Novobërda

16 korrik 2019, Dojçe Velle. Së shpejti do të zgjidhet çështja e banimit për 29 familje shqiptare, serbe dhe rome të komunës së Novobërdës. Projekti gjysmëmilionësh do të financohet nga qeveria e Kosovës.

Një tatëpjetë zig-zage në fshatin Bostan, çon në lagjen me baraka e shtëpi me qerpiç në të cilat jetojnë 13 familje rome në kushte të rënda sociale.” Këtu ka familje me shtatë-tetë anëtarë që jetojnë në një dhomë. Atë dhomë e kanë banjo, kuzhinë e dhomë për fjetje. Pothuaj të gjithë jetojnë nga ndihma sociale, plastika e hekurat që shesin” -shpjegon Naser Jashari, përfaqësues i këtyre familjeve.

Jetë mizerje për shumë familje

Në një oborr të vogël në të cilin vlojnë fëmijë të palarë e të veshur keq, gjejmë një grua të re teksa nxjerr ujë nga pusi.  ” Jetojmë më mënyrë katastrofale, shtëpia vec kur t´na rrëzohet. Kam pese fëmijë të vegjël! Ujin po e nxjerrim me kazanë. Se cfarë uji po pimë, a e sheh? Fëmijët i kemi më shumë të sëmurë se shëndoshë”-rrëfen Afërdita Jashari, nënë e pesë fëmijëve.

” Jetoj në një dhomë tre me katër. Kallabllëk, pa ujë, pa banjë, pa kushte”- shton Selver Jashari, 25 vjeç, baba I dy femijëve.

29 shtëpi të reja në Bostan dhe Llabjan 

Në fshatrat Bostan dhe Llabjan janë gjithësejt 29 familje të cilat jetojnë në kushte të vështira banimi. Por, tani komuna ka zgjidhje, thotë kryetari i komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri:

“Kërkesa jonë gëzon mirëkuptimin e qeverisë, kështu që qeveria e Kosovës ka ndarë mjetet për ndërtimin e 29 shtëpive. Në fshatin Bostan do të jenë 13 shtëpi për familje rome, 8 për familje shqiptare dhe 8 për familje serbe. Që do të thotë se 77 banorëve të fshatit Bostan, nga gjithsej 263 banorë, do t´u regullohet çëshjta e banimit”- shpjegon kryetari Ymeri.

Përfituesit, mirënjohës për ndërtimin e shtëpive

” Unë dua të falenderoj së pari komunën që më ka propozuar, por edhe qeverinë e Kosovës e cila ka ndarë buxhetin. Sepse, nuk është pak që vetëm në territorin e komunës sonë të ndërtohen 29 shtepi. Dhe une jam shumë mirënjohës sepse kjo shtëpi do të jetë një lehtësim I madh në jetën time”- thotë njeri ndër përfituesit e fshatit Bostan, Velibor Trajkoviq, 70 vjeçar.

Përfaqësuesi Naser Jashari drejtohet me lutjen për shpejtimin e punimeve para se të fillojë moti I ftohtë: ” Se ka familje që i kanë shtëpite e vjetra dhe ato shtëpi duhet të prishen. E tash,edhe nëse rrinë jashtë për pak kohë, moti është i nxehtë”.

Projekti mundësohet nga qeveria e Kosovës dhe qeveria e Norvegjise

Përderisa Ramiz Jashari 29 vjecar, baba I pesë fëmijëve shpreson që çështja e banimit të zgjidhet sa më shpejt: ” Vallahi mos pyet! Vec ishalla na bahet qekjo shpi, se me fmi në një dhomë, pa banjo pa kurrgja…!”

Projektin multietnik për ndërtimin e 29 shtëpive për shqiptarët, serbët dhe romët e Novobërdës i cili do të udhëhiqet nga Ministria e Shërbimeve Publike, kap koston 500.000 euro, 465.542 euro prej të cilave ndahen nga qeveria e Kosovës, 74.809 euro nga qeveria norvegjeze si dhe 3.000 euro nga Kuvendi Komunal i Novobërdës.

Leave A Comment

Your email address will not be published.