Solana: “Zhvillime të dukshme që nga pavarësia e Kosovës”

 

Kryediplomati evropian, Havier Solana

15 korrik 2009, Dojçe Velle. Shefi i diplomacisë evropiane Javier Solana tha se përkrah zhvillimeve të dukshme, Kosova duhet të vazhdojë përpjekjet për ngritjen e ekonomisë dhe të plotësojë kushtet teknike për liberalizimin e vizave.
Shefi për politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së Javier Solana, tha në Prishtinë se Kosova që nga shpallja e pavaresisë ka arritur një zhvillim të dukshëm: ” Mirëpo, kjo nuk do të thotë se tash duhet të flini. Sepse, keni

obligim të punoni dhe të ndërtoni ekonominë, demokracinë si dhe të përballeni me sifdat me të cilat duhet të ballafaqohemi bashkarisht, sic është kriza ekonomike. Ju e dini se keni ndihmën dhe bashkëpunimin e Bashkimit Evropian, qoftë nëpërmjet EULEKS-it apo agjencive të ndryshme të cilat bashkëpunojnë me qeverinë duke tentuar t´i ndihmojne njerëzit. Sepse, fundja, kjo është për të mirën e popullit të Kosovës”.

Presidenti Sejdiu rikonfirmoi vizionin e Kosoves per ecje drejt BE-se

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha se e ka informuar Solanën për të arritjet e Kosovës që nga periudha e administrimit të përbashkët me Kombet e Bashkuara. Presidenti Sejdiu falenderoi po ashtu Bashkimin Evropian për ndihmën e vazhdueshme dhënë Kosovës dhe rikonfirmoi vizionin e Kosovës për ecje drejt BE-së dhe NATO-s: “Me këtë qasje ne do të vazhdojmë për të marrë rolin e rëndësishëm të partneritetit në bashkëpunim me vendet fqinje por edhe me vende të tjera, për të qënë një ditë antarë të Bashkimit Evropian”.

Ndërsa sipas kryeministrit te Kosoves Hashim Thaci, Kosova ka arritur progresin e vlerësuar nga të gjithë për ndërtimin e një shteti demokratik, multientik dhe me perspektive të sigurtë evropiane: ” Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë shumë ngushtë edhe me mekanizmat e tjerë ndërkombtarë në Kosovë, në mënyrë që t´i rrisim sukseset. Ndërsa vetë vizita e zotit Solana në Prishtinë dhe në rajon është inkurajim i ri për ne.”

Solana:”Ne po punojme ne perafrimin e shteteve te rajonit me Bashkimin Evropian”

Vizita e shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian Javier Solana vjen në vazhdën e vizitave të bëra në shtetet e rajonit. Prandaj ai jep një mesazh nga Prishtina: ” Roli për stabilitetin duhet të luhet nga të gjithë Ne dëshirojmë që vendet e rajonit t´i afrohen gjithnjë e më shumë Bashkimit Evropian, sepse ky është qëllimi dhe në atë drejtim po punojmë. Të jeni të sigurtë se në atë drejtim po punoj edhe unë”.

Kryediplomati Javier Solana, megjithëse e bëri të qartë perspektivën evropiane për Kosovën dhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, theksoi se Kosova nuk mund të përfshihet në liberalizimin e vizave deri sa nuk plotëson kushtet teknike që kërkohen nga BE-ja, kushte të cilat sipas tij i kanë plotësuar vetëm 3 vende të rajonit.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së Javier Solana, para Kosovës qëndroi në Bosnjë, Serbi dhe Maqedoni ndërsa gjatë së mërkurës do të vizitojë Malin e Zi.

Ajetë Shaban Beqiraj, DW

Leave A Comment

Your email address will not be published.