Date Archives October 2009

Demarkacioni me Maqedoninë-Kosova humbet 2500 hektarë

20 tetor 2009, Dojçe Velle. Në bazë të marrëveshjes se ratifikuar për demarkacionin e kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë, 20 hektarë tokë të njohura si „Kodra e Furrës”, kalojnë në territorin e Maqedonisë. Qytetarët të zhgënjyer në “dhuruesit” e pronave të tyre Maqedonisë.
„Kodra e Furrës”jashtë kufijve të Kosovës

Me marrëveshjen e 2001-shit midis Beogradit dhe Shkupit për dhurimin Maqedonisë të 2500 hektarëve tokë të Kosovës, marrëveshje që u ratifikua në Këshillin e Sigurimit, Bashkësia Ndërkombëtare shkeli Rezolutën 12/44 e cila garanton mbrojtjen e kufijve të territorit të Kosovës. Vija kufitare Kosovë- Maqedoni e cila që nga viti 2001 mbeti një zonë problematike, është shënuar tashmë me një marrëveshje të nënshkruar nga të dyja qeveritë, në bazë të së cilës 20 hektarë prona private të banorëve të fshatit Debelldeh në vendin e njohur si „Kodra e Furrës”, mbeten jashtë kufijve të Kosovës.

Marrëveshja kundër vullnetit të banorëve

„Marreveshje kjo e nënshkruar kundër vullnetit të banorëve të këtushëm, ” – thotë Zymri Iljazi, përfaqësues i fshatit Debelledeh. Banorët lokalë janë viktimë e asaj marrëveshjeje të 2001-shit me anë të së cilës Beogradi ia dhuroi Shkupit tokën e Kosovës dhe poashtu edhe këtë pjesë të Debëlldeut, edhe pse kjo është tokë jona, posedon me të gjitha dokumentet, dëshmitë…”.

„Jemi të zhgënjyer nga Komisioni ynë se atë ditë që kanë dalë me i vu kufijtë, i kanë caktu me ngjyrë të kuqe por gurët nuk i kanë ngul. I kanë ngul diku tre kilometra-katër përbrenda kufirit të Kosovës. E për këtë tokë njerëzit kanë derdh gjak,”- thotë 40 vjeçari Burim Hasani, pronar i pesë hektareve tokë. „Sipas nënvizimit të atyre pikave, nuk ka qënë dashtë të shkojë asnjë pëllëmbë nga pronat private në territorin e Maqedonisë. Mirëpo, se çka u punu prapa…”- thotë me dyshim Fazliu, banorë i Debelldeut.

„Bile në fshatin Dunav janë marrë shumë pyje dhe gjysma e fshatit Zllakucan nga ana e Maqedonise. Tash është ngjyra e verdhë kah e kanë pas serbët, e maqedonët kanë hy nja pesë kilometra përbrënda territorit të Kosovës”- shton Rrahim Ismajli.

Qytetarët:”Tokat tona mbeten brënda Maqedonisë…”

Lidhur me këtë, Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Zenun Pajaziti ka këtë përgjegje: „Asnjë qytetar nuk do të jetë i privuar nga e drejta e tyre për ta punuar, shfrytëzuar dhe për ta poseduar tokën e vet dhe kjo është një punë tashmë e kryer. Banorët e dimë se janë të shqetësuar për shkak të përvojave të kaluara. Por, shtetet fqinje janë të interesuara t´i qasen më ndryshe se nga e kaluara menaxhimit të kufirit. Ne poashtu kemi edhe obligime të përbashkëta në procein e integrimeve evropiane ku çështja e menaxhimit e integruar të kufirit është një qështje që trajtohet me politika të veçanta nga BE.”

Më lehtë nuk kalojnë as banorët e brezit kufitar me Serbinë. „Tash me 1912 janë vu kufijtë në tokën time. Unë në Bellush jam le. Aty është toka jonë, prej babe, babgjyshi e katragjyshi. As s´na ka kallxu kush që është ra kufiri me poshtë. E tash po thonë 500 metra asht shty kufiri në territorin e Kosovës, ” – thotë Idriz Dema, nga Pollata e Podujevës, tre anëtarë të familjes së të cilit jo fort larg u arrestuan nga policia kufitare e Serbisë.

Rugovasit alarmojnë për zbritje të kufirit Kosovë-Mal i Zi

Ndërkohë që, shqetësime të tilla vijnë edhe nga banorët e Rugovës lidhur me bjeshkët përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi. „Dihet ku o kone kufiri…O konë n´Qafë të Cakorrit, janë Moknat, është Hajla. E kufiri ash thy shumë thellë. E s´asht të tyre, dihet! Na tokën tonë kurrkujt nuk mundem me ia lanë!”-thotë Dervish Nikci, 70 vjeç nga Shkreli i Madh i Rugovës.

Nga ana tjetër në Kullë, në pikës kufitare Kosovë – Mal i Zi, u vu ditë më parë pesë kilometra brenda territorit të Kosovës tabela me mbishkrimin “Mirëseerdhët në Malin e Zi”. „Atje ka qenë vendosur nga KFOR-i një tabelë por ajo është zëvendësuar nga autoritetet e Malit të Zi. Vënia e tabelave nuk nënkupton përcaktimin e vijës fizike të kufirit dhe kjo duhet të jetë e qartë. Vija e kufirit është e përcaktuar. Shqetësimet që shpeshherë dalin nga veprime të pakujdesshme edhe nga vendet fqinje, nuk determinojnë lëvizje të kufirit dhe kjo nuk mund të bëhet tek ashtu…”-mendon ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti.

Ministri Pajaziti: “Kosova i ka kufijtë e vet”.Qytetarët:”Po na tkurren kufijtë”

E në ka tkurrje të kufijve të Kosovës në emër të zonave administrative, ministri Pajaziti, përgjigjet: „Jo, jo nuk kemi! Unë nuk shoh asnjë problem në këtë drejtim. Kosova i ka kufijtë e vet, të njohur ndërkombëtarisht. Pazare me kufijtë nuk bëhen dhe kjo nuk duhet të komentohet ashtu. E nëse ka ndonjë paqartësi, ne do të vendosim grupe punuese me të gjitha vendet fqinje sikur e bëmë me Maqedoninë, për ta bërë vijëzimin fizik të kufirit. Dhe, për këtë nuk duhet të ketë asnjë shqetësim”.

Banorët e 21 fshatrave të brezit kufitar me Malin e Zi, protestuan të hënën (19.10.2009) në Pejë, me kërkesën që të definohet sa më shpejt çështja e kufirit Kosovë-Mal i Zi, që asnjë milimetër tokë e Kosovës të mos kalojë nën administrim të Malit të Zi si dhe të hiqet tabela e këtij shteti brënda kufirit të Kosovës, përderisa të mos lidhet marrëveshje ndërshtetërore për vijën kufitare Kosovë – Mal i Zi.

Ajetë Shaban Beqiraj, DW

Tkurrja e kufijve te Kosovës

19 tetor 2009, Dojce Vele & Radio Kosova, Në bazë të marrëveshjes se ratifikuar për demarkacionin e kufirit në mes të Kosovës dhe Maqedonisë, 20 hektarë tokë të Kosovës të njohur si „Kodra e Furrës“, kalojnë në territorin e Maqedonisë. Nga ana tjetër, dite me parë pesë kilometra përbrënda kufirit të Kosovës nga ana e qeverisë së Malit të Zi, është vënë tabela me mbishkrimin „Mirëserdhët në Malin e Zi“. Se si priten veprime të tilla nga qytetarët e Kosovës dhe në ka tkurrje të kufirit në emër të zonave administrative.

http://www.dw-world.de/dw/article/0,,4809175,00.html 

Kosova në Ditën Ndërkombtare të Varfërisë

17 tetor 2009, Dojce Vele & Radio Kosova, Sipas statistikave, mbi 40 per qind e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri, rreth 13 per qind prej të cilëve në varfëri të skajshme. Ndërsa, nga Ministria per Punë dhe Mirëqenje Sociale marrin asistence 135 mijë familje me 170 mijë anëtare.

 

Dhuna në familje në rritje apo vetëdia për ta raportuar?

16 tetor 2010, Dojçe Velle. Përjetimet e luftës, tranzicioni dhe ndryshimet e përgjithshme shoqërore, varfëria, papunësia, niveli i ulët i arsimimit dhe pabarazia gjinore, janë disa nga faktorët që çojnë deri tek dhuna ndaj femrës. Sipas Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2009 i janë nënshtruar dhunës  823 femra.


Asaj s´mund t´i përmendet emri. Asaj s´mund t´i publikohet as vendi, prej nga vjen. Që familja e saj të mos përballet me të papritura të tjera, mund të përshkruhet vetëm fatkeqësia, të cilën për Dojçe Vele-n rrëfen babai i viktimës: “Kam me t´mbyt ty e vllazni e shpi e krejt kam me iu kall. I thashë: „Ti je njeri i panjeri. A je kah e sheh çka je tuj ba? Dhëndër e kisha…Kjo nisi po qan. Thashë a di çka? Drejt me shku n´polici me lajmëru”.

E se çfarë do të thotë të sulmohesh për vdekje nga njeriu, të cilin e zgjedh për jetë, këtë e di më së miri e bija e tij, nënë e djalit të burrit i cili tentoi tra vriste: „Kemi qënë me motrën duke ecur pranë parkut, kur ai doli dhe më sulmoi…M´kapi për gjoksi dhe më shtriu përtokë e m´ra thikë në anë të majtë, nga zemra deri në ijë. Ma s´kam dit për vete. Si e kam përjetu?!…S´kam mendu që ma ban bashkeshorti këtë kurrë! Kam thanë po bën lojë. E se është i tillë, s´kam besu kurrë! Njeri i paedukuar, i pashpirt, i pamoralshëm, kriminel…Dikush, që therr gruan e vet, midis qytetit e don me e lanë evladin e vet rrugëve, ai s´mund të jetë njeri“.

Dhe raste të tilla në Kosovë ka shumë-thotë, toger Tahire Haxholli, shefe e sektorit “Dhuna në familje” në Drejtorinë e Krimeve të Rënda në kuadër të policisë së Kosovës, sipas së cilës vetëm gjatë vitit 2009, 823 femra i janë nënshtruar dhunës, e cila në të shumtën vjen nga bashkëshorti, ish-bashkëshorti, apo i fejuari. „Po janë edhe me qindra raste pothuajse të njëjta. Ndërsa në rastin e sipërpërmendur janë ndërmarrë disa procedura në bazë ligjore. Fillimisht i është lëshuar urdhëri mbrojtës, viktima është dërguar në Qendër Mjekësore si dhe menjëherë janë kyçur hetuesit primarë të dhunës familjare dhe mbrojtësi i viktimave. Personi pas një kohe është arrestuar dhe tash gjendet në paraburgim“.

Por sikur mos të dorëzohej vetë, zor se do të kapej nga policia e Kosovës, mendon babai i viktimës Z.L. nga Peja, të cilit situatat nëpër të cilat kaloi, ia kanë humbur besimin edhe në drejtësi. Këtë e dëshmon me këtë dialog në njerin nga rastet e shpeshta të bredhjeve të dhëndërit, natën, rreth e rrotull shtëpisë së tij: „Tha: “Po vjen policia dhe dy civile!”. Thashë: “Ata po vinë për ty, t´vraftë ai Zot, që t´ka falë!”-I thashë. Kur erdhën policia, m´pyetën se ku është? “Iku!”-iu thashë. “Pse iku?”-me pyetën. “Se i tregoi dikush n´telefon, që po vjen policia edhe dy civilë”. Hah! Aty e ditën policia se dikush nga brënda po e lajmëron, se kurrkush s´dinte, ku është dhëndëri im e ku po shkon policia? Pra, atë e lajmëronte dikush përbrënda policisë. Qeshtu shkuan tri javë, derisa u dorëzu vetë…„-rrëfen babai i viktimës.

Përjetimet e luftës, zhgënjimet e pasluftës, tranzicioni, shpërputhja midis pozitës socio-ekonomike dhe tendencave të përshpejtuara drejt modernizimit, punësimi i femrave pas luftës, niveli i ulët i arsimimit, pabarazia gjinore dhe tradhëtia bashkëshortore, janë disa nga faktorët kryesorë, që çojnë deri tek dhuna në familje me ç´rast assesi s´mund të përjashtohen edhe pozita e rëndë ekonomike, papunësia dhe varfëria.

Sociologja Vaxhide Berisha Sopjani, udhëheqëse e divizionit për hulumtime në Institutin për Politika Sociale, i cili vepron në kuadër të Ministrinë për Punë dhe Mirëqënie Sociale të Kosovës, pas hulumtimeve të shumta del me rekomandimet: “Për hapje të vendeve të reja të punës për të dyja gjinitë, punësimin e nënave vetëushqyese, strehimin e grave të divorcuara, më shumë strehimore për viktimat e dhunës në familje“, Zonja Sopjani thotë se organizatat joqeveritare, megjithëse kanë bërë një punë të mirë për nxjerrjen e këtij problemi jashtë mureve të hekurta të shtëpisë, kanë lënë punën përgjysmë duke vepruar vetëm derisa kanë pasur donacione. “Dhe gratë janë përballur me probleme shumë më të mëdha dhe kanë mbetur në një udhëkryq. Në këtë drejtim kemi bërë thirrje që organizatat joqeveritare të punojnë në parandalimin e dhunës brënda familjes, por edhe më shumë në sanimin e marrëdhënieve familjare duke mos e parë si zgjidhje të vetme shkurorëzimin”, thotë sociologja Sopjani.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, që nga viti 2003, kur edhe ka hyrë në fuqi Rregullorja e UNMIK-ut 2003/7 Kundër Dhunës në Familje, e deri në vitin 2007 ngritja e raportimeve të dhunës ka shënuar ngritje. Përderisa në vitin 2007, 2008 dhe 2009 raportimi i dhunës në familje ka pësuar një rënie, e cila besohet se vjen si rrjedhojë e ngritjes së vetëdijes se dhuna e çdo forme ndëshkohet dhe sanksionohet nga mekanizmat ligjor të çdo niveli.

Ajetë Shaban Beqiraj, DW

Roli i trashegimise kulturore ne zhvillimin e turizmit

15 tetor 2009, Dojce Vele & Radio Kosova, Zhvillimi i turizmit është një degë e rëndësishme e ekonomisë kosovare. Diversiteti kulturor dhe natyror ku ndërthuren vlerat e trashëgimisë tradicionale e bëjnë atë tërheqëse për vizitorët të cilët dëshirojnë të prekin nga afër gjurmët e epokave të ndryshme historike në këtë pjesë të Ballkanit.

 

Agjencioni i Përkrahjes së Punësimit në Kosovë

13 tetor 2009, Dojce Vele & Radio Kosova, Agjencioni i Përkrahjes së Punësimit në Kosovë deri me tani ka mbështetur integrimin ekonomik të 7,000 qytetarëve si dhe themelimin e 1600 bizneseve. Krahas aktiviteteve të shumta, kjo organizate joqeveritare e cila trashegon AGEF-in gjerman me seli në Berlin mban kurse intezive të gjuhës gjermane për kandidatët e interesuar për bashkim familjar; kusht ky elementar për të marre vizën në Gjermani.






Toleranca fetare dhe objektet e kultit

11 tetor 2009, Dojce Vele & Radio Kosova, Tradicionalisht, si religjion I njohur ndër shekuj në Kosovë është krishterimi katolik. Me rënjen e Kosovës nën pushtues të ndryshëm, në territorin e saj u shtri besimi musliman dhe ai ortodoks. Dhe, megjithëse koha e luftës dhe trazirat pas saj rrënuan shumë monumente te besimit musliman e ortodoks, Kosova vazhdon të radhitet ndër shtetet me tolerancen më të madhe ndërfetare.

 

Fondacioni Friedrich Ebert-9 vite të suksesshme në Kosovë

Selia e Fondacionit Fridrich Ebert

30 shtator 2009, Dojçe Velle. Promovimi i demokracisë, mbështetja e të rinjve, zhvillimi i mirëkuptimit dhe evitimi i konflikteve, janë disa nga synimet e Fondacionit Gjerman “Friedrich Ebert”, i cili ka mundësuar realizimin e 300 projekteve.

„Roli i Deputetit Përballë Elektoratit dhe Qytetarit“, është vetëm njëri ndër debatet e mundësuara nga fondacioni gjerman „Friedrich Ebert”, në të cilat me diskutime të nxehta shtrohen problemet dhe kërkohen përgjegjësitë nga institucionet përkatëse. Dhe kjo, sipas Adem Lushajt, drejtor i Shoqatës së Intelektualëve të Pavarur në Deçan-implementuese e projektit, vjen për shkak se „mungon një bashkëpunim i mirëfilltë mes qeverive komunale dhe deputetëve në Kuvendin e Kosovës. Ndërkohë që edhe bashkëpunimi mes qytetarëve është vetëm në takimet e subjekteve politike të cilave u përkasin.

Anëtari i Klubit të Debatit, Abedin Lataj mendon se përgjegjësinë e kanë bashkëqytetarët, të cilët “megjithëse janë aktualisht deputetë në Parlamentin e Kosovës, nuk kane bërë për Deçanin sa duhet”.

„Çka keni bërë për Deçanin deri me tani? Sa herë jeni taku si grup që të mbroni interesin e Deçanit? A e dini që pyjet e Deçanit janë në shkatërrim e sipër? A jeni të vetdijshëm se Deçani është mes dy komunave të mëdha dhe kur janë në pyetje thithjet buxhetore, komuna jonë gjithmonë do të mbetet anash?“, janë disa nga pyetjet që kërkojnë përgjigje.

Ndërsa, Fahrije Haklaj, bën thirrje për zgjidhje të problemeve bashkërisht.

„Tash duhet gjetur shkakun e gjithë kësaj! A është fajtor menaxhimi i dobët apo është qeveria, për të cilën është formuar një bindje se po na anashkalon? Le ta gjejmë se çka është në pyetje dhe të dalim para popullit me të vërtetën, mos t´i rrejmë se i rrejtëm boll!“, thotë ajo.

Deputetët duhet të familjarizohen me problemet e qytetarëve

Dhe kërkesa për dalje të deputetëve nga gëzhoja politike dhe afrimi i tyre pranë halleve të qytetarit është vetëm një nga kërkesat e debatuesve nga qendra të ndryshme të Kosoves, të cilat shtrohen në tryezat, forumet e debatet e mundësuara nga fondacioni gjerman „Friedrich Ebert“ – thotë Besa Luzha, koordinatore e programit të këtij fondacioni për Kosovë.

„Kemi bërë përpjekje që nga propozimet që na kanë arritur nga komunat të zgjedhim ato që janë më afër brengave të qytetarëve të komunës përkatëse. Në këtë mënyrë kemi pas debate të organizuara në Deçan, në Gjilan, në Viti, në Prizren, në Pejë. Do të thotë, anekënd Kosovës varësisht nga problemet.

 Kosovo Unabhängigkeit Erklärung im Parlament in Pristina
Parlamenti i Kosovës – shumë deputetë kanë nevojë për afrim me popullin

Sipas saj, formimi i shprehisë së komunikimit në mes të qytetarëve dhe institucioneve, promovimi i një kulture politike demokratike, mbështetja e të rinjve në edukim të mëtutjeshëm si dhe zhvillimi i mirëkuptimit dhe bashkëpunimi në evitimin e konflikteve, janë disa nga synimet e fondacionit “Friedrich Ebert”, i themeluar në vitin 1925, si trashëgimi politike e Presidentit të parë gjerman, të zgjedhur në menyrë demokratike.

„Dëshira e tij ka qënë që me anë të këtij fondacioni të ndihmojë edukimin politik, qoftë të atyre që do të merren me politikë, poashtu edhe në edukimin e qytetarëve, se në njëfarë mënyre, politikën mund ta zhvillojnë të githë qytetarët në formën e vet“, thotë Luzha.

Aktivitete të shumta të fondacionit

Fondacioni “Friedrich Ebert”, i cili tash nëntë vjet vepron në Kosovë, është një institucion politik

Kosova falenderon Gjermaninë

jofitimprurës i angazhuar në parimet dhe vlerat bazë të demokracisë sociale, me punçn edukuese të orientuar kah politika. Me një staf prej 581 personash, me zyrën kryesore në Berlin, me gjashtë qendra edukimi, dymbëdhjetë zyra rajonale dhe me 90 zyra të tjera në vende të ndryshme të botës, fokus në Kosovë ka politikën, bën të ditur koordinatorja Luzha.

„Mendoj se kemi bërë diçka me tepër me qëllim që partitë të veprojnë si parti të mirëfillta politike të orientuara në një program, ideologji apo vlerë. Fondacioni ynë ka qenë ndoshta i pari dhe i vetmi që e ka hapur debatin e profilizimit të partive“, thekson ajo.

Fondacioni gjerman „Friedrich Ebert“, i financuar nga qeveria gjermane dhe landet, që nga hyrja e tij në Kosovë ka mundësuar realizimin e afro 300 projekteve në fusha të ndryshme. Fondacioni do të japë kontributin e vet edhe në kuadër të manifestimit „Javët Gjermane“ që po mbahet në Kosovë, me ç´rast do të mundësojë mbajtjen e tri tryezave të rrumbullakta me tema interesante për Kosovën dhe qytetarin e saj.

Ajetë Shaban Beqiraj, DW