Presidenti Tadiç për Pashkë në Manastirin e Deçanit

17 prill 2009, Dojçe Welle. Të premten e madhe të Pashkëve ortodokse, Presidenti serb Boris Tadiç, i përcjellë nga këngë kishtare me lutje dhe qirinj në Manastirin e Deçanit përcolli mesazh paqeje .


Presidenti serb Boris Tadiç shkoi në orën 13.10 minuta me helikopterin e KFOR-it në bazën e Kfor-it, në Deçan, ndërsa me arsyetimin se vizita ishte e një natyre festive, gazetarët nuk u lejuan të shtrojnë pyetje. Por, presidenti Tadiç përcolli mesazhin e paqes sic u shpreh”në Kosovën e Serbisë”.

 “Paqe për serbët, paqe për shqiptarët dhe për të gjithë ata që jetojnë në Kosovë, në Serbinë tonë! Mesazh paqeje, sepse pa paqe nuk mund të sigurojmë një jetë të denjë. Pa besimin në paqe, nuk mund të jetojmë as normalisht. Kjo është ditë kur nuk duhet të ketë hidhërim, kur nuk duhet të ketë urrejtje. Jemi në prag të festës së krishtere të Pashkëve Ortodokse,” tha presidenti Tadiç, i cili përgëzoi nga Manastiri i Deçanit peshkopin Teodosije dhe besimtarët ortodoksë kudo që janë, për festën e Pashkëve, sepse sipas tij, “ky është një rast i mirë për ta bërë këtë”.

Sipas zëdhënësit të KFOR-it, presidenti serb Boris Tadiç, nga pika kufitare e Merdares u tërhoq  me helikopterë të KFOR-it për në Manastirin e Deçanit dhe po në këtë mënyrë do të rikthehet në pikën kufitare të Merdarës.

Ajete Sh. Beqiraj, DW

Leave A Comment

Your email address will not be published.