Zjarret në Kosovë rrezikojnë vendbanimet

25 korrik 2007, Dojçe Velle. Këshilli Ndërministror për Menaxhimin e Krizës në Kosovë e vlerëson gjendjen si alarmante. Qeveria e Kosovës kërkon nga shefi i UNMIK-ut, Joachim Rycker shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme
Zjarret vazhdojnë të përpijnë mijëra hektarë të pyjeve qindravjeçare të Kosovës. Flakët të shtuara nga temperaturat e larta tashmë po rrezikojnë edhe vendbanimet. Ministria e Punëve të Brendshme e qeverisë së Kosovës kërkon ndihmën e qytetarëve. Shtabi Emergjent i Krizës bën të ditur se zjarret tashmë janë përhapur në disa komuna të Kosovës.

Kërkojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, u shpreh mbrëmë ministri i brendshëm, Blerim Kuçi, i cili tha se për të penguar 
eskalimin e situatës ka kontaktuar edhe me NATO-n.

Sipas Këshillit Ndërministror për Menaxhim të Situatës gjendja në Kosovë është alarmante. Informatat e grumbulluara ndryshojnë nga ora në orë. Në disa komuna të Kosoves zjarret janë shtrirë edhe 
nëpër fshatra. Në një prej tyre është bërë edhe evakuimi i popullatës, ndërkohë që raportohet edhe për zjarrfikës të lënduar.

„Gjendja e krizës nënkupton angazhim në këtë drejtim. Por, ndërkohë ata që duhet, faktorët kryesorë për shuarjen e zjarreve janë Brigadat e Zjarrfikesve“- thotë zëvendëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri.

Në rajonin e Pejës situata po bëhet gjithnjë e më alarmante. Zjarret në bjeshkët e Rusolisë, Liqenak, Budisalc dhe në Kullë (pika kufitare me Malin e Zi), po rrezikojnë rreth 70 për qind të këtij territori. Në shtabin Emergjent të Kuvendit Komunal të Pejës njoftohet se prej 15 korrikut e deri më tash, nga zjarret janë djegur rreth 500 hektarë kullota, shkurre dhe pishnaja. Një kontigjent i Forcës Shumëkombëshe-Perëndim, ka ofruar ndihmë në 
lokalizimin e zjarreve. Shtabi Emergjent i Krizave i komunës së Pejës thotë se po përcjell me vëmendje gjendjen e krijuar.

„Gjendja megjithatë është nën kotroll. Nuk vërehet shtrirje zjarri në hapësirat e mëdha, por vetëm nëpër maja bjeshkësh“-thotë kreu i këtij shtabi, njëherësh edhe kryetar i KK-së së Pejës, Ali Lajçi.

Zjarri, i cili ka përfshirë bjeshkët në kufirin Kosovë-Mal i Zi, ka vazhduar edhe mbrëmë natën. Ndërkohë që në Bjeshkët e Prilepit dhe ato të Lloqanit, ekipet e zjarrfikësve së bashku me Trupat Mbrojtëse të Kosovës kanë arritur të lokalizojnë zjarrin. Sipas Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, në KK të Deçanit aktualisht në këtë territor janë përfshirë nga zjarri afro 10 hektarë pyje, kryesisht 
me drunj halorë.

Mijëra hektarë pyje tashmë jane djegur, të tjerë vazhdojnë të digjen ndërkohë që flakët po ju afrohen vendbanimeve. Në veri të Kosovës, rrezik të madh paraqesin zjarret e vendeve të rajonit, të cilat mund të përfshijnë edhe territorin e Kosovës, në perëndim të saj, flakët në rritje rrezikojnë territorin e Malit të Zi. Qeveria e Kosovës mbrëmë vonë, në nje mbledhje te jashtëzakonshme, ka kërkuar zyrtarisht nga shefi i UNMIK-ut, Joakim Ryker që të shpallë gjëndjen emergjente në vend, ndërkohë që ka hartuar një plan veprimi lidhur me masat qe mund t’i ndërmarrë në menaxhimin e gjëndjes. 
Qeveria ka ndarë një fond prej 700.000 eurosh për tejkalimin e gjendjen e krijuar pas përshkallëzimit të zjarreve si pasojë e temperaturaev të larta në territorin e Kosovës


Ajetë Beqiraj, DW

Leave A Comment

Your email address will not be published.