Bettler im Kosovo
Lypës në Kosovë

10 shkurt 2010, Dojce Vele. Sipas të dhënave zyrtare në Kosovë afro 80% e lypësve vijnë nga Shqipëria. Arsyeja me e shpeshtë është shpresa për gjetjen e një vendi pune, në mungesë të të cilit lëmosha mbetet e vetmja mënyrë mbijetese. 

   Ajo vjen nga Lezha. Por edhe pse me të bijën nëntë vjeçare mëngjes e mbrëmje kërkon lëmoshë nëpër trotuaret e Prishtinës, ajo nuk do të identifikohet, ngaqë i turpërohet realitetit të saj!

“Me vjen zor…-ndrydhet ajo për të vazhduar: Degjo motra! Unë dal në ora tetë deri në ora 4 pasdite. Në Kosovë do të rri një muaj, sa t´baj një kasolle për t´jetu në të. Këtu banoj në një shtëpi me tri familje dhe paguajmë 100 euro për muaj. Lypim secili për vete, nëpër lokale, nëpër rrugë e

kështu.”

Dhe kjo grua s´është e vetmja, e cila qoftë e vetme, apo me familje ia ka mësyer Kosovës me shpresen për gjetjen e një vendi pune, shpresë kjo, e cila do të shuhet me t´u ndeshur me realitetin e rëndë edhe për vetë kosovarët.

“Shumica e familjarëve të cilët vinë me fëmijët e vegjël në Kosovë, tregun kosovar e shohin si shpresë për gjetjen e një vendi të punës. Mirëpo, në mungesë të punës ata detyrohen që të mbijetojnë duke kërkuar lëmoshë në rrugë”- shpjegon kolonel Fahredin Verbovci, shef i Departamentit për Çështje të Komunitetit në Policinë e Kosovës, i cili nxjerr këtë konkludim nga intervistat e dhëna nga lëmoshëkërkuesit e identifikuar nëpër qendra të ndryshme të Kosovës.

Në Kosovë më shumë lypës nga Shqipëria sesa vendas

Sipas të dhënave të këtij departamenti, vetëm gjatë vitit 2009 numri i përgjithshëm i lemoshëkërkuesve në Kosovë ishte 137-të, 87-të prej të cilëve kanë qënë shtetas të Shqipërisë, ndërsa 50-të të tjerë, shtetas të Kosovës. Të njëjtën gjë e konfirmon edhe Instituti për Politika Sociale, ku në bazë të një hulumtimi për fenomenin e kërkimit lëmoshë, del se afro 80 per qind e lypësve vijnë nga Shqipëria.

Prishtina

Trotuaret, kafeteritë, si dhe portat e objekteve fetare janë vendet më të shpeshta, ku stacionohen lypësit. Policia e Kosovës pothuaj çdo javë ndërmerr aksione për largimin e lëmoshkërkuesve nga rruga. Fushata mediale e përkrahur nga OSBE, me anë të së cilës iu bëhet thirrje qytetareve që të mos ndihmojne shfrytëzimin e fëmijëve duke ju afruar para si lëmoshë, vazhdon. Ndërkohë që për lypësit nga Shqipëria perveç riatdhesimit ka një procedurë tjetër.

“Rastet e të gjithë shtetasve të Shqipërisë, të cilët janë gjetur duke kërkuar lëmoshë në rrugë, janë proceduar në gjykata kompetente, të cilat kanë sjellë vendim që këtyre personave t´iu ndalohet hyrja në Kosovë. Ne do të bashkërendojmë aktivitetet me Drejtorinë për Migrim në kuadër të Policisë së Kosovës dhe si një trup koordinues do të punojmë pa hezitim për parandalimin e kësaj dukurie shqetësuese”- thotë kolonel Verbovci, sipas të cilit Policia e Kosovës ka kërkuar mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë, në Prishtinë dhe së shpejti pritet një takim i të gjitha paleve relevante, prej të cilit do të dilet me rekomandimet e përbashkëta për luftimin e këtij fenomeni shqetësues për shtetet fqinje, Kosovë-Shqipëri.

http://www.dw-world.de/dw/article/0,,5245055,00.html 

Leave A Comment

Your email address will not be published.