Kthim dhe bojkot i të zhvendosurve në Pejë dhe Deçan

2 maj 2009, Dojçe Velle. Kthimi i të zhvendosurve në Pejë ka shënuar sukses ndërsa bashkëpunimi i të zhvendosurve ka ndikuar në realizimin e projekteve të reja në këtë proces. Në Deçan, kthimi i të zhvendosurve serbë dhe malazezë, ka mbetur në vend për shumë arsye.

Peja, me rreth 200.000 banorë, është ndër komunat më të suksesshme, sa i përket kthimit të të zhvendosurve. Deri tani atje janë kthyer afro 2.000 të zhvendosur, mbi 700 prej të cilëve serb. Në marrëveshje me përfaqësues të grupeve etnike të të zhvendosurve, kjo komunë ka miratuar edhe Strategjinë Komunale për Kthim dhe Riintegrim për Vitin 2009, thotë Nexhat Kastrati, zyrtar komunal për kthim në Pejë, sipas të cilit “Komuna e Pejës është shtëpia e të gjitha komuniteteve”dhe në hartimin e Strategjisë Komunale për Kthim, kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e minoriteteve.

Balaj: “Serbët e Deçanit prezanthen si “përfaqësues të komunës paralele” 

Por kjo nuk ndodhë edhe me komunën e Deçanit, me rreth 60.000 banorë, ku ka të zhvendosur vetëm nga komunitetit serb e malazez. Deri tani, atje konsderohen të kthyer vetëm tre të zhvendosur serb. Ndërkohë që të zhvendosur janë 730 serbë e malazezë, sa banonin dikur në këtë komunë. Krahas iniciativave të vazhdueshme për kthim, pavarësimi i Kosovës, uli interesimin për kthim ndërsa problem të madh paraqesin edhe strukturat paralele serbe.

„Që atëherë kemi një bojkot të vazhdueshëm të përfaqësuesve të komunitetit serb në mbledhjet e Grupit Punues për Kthim. Në njërin prej këtyre takimeve ata u prezantuan si përfaqësues të „komunës paralele të Deçanit“. Është e ditur se komuna e Deçanit nuk komunikon me asnjë strukturë paralele të asnjë shteti fqinj. Ndërsa, unë konsideroj se ky është një manipulim i Serbisë me të zhvendosurit nga Kosova dhe një përpjekje krejtësisht naive për të krijuar institucione paralele të komunave të Kosovës, siç është përpjekja e komunës paralel të DeĻanit në Vernjaçka Banjë“, thotë kryetari i komunës, Musa Berisha.

25 shtëpi për kthimin e të zhvendosurve në Pejë

Komuna e Pejës është partnere e projektit „Kthimi dhe Integrimi në Kosovë“, e cila krahas Istogut, Fushë Kosovës dhe Gjilanit do të jetë përfituese e 25 shtëpive nga 180, sa do të ndërtohen gjithsejt.

“Kostoja e projektit është afro 7 milionë euro për dy vjet. 3,3 milionë prej tyre do t´i financojë Agjencioni Evropian për Rindërtim (AER), 4 milionë Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkaura (UNDP) dhe 1,1 milion, Buxheti i Konsoliduar i Kosovës” – sqaron zyrtari për kthim në komunën e Pejës, Nexhat Kastrati.

Ndërkohë, në Deçan, si rrjedhojë e bojkotimit të takimeve të Grupeve Komunale për Kthim nga ana e përfaqësuesve të të zhvendosurve, ende nuk është miratuar strategjia e parashikuarpër kthim. Mbi bazë të kësaj strategjie planifikohej kthimi i të zhvendosurve në vendbanimet: Lumbardh, Ratish e Epërme, Ratish e Ulët dhe Dashinoc.

UNDP:”Qëllimi i ndërtimit të shtëpive nga serbët e Deçanit-rritja e vlerës së pronës”

“Dhe, ky bojkot bie mbi supet e vet të zhvendosurve”, thotë zyrtari për kthim Balaj, i cili shton se kthimi bëhet sipas strategjisë komunale për kthim dhe se komuna ka bërë një koncept për fshatin Dashinoc, ku me mbështetjen e UNDP-së, planifikohet kthimi i dhjetë familjeve. “Mirëpo, kjo organizatë është tërhequr se, sipas tyre, personat e zhvendosur nuk janë në kërkesën për kthim, ndërsa qëllimi është ndërtimi i shtëpive për t´iu shtuar vlera pasurisë për shitje. “Pra, janë tri gjëra të rëndësishme për kthim: vullneti i lirë, guximi dhe pranimi i realitetit të ri në Kosovë, cfarë të znvendosurve ju mungojnë”, thotë Balaj.

Sipas të dhënave të Zyrës Komunale për Kthim dhe Komunitete në Deçan, janë gjithsejt 730 persona të zhvendosur të cilët jetojnë në Serbi dhe Mal të Zi. Krahas interesimit të komunës për kthim, deri tani vetëm 3 serbë konsiderohen të kthyer, perveç 32 murgjëve që jetojnë në Manastirin e Deçanit.

Ajetë Sh. Beqiraj, DW
(Visited 3 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *