3 Tetori kremtohet edhe në Kosovë

4 tetor 2007, Dojçe Belle. 3 tetori, dita kur rënja e Murit të Berlinit ribashkoi popullin gjerman, është një ditë e shënuar për Gjermaninë. Ajo, si e tillë u kremtua edhe tek ushtarët e Bundesverit, me shërbim në Kosovë.

“Para 17 vjetësh, Gjermania me bashkimin e saj pa derdhje gjaku fitoi betejën më të madhe në historinë e saj. Pas protestave paqësore disajavëshe, nuk u lejuan provokime të dhunes fizike dhe kështu arritëm atë për të cilën kish shpresuar i gjithë populli gjerman. Dhe kështu, me 3 tetor erdhi deri te njohja zyrtare e bashkimit të popullit tonë, të ndarë që nga Lufta e Dytë Botërore”-kujton Kryetari I Saksonisë së Ulët, Jürgen Gansäuer, ribashkimin e Gjermanisë, me 3 tetor të vitit 1990, kur pjesa e ish Republikes Demokratike të Gjermanisë, iu bashkua Republikës Federale të Gjermanisë.

Kjo ditë e shënuar për Gjermaninë, si e tillë u kremtua edhe nga ushtarët e Bundesverit, në Kosovë. Gjeneral Brigade, Robert Bund është komandant i Kontigjentit gjerman, me bazë në Brigadën Shumekombëshe-jug, në Prizren: “Bundesveri është organizata më e madhe dhe më e sukseshme e vendit tonë, Rebublikës së Bashkuar Gjermane, e cila bazë ka faktin se: Gjermania dëshiron t´i kontribuojë paqes në botë!“

Revolucioni i inicuar nga njerëz të thjeshtë, pastorë evangjelistë dhe priftërinj katolikë, me 3 tetor të vitit 1990 u realizua si revolucioni më i sukseshëm dhe më paqësor që mban mend Evropa-tha gjenerali, Robert Bund. „3 tetori-Festa e Bashkimit të Gjermanisë, na kujton në një: se demokracia dhe liria mund të ndërtohen vetëm atëherë kur demokratët janë të gatshëm edhe ta mbrojnë atë. Pikërisht historia e Gjermanisë na kujton në vërtetësinë e kësaj domosdoshmërie të thjeshtë, por shpeshherë të harruar!”

Dita e Bashkimit të Gjermanisë nuk duhet të mbetet vetëm një ditë të cilën duhet kujtuar, por thelbi i këtij kujtimi do duhej të mbetet pyetja, se: ç´mësime mund të nxjerrim nga kjo?-thotë gjenerali Robert Bund, për të përçuar pastaj një mesazh për kosovarët: „Serbët dhe shqiptarët e Kosovës, meritojnë një perspektivë të përbashkët evropiane. Dhe kjo ndërtohet duke respektuar historine, kutlurën dhe religjionin e tjetrit. Dhe, asnjë vend i botës nuk do duhej t´i përkiste Bashkimit Evropian, nëse nuk është në gjëndje që të përmbushë detyrat e vëna ndërkombëtarisht“.

Ajetë Beqiraj, DW

Leave A Comment

Your email address will not be published.