Rritje e vazhdueshme çmimesh në Kosovë

19 shtator 2007, Dojçe Velle. Me 3 gusht të këtij viti, qeveria e Serbisë mori vendim për ndalimin e eksportit të produkteve bujqësore: grurit, misrit, sojës dhe lulediellit, në Kosovë dhe në disa vende të rajonit, për afat 90 ditësh. Prej datës 7 gusht, në Kosovë u bë edhe ngritja e çmimit të bukës, për arsye se 90 për qind të miellit në Kosovë importohej nga Serbia.

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës patën thënë se, Serbia nuk ishte kanali i vetëm i furnizimit me miell, ndonëse hapja e rrugëve të reja të importit do të kushtonte më shumë. Pas një muaji e gjysmë, shitja e bukës vazhdon me valën e re të ngritjes se çmimit, prej 25, 30 e në fund, edhe në 40 cent.. Shtresat më të goditura nga vala më e re e shtrenjtimit janë familjet e varfëra dhe pensionistët të cilët përballen me vështirësitë e mbijetesës.

“Buka o shtrejtu po, qare pa e ble s’ po kom! Kush ka-e blen, e kush s´ka-kruhet. Mo Zo ma keq! Buke me hangër po, a me pa gjo t’ mbarë, jo pasha Zoten!”-thotë Rrustemi, nga Deçani.

“Jetohet disi. Pa punë, shtatë anëtarë familjeje. Çmimi i bukës është rritur, pastaj tjerat…Shtrenjtime, shtrenjtime, shtrenjtime, tej mase…”-ankohet Ata Haxhia, Gorane nga Dragashi i Rajonit të Prizrenit. “Kurrqysh hiç. çdo ditë më së paku një buke, e s´është as një kile. E ku është gjella? Ku është dreka? Ku është darka?”.

“Ai si e ka rrogën e mirë s´është shtrejt. A për atë që i ka 40 euro e s’ ka kah ia ngjet kurrkah… Është katastrofë mos me i kujdes kurkush për pensionistët e Kosovës. Të mirë e të këqij! Duart e tyre e kanë ndërtu Kosovën. Ata, çka kanë ditë, çka kanë mujt, kanë ba. Në punë 30-40 vjet e me i marr 40 euro, kjo është katastrofë!”

Pensionistët më të prekurit nga ngritja e çmimeve

Si rrjedhojë, Shoqata Rajonale e Pensionistëve e cila numëron rreth 10.000 anëtarë, kohëve të fundit morri vendim për bojkotimin e zgjedhjeve të sivjeme. “Me 40 euro as bukën nuk mundët ta sigurojë, as bukën, e lëre më diçka tjetër ta hash me bukë. Deri me tash, në çdo hap kemi has njerëz tuj kërku copa të bukës nëpër kontejnera. E tash, ky numër do të rritet edhe më shumë, sepse njeriu duhet të ekzistojë!”- thotë i revoltuar, kryetari i kësaj shoqate, Ismet Sheremeti.

“Ashtu…Disi ec puna…Çmimi është rrit në 40 cent se është shtrejtu mielli. Shitja ka ra…”-thotë Qamil Qoqaj, furrtar në furrën 200 vjeçare, “Qakorri” në Pejë.


 Grua duke mbjellë patate, Debelde, fshat 60 milje në jug të Prishtinës
Grua duke mbjellë patate, Debelde, fshat 60 milje në jug të Prishtinës

“Thesi i miellit 25 kg, përpara ka qënë 6-të euro apo në 6,50. Ndërsa, tash shkon deri në 10 euro. Kurse, mielli 1 kilogramësh që ka qenë 35 cent, tashmë është ngritur 50 deri në 60…Edhe prodhimet vendore edhe prodhimet nga Serbia, Italia etj.janë shtrejtu. Dhe, jo vetëm mielli por qumështi, vaji, sheqeri…”-thotë Ilir Gaska, pronar i një vetëshërbimi.

Toka megjithëse pjellore, nuk mbillet

Dhe, ndërkohë që popullata e Kosovës përballet me mungesë të artikujve bazë, me mijëra hektarë tokë shndërrohen në djerrina, ngulfaten nga mbetjet e shtëpive të rrënuara gjatë luftës apo nga male mbeturinash që rriten përditë, me arsyetimin më të 
shpeshtë “se nuk ka leverdi”. E, në një të kaluar jo të largët, familjet e gjëra kosovare jetonin vetëm nga prodhimet e kësaj toke, ndër më të pjelloret në rajon. Rrustemi dhe Zefi, janë dëshmtiarë të asaj kohe. “Në njëfare vakti, vetëm nga toka jonë i merrshim 5000 kile pasul. Unë ju kam grah kuajve e kijeve kur i plehëronim se kishim dhenë e lopë. Atëherë, veç me kmesë me i këput kollomoqat. Mbillnim kollomoq, grurë e tetana. Po more per Zotin! çka të mbjellësh korr. E tash shko, ke me gjet veç ferra e murriza“.

“Kush mundet me punu-nuk don e kush don, nuk mundet! Kështu domethanë i kemi dhanë rast Serbisë me na shërbye me gjana ushqimore, tuj mujt na me i ba në vendin tonë e në tokën tonë”. Sipas Zyrtarëve të Odës Ekonomike të Kosovës, importi në Kosovë është 800 milionë, përderisa eksporti është vetëm 70 milionë euro.

Ajetë Beqiraj, DW
(Visited 1 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *