Lypës nga Shqipëria në Kosovë

Lypës në rrugë, Prishtinë

13 shkurt 2010, Dojçe Velle. Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë afro 80 per qind lypësve vinë nga Shqipëria. Arsyeja me e shpeshtë është shpresa për gjetjen e një vendi pune, në mungesë të të cilit lëmosha mbetet e vetmja mënyrë mbijetesë.

Ajo vjen nga Lezha. Por edhe pse me të bijën nëntë vjeçare mëngjes e mbrëmje kërkon lëmoshë nëpër trotuaret e Prishtinës, ajo nuk do të identifikohet, ngaqë i turpërohet realitetit të saj!

“Me vjen zor….Degjo, motra! Unë dal në ora tetë deri në ora 4 pasdite. Në Kosovë do të rri një muaj, sa t´baj një kasolle për t´jetu në të. Këtu banoj në një shtëpi me tri familje dhe paguajmë 100 euro për muaj. Lypim secili për vete, nëpër lokale, nëpër rrugë e kështu.”-rrëfehet me pak fjalë.

Kosova-Shpresë për lëmoshëkërkuesit

Dhe kjo grua s´është e vetmja, e cila qoftë e vetme, apo me familje ia ka mësyer Kosovës me shpresen për gjetjen e një vendi pune, shpresë kjo, e cila do të shuhet me t´u ndeshur me realitetin e rëndë edhe për vetë kosovarët.

“Shumica e familjarëve, të cilët vijnë me fëmijët e vegjël në Kosovë, tregun kosovar e shohin si shpresë për gjetjen e një vendi të punës. Mirëpo, në mungesë të punës ata detyrohen që të mbijetojnë duke kërkuar lëmoshë në rrugë” shpjegon kolonel Fahredin Verbovci, shef i Departamentit për Çështje të Komunitetit në Policinë e Kosovës, i cili nxjerr këtë konkludim nga intervistat e dhëna nga lëmoshëkërkuesit e identifikuar nëpër qendra të ndryshme të Kosovës.

Sipas të dhënave të këtij departamenti, vetëm gjatë vitit 2009 numri i lemoshëkërkuesve në Kosovë ishte 137-të, 87-të prej të cilëve kanë qënë shtetas të Shqipërisë, ndërsa 50-të të tjerë shtetas të Kosovës. Të njëjtën gjë e konfirmon edhe Instituti për Politika Sociale, ku në bazë të një hulumtimi për fenomenin e kërkimit lëmoshë, del se afro 80 per qind e lypësve vijnë nga Shqipëria.

Në Kosovë më shumë lypës nga Shqipëria sesa vendas

Trotuaret, kafeteritë, si dhe portat e objekteve fetare janë vendet më të shpeshta, ku stacionohen lypësit. Policia e Kosovës pothuaj çdo javë ndërmerr aksione për largimin e lëmoshkërkuesve nga rruga. Fushata mediale e përkrahur nga OSBE, me anë të së cilës iu bëhet thirrje qytetareve që të mos ndihmojne shfrytëzimin e fëmijëve duke ju afruar para si lëmoshë, vazhdon. Ndërkohë që për lypësit nga Shqipëria perveç riatdhesimit ka një procedurë tjetër.

“Rastet e të gjithë shtetasve të Shqipërisë, të cilët janë gjetur duke kërkuar lëmoshë në rrugë, janë proceduar në gjykata kompetente, të cilat kanë sjellë vendim që këtyre personave t´iu ndalohet hyrja në Kosovë. Ne do të bashkërendojmë aktivitetet me Drejtorinë për Migrim në kuadër të Policisë së Kosovës dhe si një trup koordinues do të punojmë pa hezitim për parandalimin e kësaj dukurie shqetësuese”- thotë kolonel Verbovci, sipas të cilit Policia e Kosovës ka kërkuar mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë, në Prishtinë dhe së shpejti pritet një takim i të gjitha paleve relevante, prej të cilit do të dilet me rekomandimet e përbashkëta për luftimin e këtij fenomeni shqetësues për shtetet fqinje, Kosovë-Shqipëri.

Ajetë Shaban Beqiraj, DW

Leave A Comment

Your email address will not be published.