu duhet me ja nis prapë prej zeros”, thotë Genta, 16-vjeçare, vajza e madhe e familjes Rrustemi.

Në Gjermani kam shoqërinë, shkollën, jetën…

Vëllai i saj Atdheu, i cili se shpejti i mbush 15 vjet dhe flet rrjedhshëm vetëm gjermanisht, shton:

“Jeta në Gjermani ishte shumë e bukur. Atje kisha shumë shokë e këtu s´mund të kem ndonjë, se s´di të flas mirë shqip. As jeta n´Kosovë s´është e mirë…pa punë, pa argëtim, pa asgjë! Do të dëshiroja të kthehem në Gjermani, sepse atje është shoqëria ime, shkolla ime, jeta ime…“.

Përderisa Kushtrimi, i cili poashtu ka vështirësi me gjuhën shqipe thotë se:„Në Kosovë s´më pëlqen aq shumë, sepse këtu ka mbeturina gjithandej…“.

Në sytë e këtyre fëmijëve e ardhmja në Kosovë duket e zymtë. Megjithëse Kosova është shteti i tyre, vendlindja e tyre mbetet Gjermania prandaj psherëtinë:

„Dua të kthehem në Gjermani serish, se atje është vendlindja ime…”.

http://www.dw-world.de/dw/article/0,,5391132,00.html 

Leave A Comment

Your email address will not be published.