Kërkesë për shpallje të gjëndjes emergjente

28 korrik 2007, Dojçe Vele, Pas gjëndjes alarmante të shkaktuar nga zjarret, Komiteti Ndërministror për Menagjim të Fatkeqësive Natyrore, autorizoi Qeverinë e Kosovës që të kërkojë nga shefi i UNMIK ut Joakim Ryker shpalljen e gjëndjes emergjente në tërë territorin e Kosovës. Por, me gjithë djegjen e mijëra hektarëve të tokës, pyjeve dhe disa shtëpvie nga zjarri, zyrtarë të lartë të administratës së UNMIK-ut thanë se me një koordinim të institucioneve vendëse dhe te atyre ndërkombëtare, zjarret e shumta mund te lokalizoheshin.

“Unmiku, KFOR-I, institucionet e Kosovës dhe partnerët tjerë kanë mundësi të përgjigjen ashtu siç kërkohet. Prandaj, mendojme se shpallja e gjëndjes emergjente nuk është e nevojshme, meqë kjo nënkupton edhe kufizimin e të drejtave civile dhe të të drejtave të njeriut”-tha me këtë rast, shefi për informim I administratës së UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko.
Pas vlerësimit të gjendjes së krijuar nga temperaturat e larta apo nga vet faktori njeri, qeveria e Kosovës në bazë të Ligjit për Fatkeqësitë Natyrore, në Kosovë, vendosi që në gjithë territorin e vendit të shpallë gjendjen e gatishmërisë emergjente, por që sipas saj, nuk ishtë gjëndje e jashtëzakonshme. Qeveria ndau një fond rezervë prej 700 mijë eurosh si dhe mori vendim për aktivizimin e gjithë potencialit per menagjim të situatës. Thirrjes së  qeverisë për ndihmë iu përgjigjën edhe trupat e NATO-s, në Kosove.
“Kurdo që lejojnë kushtet, helikopterët e KFOR-it do të jenë në dispozicion shtatë ditë të javës, që nga lindja e diellit e deri në perëndim të tij”-premoti zëdhënësi, Knut Peters.
Të premten, Këshilli Ndërministror për Menaxhim të Emergjencave raportoi se falë masave të qeverisë, angazhimit të zjarrfikësve, kontributit të trupave të KFOR-it dhe të TMK-së, si dhe falë angazhimit të vullnetarëve në shuarjen e vatrave të zjarrit, intenziteti i tyre është në rënie. Ministri i Punëve të Brëndshme, Blerim Kuçi, kërkoi hartimin e planit të veçantë operativ për të pesë komunat e Rajonit të Pejës, të cilat edhe me tej janë të rrezikuara nga zjarret. Drejtori i Agjencionit Pyjor për Rajonin e Pejës, Miftar Lokaj, raporton për vatra të reja:
„I kishim dy vatra, në Deçan. Një në Gjakovë e cila është përhapur nga Shqipëria në pyjet e Pashtrikut. Një vatër në pyjet e Lumbardhit si dhe të katërtën, në Istog. Të gjitha janë lokalizuar, përveç vatrës së Istogut”.
Për shpërthimin e tri zjarreve në pyjet e Istogut me ç’rast u dogjën 100 hektarë pyje, gishti u drejtua kah vet banorët serb të këtyre fshatrave. Të ejten, Njësitë e Specializuara të Shërbimit Policor të Kosovës raportuan për tetë të arrestuar, si të dyshuar për përfshirje në 42 raste të përhapjes së zjarreve në Rajonin e Prishtinës. Ndërsa, Shërbimi Policor I Kosovës po heton raste të tjera të zjarreve, shumica prej të cilave besohet të jenë shkaktuar nga faktori njeri.
 „Njësiti I gjyqësisë e ka marrë këtë qështje shumë seriozisht. Jemi duke punuar dhe që policia shume shpejt do te dalë me informata konkrete”-premton toger Mirsad Kelmendi, nga Policia Rajonale e Pejës.
Vetëm në dy javët e fundit në të pesë komunat e Rajonit të Pejës, janë djegur mbi 1900 hektarë sipërfaqe me kullosa, pyje dhe shkurre-raportojnë nga Agjencia Pyjore e Kosovës, sipas të cilës nga djegja e vargmaleve të Bjeshkëve të Nemura, që janë më cilësoret në Kosovë, dëmi në masën drurore vetëm në 300 hektarë do të jetë hiç më pak se 4.5 milionë euro.
Ajete Beqiraj, Dojce Vele

Leave A Comment

Your email address will not be published.