Qytetarët për zbarkimin e EULEX-it në Kosovë

26 qershor 2008, Dojçe Welle. Bindja se me zgjidhjen e statusit të Kosovës gjërat do të vihen në vend, duket të ishte e gabuar. Zbarkimi i EULEX-it në Kosovë, rikonfigurimi i UNMIK-ut ne kohën kur pritej tërheqja e tij si dhe formimi i strukturave paralele serbe në kohën kur ka hyrë në fuqi edhe Kushtetuta e Kosovës, kosovarët i mban në tension të vazhdueshëm. Por, çfarë mendojnë qytetarët e Kosovës për këtë qeverisje të shumëfishtë?


“Ky është një kaos i vërtet! Jo, i kemi kompetencat, jo nuk i kemi! Shpresoj që të pkatën Eulex të verë një rend për të gjithë!”-mendon Mustafë Kollani, nga Opoja.
“Zhvillimet e tilla nuk janë pozitive, sepse EULEX-i vjen si rrjedhojë e vendimeve të këqija të UNMIK-ut. Unë shpresoj dhe dëshiroj që EULEX-i të gjejë një zgjidhje për prosperitet në këtë hapësirë dhe një të ardhme më të mirë për të gjithë.”-thotë Nebija Haljilji nga Prizreni.

Qytetarët:Shpallja e pavarësisë duhej të sillte ndryshime në Kosovë

“Për ne ishte mjaft e rëndësishme ardhja dhe prania e UNMIK-ut, ngase ne ishim të vetëdishëm se nuk jemi në gjendje të arrimë synimet tona vetëm.”- thotë Islam Husaj, nga Peja. Mirëpo, edhe kësaj forme të adminsitrimit i ka ardhur koha të ndryshojë. Pas shpalljes së pavarësisë, në Kosovë duhet të jetë disi ndryshe. Dhe ne shpresojmë dhe besojmë se kjo ´ndryshe´ do të vijë një ditë në te ardhmen!”

“Në një Kosovë me qeverisje të katërfishtë është vështirë.”- mendon Refik Kasi, nga Prizreni, sepse ne serish do të gjendemi në situate të tilla, ku secili do të thotë se zgjidhja e një problemi nuk është në dorën e tij. Dhe, kështu, ne gjithnjë do të bredhim në një qark të mbyllur, prej të cilit nuk mund të dalim në asnjë mënyrë.”

Karin Limdal, zëdhënëse e misionit, EULEX: “S´do doja të flas për të bëmat apo lëshimet e UNMIK-ut. Është e rëndësishme të dihet se EULEX-i do të veprojë krejt ndryshe nga UNMIK-u, sepse kompetencat kryesore do t´u kalojnë autoriteteve kosovare. EULEX-i do të veproje në fushën e gjyqësisë, SHBA-të do t´iu ndihmojnë politikisht, ndërsa Bashkësia Evropiane do të udhëheq Kosovën drejt Evropës. Ne jemi këtu për t´ju ndihmuar. E ardhmja është në duart tuaja!”-tha Limdal për DW-në.

Ajetë Beqiraj, DW

Leave A Comment

Your email address will not be published.