Qytetarët e Kosovës: “Më shumë vendpunime për zvogëlimin e varfërisë”

17 shkurt 2009, Dojce Vele & Radio Kosova, Edhe një vit pas bërjes shtet, Kosova përballet me ekonomi të pazhvilluar, shkallë të lartë të papunësisë, varfëri ekstreme dhe korrupcion.  Si rrjedhojë, përvjetorin e pavarësisë populli I Kosovës e pret me ndjenja të përziera.

Ishte 17 shkurti i 2008-tës, dita kur fokusi i botës ishte kthyer kah Kosova, e cila pushonte besimplote se që atë ditë do të radhitej ndër shtetet e pavarura. Populli shqiptar e priste me padurim shpalljen e pavarësisë e të gjithë kishin përgjigje të njëzëshme: “Mezi kemi prit me e pa diten e sodit, e moti jemi duke e rpit…Prej 1912-tës e deri në ditë të sodit, vuajtje e kiamet. E sot, s´ka ditë ma t´madhe për popullin shqiptar!“
Për dallim, tek serbët e Kosovës, akti i shpalljes së pavaresise ngjalli pasiguri e skepticizëm. Vesna Spaleviç është ndër serbët e rrallë e cila dhjete ditë para shpalljes së pavarësisë, u kthy në Deçan me shpresën për një të ardhme në shtetin e Kosovës.
“Unë jam kthyer në Deçan me 28 janar 2008. Që don të thotë, rreth 20 ditë para shpalljes së pavaresisë së Kosovës”-thotë Vesna Spaleviç.
Por, sa i ka realizuar të priturat e qytetarëve pavarësimi I Kosovës dhe a ka ndryshuar diçka në standardin e jetës së tyre, një vit pas bërjes së Kosoves shtet?
“Send mbi këtë tokë! Shit dru vjet-shit sivjet. Erdh shpirti te hunda, pa punë, pa punë…E me honger po duhet përditë!”-thotë Mustafë Hyseni 55 vjeç, nga Bardhaniqi I Gjakovës, të cilin edhe sivjet e gjejmë me një karroce dru buzë rrugës, për shitjen e të cilit duhet të pres me javë.
“Si mos më keq! Nuk kam ujë as s´kam asgjë. Mos pyet fare! Megjithëse fqinjtë shqiptarë janë të mirë me mua dhe vinë e më vizitojnë, pavarësia e Kosovës në jetën time nuk ka ndryshuar asgjë”-përgjigjet 80-të vjeçarja, Velika Sharkoviç, nga Bellopoja e Pejës.
” Kosovën shtet e kam paramendu krejt ndryshe, me vendpunime të reja, pa përqarje të politikanëve. E kta, ai për veti-e ky për veti, e në fund po heç populli. Nxei karriket e mbushi xhepat për vete, e për popullin asgjë!”-thotë Milaim Hulaj, kamarier.
“Në standardin e jetës sime s´ka ndryshuar asgjë. Përkundrazi, ndoshta është edhe në rënje për shkak të gjëndjes ekonomike-thotë Rasim Tolaj, nga Deçani-Strukturat udhëheqëse do duhej krijuar më shumë vende pune, kur kemi parasysh një rini e cila çdo vit diplomon apo specializohet në profile të ndryshme e në fund mbesin pa punë!”
Në familjen tonë nuk ka ndryshuar shumë, përveç ngritjes e pagave të nivelit të arsimit. Por, sot kemi institucionet tona legale, kam pasaportë dhe letërnjoftim të shtetit tim dhe kjo më bën të lumtur dhe krenar!”-thotë Betim Qorraj, arsimtar, I cili Kosovën e pavarur e sheh nga një kënd tjetër.
Një vit pas kthimit, Vesna Spaleviç, mendon se në Kosovën e pavarur ka të ardhme për secilin.
“Përderisa të ketë punë, kudo mund të ketë të ardhme. Unë u ktheva para një viti, në Deçan-thotë Vesna. Në qershor fillova punën në Zyrën Komunale për Komunitete, ndërsa në dhjetor arrita të sjell në Deçan një projekt prej 40 milionë eurosh për ndërtimin e një impianti për riciklimin e mbeturinave, të cilin do ta implementojmë së bashku me komunitetin e këtushëm dhe autoritetet kosovare”-thotw Spalevic.
“Dhe, ne duhet të japim në vazhdimësi për shtetin e Kosovës-mendon arsimtari, Sadik Mazrekaj, nga Dranoci. Asnjëherë s´duhet thënë:”Bëra mjaft e tash do t´ndalem të pushoj!” Edhe qeveria, edhe strukturat tjera politike nuk do duhej të ndalen me kaq, sepse sot kemi shifra katastrofike të varfërisë së skajshme. Kemi një numër të madh të papunësisë. Një moshë relöativisht të re. Rreth 30 mijë krahë pune dalin në vit tek kosovarët. Pritet që politika të bëj edhe shumë në zvogëlimin e varfërisë. Se, sado që një pjese e popullit të ketë, kur nuk kanë të gjithë, qeveria nuk duhet me qenë të knaqun”.
Krahas sukseseve, Kosova edhe një vit pas bërjes shtet përballet me ekonomi të pazhvilluar, papunësi të madhe, varferi ekstreme dhe korrupcion, sot ajo shkëlqen në frymën festive të përvjetorit të pavarësimit të saj.
Ajete Beqiraj, Dojce Vele & Radio Kosova

Leave A Comment

Your email address will not be published.