Banka Gjermane investon për ujin në Kosovë

24 shtator 2007, Dojçe Velle. 2 milion e 300 mijë euro është vlera e donacionit, që Banka Gjermane për Zhvillim i ka dhuruar Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit, “Hidrodrini”, i cili furnizon me ujë Pejën, Istogun, Klinën dhe Junikun.


Ajmone Shabanhaxhaj nga fshati Lloçan është vetëm njëra ndër banoret e fshatrave të Rajonit të Pejës, e cila përballet me vështirësitë për ujë të pijes. 

“Me duhet me e rezervu ujin për enë, për buke, me i la fëmijët, si dikur që jemi la me tasa me pacërrka, tuj mbush shishet me ujë, sikur gjatë luftës, në Shqipëri. Me atë ujë që duhet ta pimë, ne po lahemi se gypat janë të prishun. Kur ka rrymë, edhe me pi e rezervojmë prej krojeve. E kur s’ka rrymë, duhet me shku nëpër mahallë e katund, me nxjerr nëpër bunare”!- flet e mërzitur Ajmonja. 

Në tejkalimin e vështirësive të tilla, ndihmojnë investimet si ai i Bankës Gjermane për Zhvillim, dhënë Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit „Hidrodrini”, në Pejë. Një shumë prej 2.3 milionë eurosh do të derdhet për përmirësimin e rrjetit rajonal të ujit në sistemin e tanishëm. Në kuadër të këtij programi, donatorët gjermanë i kanë dhuruar “Hidrodrin”-it edhe pajisje më moderne për detektimin e shkarjeve të ujit në gypat nën tokë, i cili është njëri nga problemet më të mëdha të kompanisë.

Drejtori i përgjithshëm i Shoqërisë Aksionare të Ujësjellësit „Hidrodrini“, Lekë Prenaj: “Dy milionë e 300 mijë euro, për kompanitë tona të varfëra janë një ndihmë e madhe me të cilat do të përmirësojmë në një masë të dukshme infrastrukturën ujore e cila është goxha e vjetruar. Falë këtyre donacioneve ajo do të përmirësohet dhe shërbimet do të jenë shumë më cilësore“. Donacioni më i fundit i qeverisë gjermane do të ndihmojë në rritjen e efikasitetit, në zvogëlimin e humbjeve të uijit, dhe në ofrimin e shërbimeve më të mira konsumatorëve në Pejë, Istog, Klinë dhe Junik. Por, kjo nuk vlen edhe për komunën e Deçanit, njëra ndër të pesë komunat e Rajonit të Pejës. “Banka është prononcuar se, nëse Ujësjellësi i Deçanit nuk është përbrënda kompanisë rajonale, s´do të mund të shfrytëzojë investimet e parapara në përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese”-sqaron drejtori Prenaj.

Selia kryesore e Bankës Gjemane për Rindërtim, KfW në Frankfurt në Main
Selia kryesore e Bankës Gjemane për Rindërtim, KfW në Frankfurt në Main

Kjo barrë bie mbi supet e banorëve të kësaj komune, shumica prej të cilëve përballen me probleme të ujit në vazhdimësi. Shkëlzen Shabanhaxhaj, nga kryesia e fshatit Lloqan të komunës e Deçanit: “Ky ujesjellës përfshin pesë fshatra dhe është ndërtuar në vitin 1964, me gypa të azbestit të cilët nuk përdoren më për pije. Problem tjetër është se të gjithë nxënësit e këtij rajoni e pinë këtë ujë i cili është shumë i ndytë”.

Me probleme të tilla përballen edhe fshatrat e Lugut të Trestenikut, që përbëjnë numrin më të madh të banorëve në Komune të Pejës, pastaj të Lugut të Leshanit dhe të fshatit Raushiq. Drejtori “Prioritetet e investimeve i kemi caktu sipas nevojës që është nëpër kompanitë në terren. Domethënë ne kemi analizuar situaten dhe ku ka nevojë të investohet, aty do të investohet”-thotë drejtori rajonal, Lekë Prenaj. Sipas drejtorit Prenaj, në mes të tri kompanive të Rrafshit të Dukagjinit, Ujësjellësi Rajonal “Hidrodrini”, është parakualifikuar edhe për një doancion 1 milionësh, për vitin 2008, ndërkohë që nën vitin e kaluar kjo shoqeri Aksionare nga Banka Gjermane për Zhvillim është mbështetur edhe me 400 mijë euro. Për përmirësim të rrjeteve të ujësjellësve, qeveria gjermane deri më tash ka investuar afro 33 milion euro, në 17 komuna të Kosovës.

(Visited 2 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *