Zyhra Beqiri-Ne vetmi e ne skamje…

17 korrik 2007, Dojçe Velle. Gjendja e përgjithshme sociale në Kosovë vazhdon të jetë e rëndë. Sipas Institutit për Politika Sociale në Prishtinë, 32 mijë familje kosovare i janë drejtuar për ndihmë Ministrisë për Punë dhe Mirëqënie Sociale. Por, jo edhe Zyhra Beqiri e cila jeton në varfëri të skajshme. 

Rruga e gjerë e cila shkëputet nga magjistralja Pejë-Gjakovë, çon në gji të fshatit Lloqan. Rrugë gjarpërore e rrethuar me drunj e shkurre, e matanë, fusha gjelbërore e pyje. Kënga e zogjve në kurorat e drunjve përzihet me zëra të gëzueshem fëmijësh që luajnë nëpër oborret e shtëpive shumëkatëshe.

Por kur vështrimi bie mbi pullazin e një kasolleje të vocërr, buzë një shkurreje, pamja merr njëherazi ngjyrë tjetër. Rrezet e diellit të mesditës e bëjnë ajrin mbytës. Pranë kësaj kasolleje të varfër bie aromë mjerimi që në prag, prej nga del një plakë me barrën e një shekulli jete mbi supe.

Zyhra Beqiri nuk pati fëmijë. Pas vdekjes së bashkëshortit, nuk i ka ngelur njeri. Farefisi nuk ia shkel pragun kurrë: “Oh, çika jeme! I kam dy çika të vëllait në Gjakovë. Po ato nuk vinë me më pa kurrë!”

Lokja numeronte ditet  e luftes me kokrra pasuli

Fshati i braktisur e i rrënuar duket sikur ka mbetur në një botë tjetër. Shtëpitë e djegura-janë renovuar. Shtëpitë e rrënuara-janë ndertuar. Vetëm kasollja e varfër ka mbetur e njëjtë, si dikur. Gjate luftës, aty mbeti edhe lokja e vjetër, e cila nuk iu bashkangjit karvaneve sepse nuk kish çfarë të humbte…

„Gjithë ditën e gatë risha ratë prej merzisë. Dikush më tha ëndërr: “Mos u mërzit se edhe dy javë ka me u çu Serbia. I ngjehsha ditët me kokrra pasuli… Kur ba e 15-ta ditë, erdh drita te pengjerja e m’thanë se jemi kthy në Kosovë“.

Këtu bien ndesh dy botë. Po këtu, ato ngërthehen e bashkohen përmes dorës së mëshirës.
“Pooo. Më këqyrin e më donë këta mue. çka kanë me hangër për vete, më japin edhe mue. Nona e ktij djalit ma ka ble radion me babën e vet. Cufa me jep pare. Më donë këta, Zoti i rujt!“-pohon lokja duke bere me shenje kah fqinjte e saj te mire, sepse deri me tani ajo nuk ka gezuar ndonjehere asistence sociale.
“Jo, vallahi! M’i kanë pa dhonë por tash po i nalin për veti. Po vallahi! Shteti po m’i jep ka 40 euro. Unë foli drejt!”
Asistenca sociale ndodh te keqperdoret

Ndihmë sociale nga 40 deri në 72 euro, nuk shkon gjithmonë aty ku duhet. Sipas drejtorit të Institutit për politika sociale, Mustafa Gara, në Kosovë mungojnë edhe shifrat e sakta të nevojtarëve.

“Në Kosovë, nga subjekte të ndryshme varfëria deklarohet të jetë 62 per qind dhe 43 per qind e varfërise. Këto dy shifra që nuk përputhen, janë rezultat i mosnjohjes së gjendjes reale të varfërisë në Kosovë. Pastaj i deklarimit të varfërisë, në 15 perqind dhe varfërisë ekstreme në 12 perqind janë gjithashtu dy tregues se ne ende në Kosovë sherbehemi me të dhëna që na i ofrojnë shqisat e të pamurit dhe jo një verifikim i kësaj gjëndjeje me anë të një hulumtimi. Megjithatë, janë përfaqësues të 32 mijë familjeve të cilët me anëtarët e familjeve përbëjnë afërsisht 180.000 njerëz, që janë të mbështetur nga ministria”.

Ligji për ndihmë sociale në Kosovë zbatohet që nga viti 2004. Sipas drejtorit të Inistitutit për Politika Sociale, Mustafa Garës, ministria jep mbështetje financiare edhe për pensionistët kontributdhënës, për pensionistët e pleqërisë, njerëzit me aftësi të kufizuara, invalidët e luftës dhe familjet e dëshmorëve.

Leave A Comment

Your email address will not be published.