Temperaturat e larta atmosferike rrisin numrin e zjarreve në Kosovë

23 korrik 2007, Dojçe Velle. Sipas të dhënave të Departamentit për Menaxhim të Emergjencave të Ministrisë e Punëve të Brendshme te Kosovës, në qershor dhe korrik janë djegur sipërfaqe të tëra fushore e malore. Zjarret vazhdojnë

Sipas njoftimit të Departamentit për Menaxhim të Emergjencave në Ministrinë e Punëve të Brendshme ndër shkaktarët kryesorë të zjarrit në Kosovë, është faktori njeri si dhe temperaturat e larta që po mbretërojnë në këtë sezon veror.

„Shkalla e deficitit të lagështisë është marramendëse. Në matjet agrometeorologjike, në një metër thellësi, temperatura është 20 gradë C. Që do të thotë, po të binte shi një javë pandërprerje nuk do të plotësonte këtë mungesë që është e pranishme në matjet agrometerologjike“-thotë prof.doc.

Syle Tahirsylaj, nga Instituti Hidrometerologjik i Kosovës: “Vetëm gjatë muajve qershor dhe korrik të këtij viti në komuna të ndryshme të Kosovës nga zjarri janë djegur qindra sipërfaqe të tëra malore dhe fushore. Si rrjedhojë, Komiteti Ndërministror i dalë nga Qeveria e Kosovës për menaxhimin e gjendjes, ndër të tjera ka marrë vendim për ndalimin e ndezjes se çdo lloj zjarri në sipërfaqe të hapura.

Zëdhënësja e Qeverise së Kosovës, Ulpiana Lama: “Ndalohet ndezja e çfarëdo lloj zjarri të hapur e posaçërisht, ndezja e mbeturinave dhe fushave te korrura të grurit. Kjo kërkon angazhim shtesë dhe të përpikte të Shërbimit Policor të Kosovës, për implementimin e këtyre masave“.

Sipas Institutit Hidreometeorologjik, temperaturat 38.5 grade C. do të rriten edhe më tej. Drejtori Sylë Tahirsylaj premton zbritje temperaturash gjatë javës.

“Këto temperatura janë shënuar në vitin 1965. Pra, janë procese të përsëritshme. Por, edhe kjo do të jetë kaluese. Kështu që prej ditës së mërkurë do të kemi një zbritje të dukshme temperaturash, prej 6 deri në 10 gradë C. Ndërsa, në muajt e ardhshëm nuk do të ketë vlera ekstreme si deri më tash“.

Drejtori i Departamentit për Menaxhim të Krizave, sot e vlerësoi gjendjen alarmante, duke theksuar se në rreth 40 për qind të komunave të Kosovës janë ngritur qendrat e krizave. Zyrapi përmendi shpërthimin e zjarreve të reja në disa rajone të Kosovës, prej të cilave në gjëndje më kritike janë zona e Rugovës, e Kullës në afërsi të Rozhajës, komuna e Vitisë, ajo e Kamenicës dhe zona e Pashtrikut, duke paralajmëruar mundësinë e përhapjes së zjarrit edhe përgjatë kufirit me Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Sipas raportit të Departamentit për Menaxhim të Krizave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, vetëm në dy muajt e fundit në territorin e Kosovës janë shkaktuar afro 1.300 zjarre, ku si pasojë janë dëmtuar 4.624.7 hektarë fusha dhe pyje.

Ajetë Beqiraj, DW

Leave A Comment

Your email address will not be published.