Pjesëmarrje në zgjedhje, bojkot apo zgjedhje paralele?

20 shtator 2007, Dojçe Velle. Udhëheqësit shqiptarë të Kosovës u bëjnë thirrje pjesëtarëve të komunitetit serb, që të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit. Qeveria e Serbisë bën thirrje për bojkot të tyre apo për thirrjen e zgjedhjeve paralele.


Të varur skajshmërisht nga politika e Beogradit dhe urdhërat që vijnë prej atje, për shumicen e serbve të Kosovës, pjesëmarrja në zgjedhje don të thotë tradhëti ndaj Serbisë. 

“Sipas meje, ata që votojnë nuk janë serbë të vërtetë.”-thotë një qytetar. 

Të ngulitur thellë në pozicionin “antikosovar”, ata e kanë të pamundur të kuptojnë se në Kosovë asgjë nuk është më siç ishte dikur.

“Sigurisht që nuk do të dal në zgjedhje, sepse nuk janë zgjedhjet tona. Këtë e dinë të gjithë!” -thotë tjetri.

“Unë s’do të votojë sepse janë zgjedhje të Kosovës”-shton një i tretë. 

“Duke pasur parasysh thirrjen e qeverisë së Serbisë për bojkot, unë mendoj se nuk duhet dalë në zgjedhje, për arsyen e thjeshtë se të gjitha pakicat në Kosovë kanë qënë vetëm dekor në parlamentin e Kosovës”-është mendim i të katërtit. 

Vendimin, me anë të të cilit u bëhet thirrje serbve të Kosovës për mospjesëmarrje në zgjedhje, Qeveria e Serbisë e arsyeton me “mungesën e sigurisë për serbët dhe pakicat e tjera që jetojnë në Kosovë apo me faktin se dy të tretat e serbëve edhe pas tetë vjetësh janë të zhvendosur,” pavarësisht faktit se kthimi dhe interesimi i të zhvendosurve serb për kthim nga Serbia dhe Mali i Zi ne Kosovë, është më i madh se kurdoherë. 
Ministri serb për Kosovën Slobodan Samardzic
Ministri serb për Kosovën Slobodan Samardzic

Megjithatë, mendimet e serbëve për pjesëmarrje në zgjedhje ndryshojne nga rajoni në rajon. Përderisa, serbët e veriut të Kosovës dhe të Kosovës Qendrore vazhdojnë bindjen ndaj vendimeve të ndryshme të Beogradit, serbët e Rrafshit të Dukagjinit pyetjes në do të dalin në zgjedhjet e sivjetme i përgjigjen me pohim, me dyshim, me ngurim por asnjeri me një 
kundërshtim të prerë. Sepse: “Për të jetuar në një vend duhet pranuar realitetin e atij vendi, të pelqeu kjo apo jo? Në çfarëdo ambienti të gjendesh, duhet të përshtatesh!”-thotë Andrea Banjac, i sapokthyer nga Kragujevci. 

A do të merrni pjesë në zgjedhjet e ardhshme? 
“Paj, nuk e di. Do të shohim!” 
A vjen ky dyshim për shkak të thirrjes së qeverisë së Serbisë të bojktoni votimet? 
“E për këtë s´mund të jap përgjigje. Por, nëse mendojmë të jetojmë ketu, do duhej të votonim”-thotë Andera, i cili është edhe përfaqësues i fshatit Bërkovë. 
“Me besoni se nuk e di çfarë do të bëj, sepse që nga viti ’96, për shkak të rrethanave unë abstenoj. Por, në rethana normale, do të votoja, përse jo?”-thotë Radoman Jeremiç. 
A do te votoni si qytetar i Kosovës? 
“Dua. Dua. Do të votojë. Por, se për kënd, kjo është ende pikëpyetje!”-përgjigjet Milivoje Zhivkoviç. 
Së shpejti do të jenë zgjedhjet. A do te votoni? 
“Ku, këtu në Kosovë? Kur te fillojnë zgjedhjet, du me hy edhe unë në pore të institucioneve. Nëse dal me votu, jep zonin kur ke qejf ti me e dhonë e mos me dal e jep tjetri zonin ton. Po,po, qashtu është!” – përgjigjet në shqip, Rado Zhivkoviç. 

Përkrahës të ultranacionalistëve duke treguar tre gishtat, Mitrovicë, janar 2007
Përkrahës të ultranacionalistëve duke treguar tre gishtat, Mitrovicë, janar 2007

Qeveria e Serbisë iu bën thirrje të bojkotoni zgjedhjet. Çfarë thoni ju? 
“Kqyri interesin tem!”-përgjigjet Rado. 
Cili eshte interesi juaj? 
“Me jetu në Kosovë, në Berkove, në Lug të Drinit.” 
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, duke shfaqur shpresën se serbët e Kosovës do të mendojne me kokën e tyre për pjesëmarrje në zgjedhje, pavarësisht urdhërave apo ndikimeve nga jashtë. Udhëheqësit kosovarë ju bëjnë thirrje serbëve të Kosovës për pjesëmarrje në zgjedhje dhe për integrim në shoqërinë kosovare. Ndërsa, vendimi më i fundit i autoriteteve të Beogradit për zgjedhje paralele në komunat me shumicë serbe në Kosovë, u kundërshtua fuqishëm nga qeveria e Kosovës, administrata ndërkombëtare ndërkohë që nuk gjeti përkrahje as të një pjesë e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës.

Ajetë Beqiraj, DW

Leave A Comment

Your email address will not be published.