Probleme me pronësinë mbi objektet fetare

28 qershor 2007, Dojçe Vele, Në Kosovë, mbrojtja e Zonave të Veçanta përreth objekteve kulturore e fetare-në njërën anë si dhe shfrytëzimi I pronave përreth nga pronarët-në anën tjetër, nuk është e vetmja nyje e pazgjidhur ndërkohë. Ndërtimi i mureve përreth Manastirit te Deçanit dhe Patriarkanës së Pejës, është një tjetër çështje që dëshmon se mungesën e mënyrës së zgjidhjes se problemeve në mes të objekteve fetare dhe titullarëve të pronave.

Për disa muaj, në pjesën e prapme të Manastirit të Deçanit, u ndërtua një mur guri në gjatësi prej 400 metrash, përbrënda të cilit, sipas klerikëve të manastirit, planifikohet të ndërtohen objekte për ekonominë kishtare. Po sipas tyre, ky zgjerim bëhet në bazë të rekomandimeve të UNESCO-s, statusin e mbrojtjes së të cilës organizatë e ka Manastiri i Deçanit.
 “Manastiri ka pronën e vet dhe gjithë çfarë bëhet në manastir, punohet në bashkëpunim me institucionet. Ne, mbi të gjitha, kemi kontaktuar edhe përfaqësuesit e UNESKO-s, të cilët kanë propozuar që ekonomia e manastirit të zhvendoset jashte tij, duke lënë pjesën historike vetëm për vizitorët”-pat sqaruar pwr DW-në, zëdhënësi i këtij Manastiri, Sava Janjiç.
Në Drejtorinë Komunale për Gjeodezi dhe Kadastër, në Deçan, nuk kontestohet prona e manastiri e cila sipas aerofotografimit të vitit 1983, evidentohet si pronë e tij. Mirëpo deçanasit reagojnë për hapësirat e dedikuara për shfrytëzim përgjatë anës së djathtë të Lumbardhit, të cilat sipas tyre, janë vënë në geto nga ana e Manastirit. Tensionin rrit më tepër shpallja e këtij territori, Zonë e Mbrojtur nga ish- kryeadministratori i Kosovës, Soren Jesen Petersen, ku pronarët e 800 hektarëve të tokave, thonë se janë “peng i vendimeve politike, të cilat i privojnë nga liria e lëvizjes dhe nga shfrytëzimi i pronës”.
Ati i Manastirit Orodoks, Sava Janjic vjen me argumentet e tij:
“Po shikoni, manastiri është një bashkësi e gjallë ku jetojnë njerëzit dhe jo një muze. Ne kemi informuar komunen me kohë. Punimet i kryen një firmë shqiptare. Ndërsa, ne jemi të lumtur pse në këtë mënyrë ia kemi dalë të vëmë kontakt me bashkësinë lokale”.
Pas fortifikimit me mure të trasha të Manastirit të Deçanit, realizmin e një projekti të tille në janar të këtij viti, e filloi edhe Patriarkana e Pejës. Por, ndonëse asnjëri se thoshte saktë se kush është financuesi i këtij projekti kapital, i gjithë kontesti midis KK-së së Pejës dhe Patrikanës, doli për shkak të mosaplikimit për leje ndërtimi te autoritetet komunale. Por, pas regjistrimimt kadastral të pronës së kishës nga ekspertë të kësaj drejtorie, u tha se porta e këtij muri shtrihet në pronën shoqërore. Kryeshefi i  ekzekutivit të Kuvendit Komunal të Pejës, Shkëlzen Hyseni, përmes një konference për media ia adresoi një akuzë të dyfishtë Patriarkanës së Pejës, siç thotë: “Për mosparashtrimin e kërkesës për lejen e ndërtimit të murit dhe për ndërtimin e portës në pronë të komunës”.
Vendimi i ekzekutivit të Pejës për ndërprerjen e punimeve të murit në gjatësi prej 416 metrash dhe në lartësi prej 3 metrash, u shfuqizua vetëm pas dy javësh. Ndërsa, kreu i Pejës, Ali Lajçi, i njohur në opinion si kundërshtues i shpalljes së territoreve përreth monumenteve kishtare si Zona të Mbrojtura, megjithatë pranon pa hezitim se “presionet” nga lartë e kishin shtyrë që t’u nënshtrohej rregullave të lojës për të mirën e procesit.
Patriarkana e Pejës dhe Manastiri i Decanit, dy objekte të rëndësishme kulturore e fetare të ndërtuara shekuj më parë në dy grykat magjepsëse që shpien në Bjeshkët e Nemura mbetën të paprekura deri në ditët tona. Por, ato sot shihen si “mollë sherri” nga po ai popull i cili i ruajti dhe i mbrojti edhe me jetë.   „Asnjëherë nuk ka ndodh që ky popull ta ngacmojë manastirin e Deçanit ose prijësit e tij fetar. Tash, Manastiri i Decanit dhe Patriarkana e Pejës, bëjnë inskenime politike kinse nuk jemi të sigurt“-flet i revoltuar një banorë deçanas. 
“Me Patrikanën, përreth së cilës po bëhet një kijamet fortifikate duhet të merret edhe vet Këshilli i Sigurimit, sepse kjo po na preokupon të gjithëve“ -ngrit zërin një banor tjetër nga Peja.
Zëvendëskryeadministratori i Kosovës, Stiven Shuk, ndërmerr hapa për të kuptuar më shumë.   “Dhe kështu, ne zbuluam se Manastiri i Deçanit është ai i cili administron Patriarkanën e Pejës. Këtu kishte një gabim dhe kjo ndikonte keq në komunë. Këtu kuptuam, poashtu, se në Planin e Presidentit Ahtisari mungonte protokolli, mënyra se si duhej të zgjidhen këto çështje ligjore. Kisha nuk mund të shkojë në Serbi që të marrë miratimin për ndërtimin e murit, duke injoruar komunën e cila duhet të ketë planin, që të mund të ndërmarrë hapat e nevojshme për respektimin e Planit të Ahtisarit. Neve na duhej një mekanizëm i cili do të zgjidh çdo mospërputhje apo problem që del pas kësaj. Ky mekanizëm tashmë është krijuar. Manastiri e ka kuptuar gabimin e vet dhe e ka pranuar. Ndërsa ne jemi në procesin e ndryshimit të planit të tyre. Çfarë dua të them unë është se të gjitha këto çështje kanë zgjidhje”.
Ajete Beqiraj,Dojce Vele

Leave A Comment

Your email address will not be published.