Vullnetarët serbë përgatiten për luftë në Kosovë

4 maj 2007 , Dojçe Vele, Me 5 maj, në kishën Llazarica në Krushevc do të paraqitet në uniformë “Garda e car Lazarit”, e cila mbledh vullnetar serb nga mbarë bota për të luftuar në rast të pavarësimit të Kosovës. Garda përbëhet nga veteranë të luftës prej ë0 qyteteve të Serbisë, por do të jenë prezent vetëm 100 prej tyre. Ndërkohë që në Serbi janë rreth 5000 vullnetarë” – citoi para pak ditësh e përditshmja beogradase “Danas”, kryetarin e Lëvizjes së Veteranëve të Serbisë, Zheljko Vasiljeviq.

“Garda e Car Llazarit” e cila paralajmëron shfaqjen zyrtare me 5 maj, në rast të shpalljes e pavarësisë së Kosovës, do të duhej të marshonte drejt Kosovës me 5000 vullnetarë serb. Disa prej tyre do të kenë uniforma të luftërave të mëparshme përderisa të tjerët, me uniforma të blera në vënde të ndryshme. Pajisja me armatim do duhej të bëhej nga Serbia. Ata thonë se edhepse Kosova është e mbrojtur nga forcat ndërkombtare, ajo nuk është e mbyllur hermetikisht dheveteranët me përvojë do të dinë të gjejnë shtigjet drejt saj. „Veteranët me përvojë do të dinë të sillen edhe me forcat paqeruajtëse, në rast se vendosin t’iu kundërvihen, gjë që besojmë se nuk do ta bëjnë“, thotë për gazetën beogradase „Danas“ presidenti i “Lëvizjes se Veteranëve të Serbisë”,  Zeljko Vasiljeviq, sipas të cilit në mesin e vullnetarëve të „Gardes së Car Llazarit“ ka edhe shqiptarë të dëbuar me 1999 nga Kosova, për shkak të besnikërisë së tyre ndaj Serbisë.
Organizatore e tubimit të 5 majit në Kurshevc të Serbisë, për të cilin nga ana e kishës Llazarica u refuzua kërkesa që t’iu kendonte kori kishtar dhe t’iu shërbehej liturgjia e mëngjesit, është Lëvizja e veteranëve të Serbisë si dhe Lëvizja e Serbve të Bashkuar.
 “Qëllimi i kësaj lëvizjeje është që të bashkojë serbët nga e gjithë bota. Ajo është shumë më e gjërë se po të ishte vetëm lëvizje e Serbisë. Kjo lëvizje është nën mbrojtjen e Gardës së Kosovës dhe Metohisë. Kjo është Garda e car Llazarit të shenjtë, e cila ndërkohë numëron 2500 nxënës të specializuar”thotw pwr DW-nw, Haxhi Andrejeviq Miliq nga Lëvizja e Serbve të Bashkuar.
Haxhi Andrejeviq Miliq, nga Guça e Çaçakut, i cili ishte në një feste fetare në Manastirin e Deçanit, pohon se “ndonëse kushtetuta e Millosheviqit ka qënë relativisht e mirë”, ata veprojnë sipas motos: ”Nuk e japim Kosovën pa luftë. Ajo që është grabitur me luftë, me dhunë, me dhunë duhet të kthehet – herëdokur”!
 Ai citon edhe Rezolutën 12/44, duke shtuar se “kemi të drejtë që në Kosovë e Metohi t’i rikthejmë 999 ushtarë”.
Lajmi për formimin e “Gardës së Car Llazarit”, komentohet në mënyra të ndryshme. Gjorgje Mamula nga Partia Demokratike e Serbisë thotë se “Kushtetuta dhe ligji vlejnë për të gjithë dhe nuk lejojnë të formohen njësi paramilitare”.
Oliver Ivanoviq, bartës i Listës serbe për Kosovë e Metohi, shpreh brengosje për shkak të këtyre iniciativave, ndonëse, siç thotë ai, “kush do të bëjë diçka të tillë, nuk deklarohet nëpër media“.
Në një letër dërguar redaksisë së gazetës politike „Glas Javnosti“,
Andrejeviq Miliq shkruan: “Lëvizja e Popullit të bashkuar serb ka ardhë në përfundim se Jerusalemin serb, Kosovën dhe Metohinë, duhet mbrojtur populli serb. Kanuni dhe ligji është populli!”
Përderisa për Dojçe Vele-n deklaron se „Këtu, po planifikohet formimi i një Amerike të Tretë, sigurisht. Por, ne kemi një shpresë të madhe se Bashkimi Evropian, Rusia dhe Kina nuk do të pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe Metohisë. Kjo është një fuçi e madhe baroti e cila, në më kuptoni drejt, tashmë është ndezur. Ndoshta, për shkak të Kosovës dhe Metohisë, do të ndizet i gjithë planeti!”
Andrejeviq Miliq, është i bindur se Kina dhe Rusia nuk do të lejojnë shkëputjen e Kosovës nga Serbia.
“Jo. Kjo s’do të ndodh kurrë! Është e mundur që dikush të shpall pavaresinë në letër. Por, kjo do të zgjas një kohë të shkurtër!Jo se ne jemi kaq të fuqishëm dhe do të hyjmë në luftë. Këtë do ta bëjnë kinezët dhe rusët, sepse ata e kanë kuptuar se përmes territorit tonë do të mbrojnë territoret e veta-htoë Andrejeviç Miliç, dhe shton se: “Asnjeri s’ua ndalon „shiptarima”, siç i quajmë ne, që të jetojnë në Kosovë e Metohi. Por, t’na grabisin territorin është e pamundur, sepse do të çohen Sava i shenjtë dhe i shenjti car Llazar, të cilët kanë themeluar këtë shtet serb. Dhe, nëse duhet të hymë në betejë, pak ka rëndësi numri i ushtarëve. Ndoshta ai numër mund të jetëqesharak dhe kjo që po flas tingëllon joreale. Por, ne serbët asnjëherë në histori nuk kemi parë realitetin. Tek serbët nuk ka realizëm”.

Ajete Beqiraj,Dojce vele

Leave A Comment

Your email address will not be published.