Tanger Korea:Bashkimi Evropian i përkushtuar për zgjidhjen e statusit të Kosovës

20 korrik 2007, Dojçe Velle.  Ambasadori Antonio Tanger Korea, i dërguari i presidentes së radhës së BE-së-Portugalisë, shprehu bindjen se Kosova është çështje prioritare për Bashkimin Evropian ndërkaq Portugalia si kryesuese e BE së, ka prioritet të lartë çështjen e Kosovës.


Ambasadori portugez, Antonio Tanger Korea erdhi në Prishtinë të ejten me mesazhin që kosovarët të mos zhgënjehen në rast se Këshilli i Sigurimit dështon të marrë vendimin për statusin e Kosovës. I dërguari portugez vuri në dukje se ekzistojnë rrugë alternative për procesin nëpërmjet Grupit të Kontaktit, ndërkaq Portugalia si kryesues i BE së, ka prioritet të lartë çështjen e Kosovës.

„Do të doja t’iu them që të mos dekurajoheni nëse rezoluta nuk aprovohet në Keshillin e Sigurimit në ditët e ardhshme. Ne kemi edhe zgjidhje të tjera për të mbajtur çështjen në rrjedhë, të cilat do t’i miratojmë shumë shpejt brenda kornizës së Grupit të Kontaktit“, tha Antonio Tanger Korea.

I dërguari portugez, Antonio Tanger Korea, duke kërkuar edhe pak durim nga kosovaret tha se „duhet shterruar të gjitha mundesitë e dialogut. Një zgjidhje duhet gjetur, më mirë heret sesa vonë“. „Nuk mund të them kosovarëve saktësisht se sa ditë duhet pritur. Por, Bashkimi Evropian është shumë i përkushtuar për zgjidhjen e statusit dhe ne kemi vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat për të marrë përgjegjësitë nga UNMIKU-u dhe për ta instaluar misionin nderkombtar dhe atë të BE-së, të cilat misione jemi shumë të përgatitur t’i zbatojmë në bazë të planit të Ahtisarit. As ne nuk mund të presim shumë gjatë. Të hënën, në Bruksel, ministrat e jashtëm do të diskutojnë për Kosovën. Ndërsa, nga këto diskutime ne do ta kemi një ide të qartë për rrugën që kemi përpara“.

I dërguari i Portugalisë për Ballkanin Perëndimor, Antonio Tanger Korea, zhvilloi takime të ndara me shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker dhe me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun.

Ndërkohë që lideri i ORA-s, Veton Surroi, para nisjes për në Francë prej ku do të udhëtojë për në SHBA, për takimin me sekretaren e shtetit Kondoliza Rajs, deklaroi se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet para Krishtlindjeve të këtij viti. „Ekipi i Unitetit duhet t’i sugjerojë Kuvendit të Kosovës që të kryejë obligimin e vet para qytetarëve të Kosovës“-tha ndër të tjera, anëtari i Grupit të Unitetit, Veton Surroi, duke theksuar edhe nevojën për përgatitjen e agjendës legjislative në Kuvendin e Kosovës dhe ruajtjen e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare në proceset e ardhshme.


Ajetë Beqiraj, DW

Leave A Comment

Your email address will not be published.