Date Archives January 2010

Narkomania në Kosovë në rritje

21 janar 2010, Dojçe Vele. Narkomania në Kosovë është në rritje.Përdorues të drogave janë të të gjitha grupmoshat.Mirëpo, asnjë institucion nuk ka të dhëna të sakta për përdoruesit e drogës e as për sasinë e konsumimit të drogës në Kosovë.

„Heroinën e kam përdor dhjetë vjet. Kam fillu me cigare, prej cigares në hundë, në folje e kështu me radhë deri n´spritz. Kam qënë n´Zvicër dhe jam kthy kur krisi lufta n´Kosovë. Pas luftës një shok imi e mbështolli një cigare dhe ma ofroi pak. Të nesërmen poashtu…E kshtu kaluan dhjetë vjet! Një dozë më mbante një ditë. 20 euro në ditë më kanë shkuar të pastra e shpeshherë, ka ndodh deri në 30-të“.

Kjo është historia e kosovarit 34 vjeçar të varur nga substancat narkotike; histori dhjetëvjeçare e ecjes së përditshme drejt greminës, në të cilën tërhoqi pas vetes bashkëshorten dhe pesë fëmijët e tij. „Kjo për familjen ish një katastrofë! S´kish gja ma vështirë…Armikut ma t´madh mos ia pafsha! Sa herë të dëgjoj se e merr dikush do t´i tregoj ku çon droga. Mua ma ka shkatërru jetën, ma ka humb pasurinë, ma ka shkatërru familjen, ma ka humb shëndetin…I kam pas 102 kg, tash kam rënë në 50-60-të!“-rrëfen ai ndër psherëtima.

Vitin e kaluar, Qeveria e Kosovës ka miratuar Strategjinë kundër drogave në Kosovë, ku ndër pesë ministritë përgjegjëse për implementimin e saj, Ministria e Shëndetësisë ofron programe parandaluese , trajtim dhe rehabilitimin e individëve që kanë përdorur drogë. Ndërkohë, në Kliniken Psikiatrike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës,funksionon Reparti për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë.

Trajtimi i viktimave të drogës bëhet gradualisht

Shaban Mecinaj, psikiatër

Shefi i këtij reparti, dr.Shaban Mecinaj, psikiater, inkurajon përdoruesit e substancave narkotike që të drejtohen në këtë qendër detoksikuese, e cila megjithëse me kapacitete të vogla mbetet e hapur për të gjithë ata që duan t´i rikthehen jetës normale. “Në klinikë fillimisht bëjmë një intervistë motivacioni. Dhe, në momentin që pacienti pranon të trajtohet, atëherë ne bëjmë pranimin dhe trajtimin e tyre në një kohëzgjatje prej 10-të deri në 15-të ditë. Kjo quhet periudha e detoksikimit apo e pastrimit nga substancat narkotike. Mirëpo, krahas programeve detoksikuese, neve na mungojnë programet mbajtëse. Dhe fatkeqësisht, deri me tani s´ka ndonjë fond të veçantë për këtë fenomen, përveç një iniciative nga Fondi Global, i cili së shpejti pritet të themelojë tri qendra, në Prizren, Gjilan dhe në Prishtinë,“- shpjegon Dr.Mecinaj. Nëpër duart e tij kanë kaluar pacientë prej moshës 14-të deri në 16-të vjeç të cilet kanë përdorur marihuanë, si dhe përdorues të heroinës, metadonit, heptanonit e llojeve të ndryshme të opiodieve, mbi 19-të vjeç.

Në Repartin për Trajtimin e Sëmundjeve të Varësisë në kuadër të Klinikës së Psikiatrisë është shtrirë edhe përdoruesi dhjetëvjeçar i heroinës, i cili përshkruan për DW-në gjëndjen e tij: “Kur e marr drogën jam në qejf, psiqikisht, fizkisht e shpirtërisht. Kur nuk e marr, kam dhembje barku, gjoksi…S´mund rri n´ këmbë! N´spital jam për herë të parë dhe jam, jo pak por shumë mirë. E me emër të Zotit kam shpresë se do të shërohem!“

Nuk ka të dhëna të sakta për përdoruesit e drogës

Narkomania në Kosovë është gjithnjë e në rritje. Mirëpo, asnjë institucion ndërkohë nuk ka të dhëna të sakta për përdoruesit e drogës, shpërndarësit apo për sasinë e konsumuar në Kosovë. Megjithëse Policia e Kosoves ka të dhëna të shumta për sasitë që hyjnë në Kosovë, qoftë për brenda saj apo tranzit si dhe për të arrestuarit për posedim, trafikim, përdorim, kultivim etj.. Skandali i vjedhjes se 47 kg drogë brenda objektit të Policisë së Kosovës vitin e kaluar, edhe më tej mbetet mister me zbardhjen e të cilit, po merret prokuroria e EULEKS-it-thonë nga Policia e Kosovës.

Sipas një studimi të kryer nga OBSH, UNICEF-i dhe UNFPA rreth 3.8 per qind të të rinjve kosovarë, 5.5 për qind meshkuj dhe 2.2 për qind femra, kanë pranuar se kanë provuar marihuanën, hashashin apo ndonjë lloj bari të familjes së drogave, që të të gjithë prej 20 deri në 24 vjeç. Sipas studimit, 2 për qind e të rinjve kanë përdorur ekstasy dhe kokainë, kurse 2.6 për qind kanë pranuar se kanë përdorur medikamente pa recetë, si trodon, bensedin, fotral, valeron, methadon.

Vaxhide Sopjani, sociologe

Dhe, kjo nis që në bankat e shkollës fillore, thotë Vaxhide Berisha Sopjani, sociologe, e cila ka përvojë të drejtpërdrejt në trajtimin e kësaj kategorie sociale: “Është mosha e re së pari ajo që i bën të rinjtë kureshtarë për të provuar dhe pastaj kanë krijuar varësi nga drogat. Faktor tjetër është se trafikantët e drogës kujdestarojnë gjithmonë dhe gjejnë forma për t´ua ofruar të rinjve „sa për ta provuar“. Kështu, radha e përdoruesve rritet vetëm nga kureshtja. Mirëpo, në bazë të përvojës sime, në numrin më të madh të rasteve kanë ndikuar çrregullimet në familje“.

Lëndë mësimore për parandalimin e konsumimit të drogave

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, merr pjesë në parandalimin e shpërndarjes së drogave nëpërmjet programeve të rregullta, në të cilat mund të kycen prindërit dhe komuniteti në përgjithesi. Me Ligjin (e rishikuar) për Arsimin Parauniversitar, prindërve ju jepet një rol i rëndësishem duke u kyçur kështu drejtpërsëdrejti në organet vendimmarrëse. Besa Bytyqi, zëdhënëse e kësaj ministrie vjen me iniciativën më të fundit për parandalimin e shpërndarjes së këtij fenomeni nëpër shkolla: “Në kornizën e re të kurrikulit të Kosovës, një lëndë mësimore do të jetë Shëndeti dhe Mirëqënia. Pra, edhe pse është bërë shumë në këtë drejtim, ne jemi duke marrë hapa institucionalë për luftimin e kësaj dukurie si dhe të dukurive të tjera negative dhe sjelljeve deviante nëpër shkolla.”

„Droga ta shkatërron jetën!“-është refreni që përsëritet nga narkomanët. Është një klithmë e brendshme që askush të mos shkojë rrugës që përshkuan ata. Sepse, përsërit viktima 34 vjeçare nga Kosova:

 „Droga ta shkatërron jetën! Mua ma ka shkatërruar tashmë…“.

Ajetë Shaban Beqiraj,DW

Numri i shkurorëzimeve në Kosovë është në rritje

20 janar 2010, Dojçe Welle. Edhe pse në krahasim me vendet perëndimore dhe ato të rajonit, numri i shkurorëzimeve në Kosovë është më i vogël, dukuria është aktualr dhe në rritje. Shkaqet kryesore, dhuna në familje si dhe gjëndja e rëndë ekonomike.

Një barakë e drunjtë rrëzë pishave të Deçanit është vendbanimi i Safete B., e shkurorëzuar tashmë, e cila thotë se dy vjet pas lindjes së vajzës është nxjerrë në rrugë nga bashkëshorti dhe familja e tij. Ndërsa, barrën e fanatizmit të traditës patriarkale duhet të bartë e vetme, sepse kjo grua tashmë është braktisur edhe nga familja e saj. “Unë jetoj këtu veç me vajzën. I kam tre vllezër e dy motra. Po, nuk m´ndihmojnë se m´kanë thanë: “E ke marr burrin pa na pyet neve!“ Kurrkush s´më ndihmon, veç një motër e nëna fshehurazi familjes…50 euro i kam social. A me ble dru, a me ble miell, a me shku te mjeku? Pasha Zotin e kokën e këtij fëmije, kurrë ma ngushtë veten s´e di!“-thotë ajo.

Institucioni i martesës nuk është me një tempull i shenjtë

Ndarja e bashkëshorteve, shkapërderdhja e familjeve dhe vënia në pikëpyetje e të ardhmes së fëmijeve, s´është më pengese sa ishte dikur. Stigmatizimi nga shoqëria i thyesve të kurorës nuk ndodh më, përderisa flijimi për nder të familjeve ka mbetur i së kaluarës. Si rrjedhojë, numri i shkurorëzimeve është në rritje dhe kjo me kërkesën e të dyja palëve. Por, duke qënë se të dhënat përfundimtare të një viti kalendarik dalin vetëm në fund të muajit janar, Hamide Konjushevci, shefe e Departamentit të Statistikave të Popullsisë në Entin e Statistikave të Kosovës, vjen me shifrat e vitit 2008 të cilat janë të përafërta me vitin që lamë pas.

„Shkurorëzimet kanë qënë 57.2 promil, që don të thotë, në 1,000 të kurorëzuar, shkurorëzohen 52 çifte…Në total i kemi 1,026 shkurorëzime, me numrin më të madh në Prizren me 9 për qind, në Gjakovë 8,3 për qind, kurse në Prishtinë me 8 për qind. Grupmosha e grave është 20-40 vjeç, ndërsa mosha e meshkujve është 25-45 vjeç. Shkurorëzimi dominon tek personat me shkollë të mesme si dhe tek ata me shkollë fillore, e cila kategori shënon perqindjen më të madhe të shkurorëzimeve. 69 per qind të të shkurorëzuarve janë pa fëmijë. Pra, 722 çifte nuk kanë fëmijë, ndërsa ndër 191 fëmijë të të shkurorëzuarve, kujdestaria për 173 fëmijë I takon nënës, ndërsa për 18-të prej tyre, baballarëve. Pra, është brengosëse se sa barrë merr gruaja në shoqërinë kosovare”.

Dhuna shkaku kryesor i shkurorëzimeve

Këto të dhëna zyrtare burojnë nga Zyrat e Gjendjes Civile apo nga Gjykatat e Qarkut, nga të gjashtë qendrat më të mëdha të Kosovës, prej të cilave si shpjegim për shkurorëzimet vjen dhuna përbrenda familjes, karakteret e ndryshme të bashkëshorteve, mosha e re si dhe gjëndja e rëndë ekonomike.

Por, a është më i mirë shkurorëzimi apo një martesë e dhunshme?- pyet Vaxhide Berisha Sopjani, sociologe. „Rrjedhimisht po vjen deri te problemet të cilat për çiftin po duken të pakapërcyeshme. Atëherë, si alterantivë e vetme po mbetet divorci. Pastaj, varfëria, pabarazia gjinore…Sa më shumë të jenë çiftet të ngritur, ata bëjnë kërkesë për shkurorëzim pa dhënë arsyet. Ndërsa sa më e ulët shkalla e arsimit, ata e paraqesin dhunën si shkak të shkurorëzimit.

Mungojnë statitistikat për gjithë Kosovën

Për shkurorëzimet, por edhe kurorëzimet, lindjet dhe vdekjet, Enti i Statistikave nuk ka mbulesë në gjithë territorin e Kosovës. “Për arsye se komuniteti serb nuk raporton statistikat te ne. Ndërsa, për komunitetet tjera-pakicë posedojmë me të gjitha të dhënat, çfarëdoqofshin ato sepse ata raportojnë te ne. Ndërsa, statistikat e shkurorëzimeve në bazë të perqindjes nuk dallojnë nga komuniteti shqiptar, se mbase mentaliteti është deri diku, i njëjtë” – thotë z.Konjushevci, shefe e Departamentit të Statistikave të Popullsisë.

Shkurorëzimet në Kosovë dhe kurorëzimet formale me shtetas të huaj për shkaqe ekonomike, martesat pa kurorë dhe shumë dukuri të tjera pengojnë sjelljen e një pasqyre të realtë të martesave dhe shkurorëzimeve në Kosovë, poashtu. Por, megjithëse ardhja e bashkësisë ndërkombëtare bashkë me frymen e një demokracie evropiane, shpeshherë të keqkutuar dhe të keqinterpretuar, rriti grafikun e shkurorëzimeve në Kosovë, sipas Entit të Statistikave të Kosovës, Kosova në krahasim me Evropën qëndron ende larg. Ndërsa, krahasuar me shtetet e rajonit ka një perqindje më të vogël të shkurorëzimeve, po ashtu.

Ajetë Shaban Beqiraj, DW

Lypës të vegjël ka në cdo qendër të Kosovës

15 janar 2010, Dojce Vele & Radio Kosova, Në cdo qendër të Kosovës vërehen fëmijë të cilët shtyhen nga prinderit apo persona të tjerë që të kërkojnë lemoshë,.Policia e Kosovës e mbështetur nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka lancuar projektin “Të Drejtat e Fëmijëve-Largimi i lëmoshëkërkuesve” i cili po implementohet anembanë Kosovës. Projekti ka për qëllim identifikimin e fëmijëve që kërkojnë lëmoshë si dhe rehabilitimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.

http://www.dw-world.de/dw/article/0,,5134497,00.html 

Dhuna ndaj femrës në Kosovë

13 janar 2010, Dojce Vele & Radio Kosova, Përjetimet e luftës, zhgënjimet e pasluftës, tranzicioni dhe ndryshimet e përgjithshme shoqërore, pozita e rëndë ekonomike, varfëria, papunësia, niveli i ulët i arsimimit dhe pabarazia gjnore, janë disa nga faktorët kryesore që cojnë deri tek dhuna ndaj femrës, e cila vjen më së tepërmi nga bashkëshorti, i fejuari apo njeriu me të cilin janë në lidhje.

http://www.dw-world.de/dw/article/0,,5133645,00.html