Siguri nga KFOR-i – deklarata për pasiguri nga serbët e Kosovës

15 shtator 2007, Dojçe Velle. Me gjithë përpjekjet e forcave ushtarake dhe policore për vendosjen e sigurisë në Kosovë, pakica serbe deklarohet e pasigurt. Ata mendojnë se sigurinë mund tua ofrojnë vetëm policia dhe ushtria serbe…

Përgjigjet që marrim jo rrallë kur është fjala për gjëndjen e sigurisë dhe lirinë e lëvizjes apo edhe për një pavarësi të përafërt të Kosovës, janë kryesisht si të këtij qyetari nga Gorazhdevcii:

“Ne nuk kemi besim në Shërbimin Policor të Kosovës, nuk kemi besim në UNMIK-un e as në KFOR-in. Nëse Kosova bëhet e pavarur, ne vetëm të shpërngulemi prej këtu sepse nuk ka kush të na mbrojë. Kush do të na garantojë sigurinë? Kush? Shërbimi Policor i Kosovës?! Neve mund të na garantoje sigurinë vetëm policia dhe ushtria serbe, por asnjëherë një ushtri e huaj. Apo ndoshta, të bëhet ndarja e Kosovës dhe pjesën shqiptare ta ruajë policia shqiptare dhe trupat e tyre mbrojtëse, ndërsa pjesën serbe, ta ruajë policia serbe” -thotë Bogosav Jovanoviç, serb nga Gorazhdevci; 

Por, ai demantohet nga qytetari Mustafë Gashi, nga fshati fqinj i Gorazhdevcit. 

“Këta e kanë KFOR-in prej ditës së parë që hyri NATO-ja. Ja, edhe xhipi që po kalon është i KFOR-it. Qe ku e ke edhe policinë që i ruan non-stop. I ruajnë gjëja nga shqiptarët! Por, unë nuk e di as përse fshihen kur këndej kalojne dhe asnjeri s´i ngacmon. Unë jap kokën pse i ngacmon njeri!”-

Por, në ka kapacitet të mjaftueshëm KFOR-i për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, përgjigjen kërkojme tek i pari i forcës paqeruajtëse të KFOR-it, gjeneral lejtnant Havier de Marnak. “Duhet të bëhet dallimi në mes të perceptimit të kësaj sigurie dhe të sigurisë së vërtet. KFOR-i është përgjegjës për paqen dhe sigurine në Kosovë dhe ka kapacitet të mjaftueshëm për ta siguruar këtë paqe për të gjitha komunitetet e këtushme”-thotë për Deutsche Welle-n, komdananti de Marnak. 

Për dallim, përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, janë të sigurt nën mbrojtjen e paqeruajtësve të NATO-s, të cilët sikurse edhe vendet e banuara me pakicën serbe, që nga viti ´99 ruhen nga këto forca. Peshkopi i Manastirit të Deçanit, Teodosije Sibaliç. 
“Manastiri i Deçanit është i njohur si monument i pranuar në kopshtin e UNESKO-s, si pasuri kulturore botërore si dhe si një monument i rrezikuar për momentin. Prandaj, roli i ushtarëve të KFOR-it është shumë i rëndësishëm, ndërsa ndihma e tyre e domosdoshme për mbrojtjen e vlerave të manastirit, të cilat i kemi ruajtur deri në ditët tona. Të gjithë jemi të përkushtuar ta bëjmë këtë; ne që jetojmë në këtë manastir dhe KFOR-i, i cili na mbron dhe na ruan ditë e natë!” 

“Jo, absolutisht nuk është i rrezikuar për arsye se kjo është një vlerë e të gjithë neve dhe askush vlerën e vet nuk e dëmton. Absolutisht! Sepse, shqiptarët historikisht e kanë mbrojtur dhe do ta mbrojnë”-mendon kryetari i Kuvendit Komunal të Deçanit, Nazmi Selmanaj. 

Këtu, peshkopi Teodosije përballet me pyetjen: “Përse tash është e domsodoshme mbrojtja e Manastirit të Deçanit, kur janë shqiptarët ata që e kanë ruajtur me shekuj?” 

“Kur thashë se ky manastir duhet ruajtur, kjo nënkupton masa të veçanta për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, të cilat nuk i kam shpikur une por janë vënë nga njerëzit të cilët merren me ruajtjen e trashëgimisë kulturore botërore”-përgjigjet peshkopi i Manasitirt të Deçanit, Teodosije Sibaliç. 

Këto deklarata u bënë gjatë një konference për media, me rastin e vizitës së komandantit të Kfor-it, gjeneral lejtnant Havier De Marnhac, të premten, në komunën dhe në Manastirin e Deçanit. Komandanti De Marnak, në vizitën e tij të parë në Deçan si komandanti KFOR-it, deklaroi se gjëndja e sigurisë në Kosovë është dukshëm më e favorshme se para dy vitesh, kur ai ishte me mision në Kosovë dhe se kjo paqe e vazhdueshme, sa është meritë e forcave të sigurisë poaq është edhe meritë e popullit dhe e përfaqësuesve të tij. Se KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë siguri edhe më të madhe në këtë përiudhë të rëndësishme, sepse zhvillimin e procesit të zgjedhjeve dhe të zgjidhjes se statusit, populli i Kosovës meriton që ta kalojë në paqe dhe stabilitet”. 


Ajetë Beqiraj, DW
(Visited 1 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *