Mesazh durimi

20 korrik 2007 , Dojçe Vele, I dërguari i presidentes së radhës së BE-së, Portugalisë për Ballkanin Perëndimor, ambasadori Antonio Tanger Korea në Prishtinë shprehu bindjen se Kosova është çështje prioritare për Bashkimin Evropian.

Ambasadori portugez, Antonio Tanger Korea erdhi në Prishtinë të enjten me mesazhin që kosovarët të mos zhgënjehen në rast se Këshilli i Sigurimit dështon të marrë vendimin për statusin e Kosovës. I dërguari portugez vuri në dukje se ekzistojnë rrugë alternative për procesin nëpërmjet Grupit të Kontaktit, ndërkaq Portugalia si kryesues i BE së, ka prioritet të lartë çështjen e Kosovës.
„Do të doja t’iu them që të mos dekurajoheni nëse rezoluta nuk aprovohet në Keshillin e Sigurimit në ditët e ardhshme. Ne kemi edhe zgjidhje të tjera për të mbajtur çështjen në rrjedhë, të cilat do t’i miratojmë shumë shpejt brenda kornizës së Grupit të Kontaktit“, tha Antonio Tanger Korea.
I dërguari portugez, Antonio Tanger Korea, duke kërkuar edhe pak durim nga kosovaret tha se „duhet shterruar të gjitha mundesitë e dialogut. Një zgjidhje duhet gjetur, më mirë heret sesa vonë“.  „Nuk mund të them kosovarëve saktësisht se sa ditë duhet pritur. Por, Bashkimi Evropian është shumë i përkushtuar për zgjidhjen e statusit dhe ne kemi vënë në lëvizje të gjithë mekanizmat për të marrë përgjegjësitë nga UNMIKU-u dhe për ta instaluar misionin nderkombtar dhe atë të BE-së, të cilat misione jemi shumë të përgatitur t’i zbatojmë në bazë të planit të Ahtisarit. As ne nuk mund të presim shumë gjatë. Të hënën, në Bruksel, ministrat e jashtëm do të diskutojnë për Kosovën. Ndërsa, nga këto diskutime ne do ta kemi një ide të qartë për rrugën që kemi përpara“.
I dërguari i Portugalisë për Ballkanin Perëndimor, Antonio Tanger Korea, zhvilloi takime të ndara me shefin e UNMIK-ut, Joakim Ryker dhe me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiun.
Ndërkohë që lideri i ORA-s, Veton Surroi, para nisjes për në Francë prej ku do të udhëtojë për në SHBA, për takimin me sekretaren e shtetit Kondoliza Rajs, deklaroi se statusi i Kosovës duhet të zgjidhet para Krishtlindjeve të këtij viti. „Ekipi i Unitetit duhet t’i sugjerojë Kuvendit të Kosovës që të kryejë obligimin e vet para qytetarëve të Kosovës“-tha ndër të tjera, anëtari i Grupit të Unitetit, Veton Surroi, duke theksuar edhe nevojën për përgatitjen e agjendës legjislative në Kuvendin e Kosovës dhe ruajtjen e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare në proceset e ardhshme.
Ajete Beqiraj,Dojce Vele
(Visited 2 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *