Mesazhi i Krishtlindjeve: Dashuri dhe respekt per tjetrin

25 dhjetor 2007, Dojçe Welle. Mbrëmë në mesnatë në Kishën Katolike të Shën Palit në Tiranë dhe atë të Shën Ndout në Prishtinë u kremtua ceremonia e lindjes së Krishtit.

Në katedralen e Shën Palit në kryeqytet u mbajt ceremonia e kremtimit të lindjes së Krishtit. Arkipeshkvi i durrësit dhe Tiranës, imzot Rrok Mirdita mbajti meshën, ku morën pjesë qindra besimtarë katolikë, që u lutën për më shumë paqe e mirësi ndaj njëri-tjetrit. Dashuri dhe respekt për tjetrin është mesazhi edhe i Krishlindjeve nga hierarkët e besimtarëve të krishterë në Shqipëri. Imzot Rrok Midita, kreu i besimtarëve katolikë në Shqipëri, vlerëson mirëkuptimin dhe tolerancën shembullore mes besimeve të ndryshme fetare: „ Krishtlindjet janë një rast për te vlerësuar urtësinë e popullit tonë, që nuk i ka parë dalimet fetare si një arësye ndarjeje, por secili komunitet fetar ka ditur të respektojë ndjenjën fetare të komunitetit tjetër. Gjithë shqiptarët shohin tek kërkimi i sinqertë i Zotit, udhën e bashkimit miqësor dhe vëllazëror.”

Festime në Kosovë

Festa e Krishtilindjeve u shenua me manifestime të shumta edhe në Kosovë. Me këtë rast, Ipeshkvisë së Kosovës i erdhën urime të shumta nga personalitete të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare. Ndersa, mbrëmë në mesnatë, në Kishën Katolike Shën Ndou në Prishtinë u mbajt mesha e Krishtlindjeve.

Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji, ka përgëzuar të gjithë besimtarët, duke thënë se kjo është festa e pajtimit, solidaritetit dhe e paqes me Zotin: „Kershendellat mbi të gjitha është festa e paqes në mes të Zotit dhe njerëzimit. Kosova është në pritjen e fundit të Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri para hapit vendimtar të pavarësisë. Kjo e drejtë themelore dhe e shenjtë na takon edhe neve, andaj falënderojmë Zotin që gjatë kësaj kohe të Kërshëndellave, e tërë bota e qytetëruar e cila këtë begati e shijon që moti, përgatitet të na i njeh këtë të drejtë edhe neve”.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e Krishtlindjeve, i dërgoi Shenjtërisë së tij, Papa Benediktit të XVI-të një telegram urimi ne emrin e tij dhe të mbarë popullit të Kosovës, me lutjen që të vazhdojë përkushtimin për pavarësinë e Kosovës. Presidenti Sejdiu, i përgëzoi edhe besimtarët katolikë dhe të gjithë qytetarët e Kosovës me rastin e festës së Krishtlindjes. Urime të përzemërta presidenti iu shprehu edhe komandantëve dhe ushtarëve të KFOR-it, NATO-s, përfaqësuesve të UNMIK-ut dhe të OSBE-së, si dhe përfaqësive diplomatike në Prishtinë.

Ndërkohë nga shefi i Zyrës diplomatike të Britanisë, David Blunt, urimi vjen në shqip: „Tash nje vit kam thënë se ka ardhë koha që kaptina e errët në historinë e Kosovës të lihet prapa nesh. Dhe, kjo më së tepërmi vlen tani, në dhjetor 2007. Secili në Kosovë ka të drejtë të shikoje kah e ardhmja më e mirë. Miqtë tuaj në Britaninë e Madhe bashkë me partnerët tuaj kyç, dëshirojnë t´iu ndihmojne juve, popullin e Kosovës, që ta arrini këtë!”

Ani Ruci/Ajetë Beqiraj

(Visited 1 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *