Reqica në brezin kufitar Kosovë-Serbi

15 gusht 2009, Dojçe Velle. Si pasojë e trazirave të viteve të fundit të cilat përfunduan me luftën e Kosovës, fshatra të tëra në brezin kufitar me Serbinë janë boshatisur. Sfidat e banorëve të mbetur vazhdojnë…

Podujeva, në verilindje të Kosovës është komunë me 92 kilometra brez kufitar. Mirëpo, të veçantën e shndërron në sfidë fakti se kjo zonë kufitare shtrihet mes Kosovës dhe Serbisë. Se sfidat vazhdojnë, dëshmon arrestimi i tre banorëve të Pollatës nga policia kufitare e Serbisë në korrik të këtij viti me akuzën për „shkelje ilegale të kufirit“. Sabri, Nexhip dhe Riad Dema nga fshati Pollatë i Podujevës, u arrestuan, teksa po punonin tokat e tyre në fshatin Bellush, rrëzë brezit kufitar, Kosovë-Serbi.

Vazhdojnë provokimet serbe mbi shqiptarët e fshatrave në kufi me Serbinë

“Jo vallahi nuk asht livadhi i Serbisë! Le t’i sjellin skicat. N´daltë livadhi andej kufirit, le t´na marrin edhe neve! … Ata, e kanë marrë një hoxhë n´tokë t´vet e e kanë nguju pa iu ba kurrgja hiç. Ata po na marrin kur po dojne!- thotë Idriz Dema, duke aluduar në njërin ndër të arrestuarit, imam në xhaminë e këtushme.

Në Pollatë, pikërisht në këtë fshat ku jeton familja Dema ndahen dy krahë rrugësh të cilat bashkohen në brezin kufitar Kosovë-Serbi. Peisazhe të mrekullueshme na përcjellin teksa përshkojmë rrugën rurale të krahut të djathtë, e cila përfundon në fshatin Reqicë, pika më e largët e këtij krahu të kufirit. Prej këtu shihet edhe livadhi në fshatin kufitar Belush, ku u arrestuan tre kosovarët, teksa qetësinë absolute të këtyre venbanimeve të bukura e të braktisura, e trazon vetëm cicërima e zogjve e gërshetuar me këngë gjinkallash.

Me gjithë kushtet e mira-jeta në rrethana të tilla sfidë në vete

Dhe, banoret e fshatit Perpelac ishin ata që filluan braktisjen e këtyre venbanimeve që në vitet 90-të, thotë kryetari i komunës së Podujevës, Iljaz Pireva.

„Ndoshta vet pozita e tij rrëzë kufirit me Serbinë ka bërë që njerëzit në vitet 90-të të mos ndjehen të sigurt. Eshtë e vërtetë se kur shikon nga këndi ynë, kushtet janë të mira, një ambient i qetë e i bukur. Mirëpo, në një aspekt tjetër nuk është e lehtë të jetosh në këto mjedise“:

Në fshatin Muhazog tashmë nuk ka asnjë familje; në fshatin Rakinicë ka mbetur vetëm një familje; në Bllatë janë vetëm dy familje; në Murgull dy familje; në Tërnavicë tri- katër familje, përderisa në fshatin Reqicë janë vetëm tri familje, me tendencë të rikthehen edhe të tjera, thotë kryetari Pireva.

„Në kohët e fundit janë kthyer edhe dy familje. Ndërsa, është karaktersitke që është kthyer një familje prej Obrancës, paralagje e Podujeves dhe atje ka hapur një fermë me dele e dhi“.

Disa i braktisin pronat e veta – të tjerë i marrin ato me qira

Dhe, përderisa banorët e Reqicës kanë braktisur vatrat e veta dhe këtu nuk kanë mbetur më shumë se dy tri familje, Zeqir Kastrati nga Obranqa, pikërisht këtu po ndërton një jetë të re.

„Po e ndërtojmë stallën për dhen e dhi. Tokë s´kemi tonën, por e kemi marrë nga dajat, do e kemi marrë me qira e pak e kemi ble dhe tash kemi ardhë këtu të punojmë. Së shpejti do të bëjmë edhe bagëti të trashe“, thotë Zeqiri.

Tashmë,vapa e ditës është në pikën më të lartë dhe atë nuk e zbusin as kurorat e dendura të drunjve. Mirëpo, kjo nuk e pengon këtë blegtor të vazhdojë punën në ndërtimin e stallës për kopenë prej rreth 200 krerë me dele e dhi, që përkundër vështirësive të përpiqet të ndërtojë një jetë më të mirë…

(Visited 5 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *