Stiven Shuk në bashkëbisedim me qytetarët e Kosovës

22 qershor 2007, Dojçe Vele-Vëvendëskryeadministratori i Kosovës, Stiven Shuk, në bashkëbisedim me qytetarët e Kosovës i porositi “edhe për pak durim dhe shumë besim në miqtë e tyre  deri në gjetjen e një zgjidhjeje për Kosovën“.



Është herë e parë që zëvendëskryeadministratori Stiven Shuk, ka ardhur në Kullën e Osdautajve, njëra ndër të 63 kullat e Komunës së Deçanit. Prandaj, përkrah mikpritjes së ngrohtë, ai nga krerët e fshatit që në fillim njoftohet me historikun e Isniqit dhe me trashëgiminë kulturore të kësaj treve, në këtë kullë-muze. Në odën eburrave, me kafe, cigare e raki rrushi, dëgjon me vëmendje pyetjet e shumta që preokupojne komunitetin e këtushëm. Pyetje që përsëriten nga njerëz të ndryshëm në këndet e Kosovës. Të njohura, e ndër to edhe pyetja nëse rebelimi i popullit do të sillte deri te miratimi më i shpejtë i rezolutës së re për Kosovën? Një pyetje e tillë, zëvendësshefit të Unmikut, ju shtrua në Hereq të Gjakovës. Pranë murit të veshur me fotografi dëshmorësh dhe martirësh, Shuk përgjigjet në atë mënyrë, siç thotë: „sikur ata që u flijuan të ishin duke dëgjuar përgjigjen e tij“. Përgjigje, që duhet peshuar mirë në këtë moment historik për Kosovën!

„Besoj se të japësh jetën për një ideal, don të thotë se atë e bën për çmimin më të mirë. Çmimi më i mirë për këtë sakrificë sublime ende është i arritshëm. Një të ardhme që do ta mundësojë Këshilli i Sigurimit, sepse është po i njëjti, i cili i tha NATO-s të 
ndërhyjë në Kosovë. Prandaj po të isha dëshmor, do t’iu garantoja se kjo nuk është zgjidhje e mundshme”.

Me një pyetje të tillë, zëvendëskryeadministratori Shuk u përball edhe në Gjilan. Pyetje që duhet gjetur përgjigjen, për një popull të cilin mbetja pezull po e ndrydh heshtur.

„Mos zbehni sakrificën e dëshmorëve. Ofrojuani respektin e duhur dhe kini edhe pak besim të miqtë tuaj, se ata do ta gjejnë një zgjidhje së shpejti. 
Draft rezolutës së tanishme të prezantuar Këshillit të Sigurimit, duhet ofruar mundësia për shqyrtim. Dhe 
përfundimisht, do ta presim rezultatin e të dy krerëve më të larte të angazhuar në këtë çështje: presidentët Bush dhe Putin“.

„Ne kurrë s’kem pasë mik ma të madh, veç Zotit në qiell dhe Amerikës në tokë. Tash jemi tuj prit, se s’ma merr mendja se Bushi i harron fjalën që e ka dhanë në Shqipëri, në Bullgari e Itali, se Kosova do të jetë e pavarur“-ngrit zërin plaku isnicas, Muharrem Mulaj.

“Një ndër shqetësimet e mia, në Kosovë, është përqëndrimi i përgjithshëm në atë se çfarë po ndodh në Nju Jork. Po të isha në vendin tuaj, do të bëja njësoj, sigurisht. Por, jo gjithë kohën! Pjesën tjetër të ditës do të mendoja se si mund ta bëjmë Kosovën një vend më të mirë për të jetuar. Këtë dëshiroj për qeverinë e Kosovës, të njëjtën kërkoj edhe nga ju, sepse ka shumë punë për të bërë!“- thotë zevendesshefi i UNMIK-ut, Stiven Shuk.

„Unë s’kam ndërmend të flas keq për Serbinë, por ata po flasin për ne-thotë isniçasi. Neve, qe njëqind vjet na ka sundu serbi. Na i ka marrë me zor, kishat. Nuk kemi përrua, krua as bjeshkë në Kosovë, që nuk kemi njerëz të pushkatuar. Eshtrat e grave e fëmijëve tanë, të pleqve e plakave hala s’na i kanë pru edhe munden me thanë:“Djepi i Serbisë asht Kosova?!“

„Historia e Kosovës dihet…Prandaj ndërhyri Nato-ja. Për këtë arsye erdhi OKB-ja. Kjo është e qartë! Por, realiteti i sotëm është krejt ndryshe. Dhe, unë do të doja që ta orjentojmë energjinë në këtë realitet, duke e bërë atë sa më të mirë?“-porosit zëvendëskryeadministratori i Kosovës, Stiven Shuk, i cili turneun në fshatra të Gjilanit, Gjakovës dhe të Deçanit, e përfundon në Zyrën Britanike, në 
Prishtinë, me një dolli për ditëlindjen e mbretëreshës së Anglisë. E populli i këtushëm, me vëmendjen e përqëndruar kah Amerika dhe Evropa, pret plot shpresa lindjen e një Kosove të re. Pret ditën kur do të ngreh dollinë për Pavarësinë, ndaj i thone te bindur per ardhjen e kesaj dite:

„Kur ta marrim pavarësinë, do të vish të ngresh me ne dollinë!”

(Visited 4 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *