Odiseja e gjatë e kthimit

20 gusht 2007 , Dojçe Vele, Pas vënies së Kosovës nën administrimin e UNMIK-ut në vitin 1999, romët nga pothuaj të gjitha qendrat e mëdha të Kosovës lëshuan vatrat e tyre. Pas tetë vjet banimi si të zhvendosur nëpër qendra kolektive, në Serbi, Malit të Zi, Maqedoni dhe në shtete të perëndimit, ata po kthehen në pronat e veta, përderisa kthimin e të zhvendosurve përbrënda Kosovës vështirëson frika e ndërprerjes së ndihmës sociale nga qeveria e Serbisë.

Falë qeverisë së Kosovës dhe donatorëve të huaj, në Lagjen e Romëve në jug të Mitrovicës janë ndërtuar 50 banesa dhe 40 shtëpi. Zarife Bajrami, banore e njërës nga qendrat kolektive në veri të Mitrovicës, tashmë banon në njërën prej këtyre shtëpive të kompletuara me të pajisjet e nevojshme të kuzhinës.
 „Me dy vëllezërit dhe motrat kemi shtëpi trekatëshe-tregon Selvije Bajrami, kemi frigorifer, televizor, banjë. Atje sigurisht që ishin kushtet e rënda, pa ujë të ngrohtë. Prej se jemi këtu çdo gjë është në rregull. Tash pritet të vendosen në këtë apartament edhe një grup prej 50 vetash. Banorët e tjerë kanë ardhë prej Suboticës, Kragujevcit, Mitrovicës dhe ata që kanë jetuar në qendrat e këtushme kolektive. Ndërsa, të tjerët nuk di prej nga kanë ardhë“.
Ndërsa Selvije Shabani, ka jetuar tetë vjet e zhvendosur në Novi Sad. Tash ndjehet mirë në banesën dydhomëshe, është e kënaqur me kushtet. Selvija nuk pendohet aspak pse është kthyer: “Kemi ushqim, ujë, rrymë dhe një jetë normale çfarë duhet të ketë njeriu. Atje kemi banuar me qira, ndërsa këtu jam në shtëpinë time. Ndjehem mirë!“
Ndërkohë që familje të zhvendosura rome vazhdojnë të kthehen nga shtetet e rajonit dhe ato të perëndimit, dhjetëra familje të tjera në veri të Mitrovicës, refuzojnë kthimin në shtëpitë e rindërtuara. Shkaku: Frika se mos ju ndërpritet ndihma sociale nga Serbia.
Njeri prej tyre është edhe Xhemail Cakolli, i cili thotë: “Këtu jetoj me fëmijët qe dhjetë vjet dhe më përshtatet më shumë. Kemi ndihmë sociale nga Serbia, marrim edhe ushqime.”
Udhëheqësi i Listës Serbe për Kosovë, Oliver Ivanoviç kritikon mungesën e një qëndrimi të qartë të kësaj shtrese, gjë që dëmton vetë interesat e tyre. Lidhur me kthimin e të zhvendosurve thotë:  “Unë në disa takime kam provuar t´ua bëj me dije se kthimi në jug të Mitrovicës nuk do të cenojë pozitën e tyre në veri dhe se gjithnjë do të mund të kthehen, të tregtojnë madje edhe të punojnë gjatë ditës. Por është e rëndësishme t´iu renovohen shtëpite, sepse kjo mundësi nuk dihet në do të jetë edhe pas një viti. Ata duhet të kujdesen për vete. Të mbrojnë interesat e tyre dhe jo të vihen në anën e serbëve apo shqiptarëve. Mendoj se kanë mjaft probleme që duhet zgjidhur. Por, ky është obligim i përfaqësuesve të tyre politik“.
Donatorë kryesorë për rindërtimin e Lagjes së Romëve në jug të Mitrovicës ishin qeveria norvegjeze, me mbi 2 milionë euro si dhe Agjencioni Evropian për Rindertim, me mbi 1 milionë euro. Me rastin e inaugurimit të këtyre shtëpive, ku u kthyen 52 familje të komunitetit rom, kryeministri i Kosovës Agim Çeku pat bërë thirrje për kthim të të zhvendosurve: „Pavarësia e Kosovës nuk është ngjarje prej së cilës duhet  alarmuar pakicat. Përkundrazi, pavarësia e Kosovës është shenjë për t´iu kthyer Kosovës, sepse Kosova do të jetë e të gjithë banorëve të saj“.
Elizabeta Bajrami nga Zyra Komunale për Komunitete, e cila është edhe vet banore e njërës nga këto qendra, i porosit bashkëkombasit e saj që të kthehen në anën tjetër të qytetit:  “Ka qënë e vështirë të kthehet grupi i parë. Megjithatë, unë shpresoj se hap pas hapi do të kthehen të gjithë. Nuk kanë ku shkojnë më! Tetë vjet i kemi kaluar këtu. Nuk kemi pasur kurrfarë kushtesh për jetë, madje as ujë si duhet. Prandaj, është më mirë të kthehemi në shtëpitë tona. Çështja e sigurisë është në rregull dhe të kthyerit jetojnë pa asnjë problem“.
Kështu dhe duhet të jetë. Sepse, është e pamundur të kalosh  atypari dhe të mos shohësh ushtarët e KFOR-it si edhe përfaqësuesit e Shërbimit Policor të Kosovës, të cilët verifikojnë hyrje-daljet në këtë lagje. Këtë e konfirmon edhe banorja, Zarife Bajrami, e cila thotë se: “Rregullisht jemi nën mbikeqyrje të policisë. Na ruajnë ditë e natë KFORi, SHPK-ja, të gjithë. S´ka kurrfarë problemi. Çdo gjë ecën mirë. Çdo gjë është në rregull“.
Ajete Beqiraj,Dojce Vele

Leave A Comment

Your email address will not be published.