Gjendje alarmante ne pyjet e Decanit

5 korrik 2008, Dojce Vele, Ndërprerja e tenderëve, bartja e përgjegjësive menagjeriale në komunë, shpejtimi i procedurave për ligjin e ri si dhe mobilizimi i të gjitha institucioneve relevante, për parandalimin e dëmtimit masiv të pyjeve, është kërkesë e njëzëshme e këshilltarëve komunal, banorëve dhe shoqërisë civile të komunës së Deçanit.


 Kurorat e dendura të vargmaleve mijëravjecare, ku merr frymë qyteza e Deçanit, po ndërrojnë formë përditë. Hapësira të tëra me trungje të prera e degë të thara e të shpërndara, janë njolla të zeza mes kurorave gjelbërore. Sepse, ato që u mbollën nga njeriu ndër vite, po shaktërrohen ditë pas dite, po nga ky njeri!



 “Që të gjithë e dimë se pyjet po shkatërrohen. Që të rritet një dru duhen pesëdhjete vjet, ndërsa prehen për 5 minuta. Në kuadër të prerjes, nuk bëhet ripyllëzimi dhe kështu, në vend të halorëve kanë mbirë lisa të tjerë, cfarë s´ka ndodhur ndonjëherë. Ne kërkojmë që të ruhen pyjet dhe t´u thuhet stop prerjeve legale, ilegale, apo çfarëdoqofshin ato!”-apelon Abedin Lataj, decanas.


Ne komunen e Decanit shtrihet siperfaqja me gjere e pyjeve ne Kosove 


 Prej 37 mijë e 100 hektarësh të sipërfaqes së tërësishme të komunës së Deçanit, 18 mijë e 423 hektarë është veshur me pyje, 13 mijë e 923 hektarë prej të cilave janë pronë shoqërore, ndërsa 4 mijë e 500 hektarë, pronë private. Në bazë të ligjit mbi pyjet, të gjitha pyjet menagjohet nga Agjencioni Pyjor i Kosovës.


“Një menagjim, me të cilin Komuna e Deçanit nuk është e kënaqur-thotë Musa Mushkolaj, zyrtarë i Departamentit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, në Kuvendin Komunal të Deçanit. Duke filluar që nga Plani Operativ i Prerjeve Vjetore, ku në nivel të Kosovës planifikohen diku 100 mijë metër kub, ndërsa vetëm në komunën e Deçanit, rreth 30 mijë metër kub, duke përfshirë edhe drurin teknik edhe atë për djegje.“


Sipas shefit të Agjencionit Pyjor të Kosovës, është ligji i cili është shndërruar në një “kancer” veprues të delikuentëve të shumtë, të cilët ndëshkohen me dënime shumë simbolike.  


“Ne kemi inicuar amandamentimin e këtij ligji-thotë Luma, sipas të cilit, ligji është kthyer nga Kuvendi edhe është në përgatitje dhe në përgatitjen e ligjit të ri do të përfshihen të gjitha institucionet, që nga 
komuna e deri në qeveri.
Demtim masiv i pyjeve te Decanit


Kerkohet mobilizim per mbrojtje te pyjeve


Kuvendi  Komunal i Deçanit, në një seancë të jashtëzakonshme kërkon mobilizimin e të gjitha institucioneve relevante. Ndërsa, fajet e artikuluara në shumë adresa,  do të marrin kahjen e duhur nga 6-të rekomandimet e këshilltarëve të asamblesë komunale të Deçanit, ndër të cilat janë edhe ndërprerja e tenderëve, bartja e përgjegjësive menagjeriale në komunë, shpejtimi i procedurave për ligjin e ri si dhe mobilizimi i të gjitha institucioneve relevante, për parandalimin e dëmtimit masiv të pyjeve.


“Është momenti i fundit që të respektohen këto rekomandime dhe ta shpëtojmë atë që mund të shpëtohet“-porosit kryetari i KK-së së Deçanit, Musa Berisha.
 
Në komunën e Deçanit shtrihet sipërfaqja më e gjërë e pyjeve të Kosovës, me mbi 19 mijë hektar dhe me një kapacitet të rritjes vjetore prej 60 mijë metër kub; një sipërfaqe, e cila në vitet e pasluftës i është ekspozuar shfrytëzimit të pakontrolluar nga prerësit ilegal, duke e radhitur  ndër zonat më të rrezikuara nga faktori njeri.                   
 Ajete Beqiraj, Dojce Vele

Leave A Comment

Your email address will not be published.