Shtyerje punimesh në rrugën Deçan-Plavë

4 gusht 2007, Dojçe Vele & Radio Kosova, Edhe pse rruga Deçan-Plavë-Vermosh ishte prioritet i Ministrisë së Transportit dhe Postëtelekomunikacionit të Kosovës, për vitin 2007, qarkullimi i makinave përgjatë shtatë kilometërshit të Zonës së Veçantë të Manastirit të Deçanit nxiti kundërshtimin e kishës dhe ndërhyrjen e zyrave diplomatike, duke penguar kështu fillimin e punimeve gjatë javës së shkuar.

Rruga Deçan-Plavë-Vermosh, është ndër projektet më kapitale të qeverisë së Kosovës, përkrah rrugës Prishtinë-Durrës. Hapja e këtij korridori të rëndësishëm që do t’I lidh shtetet e rajonit mes vete dhe me Evropën, duhej të fillonte brenda javës me asfaltimin e 4 kilometrave të rrugës ekzistuese. Por, të shtatë kilometrat e Zonës së Veçantë të Manastirit të Deçanit, përgjatë së cilës duhej të qarkullonin makinat në fazën e parë të punimeve, ishin arsyeja kryesore që pengoi fillimin e fazës së parë të punimeve. Fillimi i punimeve prej rrugës anësore dhe jo prej rrugës ekzistuese, do të ishte zgjidhje e pranueshme për përfaqësuesit e manastirit, prej nga pat ardhur edhe një propozim i tillë.
“Paralelisht me këtë luginë shtrihet lugina e Bistrices se Lloqanit –sqaron përfaqësuesi I manastirit, ati Sava Janiç. Ketu ekziston mundësia teknike që të bëhet një rrugë anësore prej Deçanit në Luginën e Lloçanit dhe do të lidhej me Bistricën e Decanit, poshtë Zonës së Veçantë. Kështu që rruga ekzistuese nga qyteti deri në krye të Zones së Veçantë do të ishte e shfrytezueshme vetëm për turistë, përderisa rruga tranzitore do të shtrihej në një linjë tjetër, ku shumica e tokave janë prona shoqërore. Këtë propozim e kemi diskutuar disa herë me përfaqësuesit e komunës. Ndërsa, një e mirë tjetër është se rruga do të mund të lidhej para qyetit me magjistralen Deçan-Gjakove, ndërkohë që nga rruga ekzistuese, automjetet shkarkohen drejpërdrejt në qytet”.
Për deçanasit, realizimi i këtij projekti zhvillimor i cili do të afronte me të dyja vendet e brezit kufitar dhe do të mundësonte integerimin më të lehtë në familjene evropiane, ishte arsye e mjaftueshme që të lejonin hapjen e një rruge anësore. Ndërkohë që qeveria e Kosovës kishte aprovuar këtë kohë më parë. Ministri i Transportit dhe Postëtelekomunikacionit, Qemajl Ahmeti thotë se „Zgjidhja më e mirë do të ishte rruga ekzistuese. Por, ne nuk jemi të interesuar të cenojmë Zonën e Veçantë, meqënse kjo nuk do të ishte në interes të Kosovës. Rruga është e gjatë 22 kilometra, 4 prej të cilave tashmë janë të ndërtuara“.
Sipas ministrit Ahmeti, ndër të 25 projektet kapitale te qeverise se Kosoves, rruga Deçan-Plave-Vermosh është një rrugë me prioritet. Por, paralajmërimi për fillimin e punimeve brenda kësaj jave, mbeti veç një lajm. Prerja e shiritit për fillim të punimeve nga kryeministri i Kosoves Agim Qeku dhe ministri Transportit dhe Telekomunikacionit, Qemal Ahmeti, për shkak të kundërshtimit të kishës dhe të presionit të Bashkësisë Ndërkombtare, u anulua brenda dite. Si pasojë, fillimi i punimeve të kësaj rruge me karakter ndërkombëtar do të shtyhet për afat të pacaktuar.
 “Ministria ka shpall ofertë për fillimin e punimeve me një gjatësi prej 4 kilometra e gjysmë -sqaron kryetari i Kuvendit Komunal të Deçanit, Nazmi Selmanaj-Mirëpo, punëtorët që merren me hartimin e ofertave, ndoshta nuk kanë qënë të informuar se aty ekziston një marrëveshje. Prandaj, kanë mendu që deri sa të hartohet projekti për këtë “bypas”dhe të bëhet studimi i fizibilitetit, të fillohet me asfaltimin e rrugës mbi Zonën e Veçantë. Pra, është bërë një kapërcim i kësaj apo, një keqkuptim. Kishte reagime edhe nga zyrat diplomatike e sidomos nga zyra amerikane dhe ajo britaneze, të cilat janë pjesë e kësaj marrëveshjeje. Ndoshta ishte edhe presioni i kishës…Por, tash ministria do të hartojë projektin e ri, do ta bëj studimin e fizibilitetit dhe të shpall tenderin për rrugën anësore”.
Projekti për rrugën Deçan-Plavë zë fill që në vitet 60-të. Ai është riafirmuar dy vjet më parë dhe që atëherë është parë si një domosdoshmëri për lidhje të të tria vendeve ndeërkufitare: Kosovë-Mali i Zi-Shqipëri.
Ajete Beqiraj,Dojce vele
(Visited 1 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *