Date Archives September 2006

Vdiqën apo u vranë pese te burgosurit ne Burgun e Dubraves?

8 shtator 2006, Dojce Vele, Pesë persona humbën jetën dhe 17 të tjerë u lënduan, pas protestës së të burgosurve të Burgut të Dubravës, me 4 shtator të vitit 2003. Familjet e të pesë viktimave ende nuk kanë marrë përgjigje adekuate për arsyen e vdekjes së bijve te tyre. Ata dyshojnë se shkaktar është dhuna e Njësitit për Intervenim.

Një rrugë zig-zage e gurëzuar të shpien në perëndim të fshatit Zabllaq të Istogut, në fund të së cilës është një shtëpi me dyer të hekurta. Brenda tyre një oborr gjelbëror, me lule, bimë e pemë gjithfare, e në të djathtë të tij një shtëpi e re. Një shtepi e ngjyrosur me të bardhë, por e veshur në zie.

“Është shtëpia e Mentorit, që ma la shkret!”- thotë babai I Mentor Mehmetajt, njëra ndër pesë viktimat e zjarrit në pavionin nr. 2 të burgut të Dubravës, me 4 shtator 2003.
 

Protesta e te burgosurve perfundoi me pese te vdekur
 

Per rrebelimin e të 174 të burgosurve erdhi si pasojë e kushteve të këqija jetësore dhe e shkeljeve të të drejtave njerëzore, dëshmon Dibran Fylli nga Klina, njëri ndër dëshmitarët e kësaj ngjarjeje. Mungesa pesëditore e ujit, sipas tij, ishte pika e fundit që do të mbushte kupën.
“Ne bëmë kërkesë tek drejtoria e burgut, për ujin, për vizita të lira, që t’na lejojnë të marrim pjesë në varrimin e ndonjë anëtari të familjes së ngushtë. Të gjitha këto mungonin në atë kohë.”
Me 4 shtator të vitit 2003, pas protestës së të burgosurve në Burgun e Dubravës autoritetet ndërhynë me dhunë për të rimarrë kontrollin mbi pavijonin nr. 2. Ps kësaj shpërthen zjari, me c’rast pesë të burgosur humbin jetën. Por, familjarët e të pesë viktimave Mentor Mehmetajt-24 vjec, nga Zabllaqi I Pejes; Ardian Thaqit-23 vjec nga Prizreni, Hamëz Hasanit-30 vjec nga Shipoli I Mitrovices; Sinan Demollit-24 vjec nga Hajvalia e Prishtinës dhe Hasan Fanajt-30 vjec nga Prizreni, janë të bindur se bijtë e tyre nuk janë viktima të zjarrit.
 

Avokati Tome Gashi: Vdekja e tyre ende mister
 

Arbeni, vëllai I Mentor Mehmetajt thotë se rezultatet e ekspertizës nuk përkojnë me atë që ai ka parë në trupin e Mentorit.  “Aty shkruan se ka vdekë prej tymit dhe zjarrit. Por, unë e kam pa se ka pasë edhe gjurmë rrahjeje, ka qënë I vrarë. Kam edhe fotografi”.

Ndersa, sipas përfaqësuesit ligjor I familjeve të të pesë viktimave, Tome Gashi:”Misteri mbetet, përse ka ndodh ajo, për c’arsye? Familjaret e tyre dhe unë si përfaqësues I tyre se ajo ka qënë shkelje e të drejtave të burgosurve, fatkeqsisht, shkelje e të drejtës për jetë, sepse të burgosurit kudo në botë duhet të kenë sigurinë e plotë”.
 

Deshmitari:Te burgosurit nuk jane viktima zjarri
 

Dibran Fylli, dëshmitar I ngjarjes kundërshton deklaratën se të pesë të burgosurit janë viktima të zjarrit.  “Nuk është e vërtet se ndonjëri nga të pestët është djegur. Ata jane viktima të njerëzve që sot punojnë dhe janë të graduar në burgun e Dubravës. Këtë mund ta dëshmoj në cdo prokurori”.

 

Kjo pyetje shtrohet herë pas here nga familjaret e viktimave. Por, as pas tri vjetësh nuk marrin përgjigje. “Ne, familjaret e të pesë viktimave kërkojme që për hir tonin, drejtësia të shpall këtë të vërtet botërisht dhe të mos shkel mbi të drejtat tona njerëzore e prindrore, duke bërë kështu krimin e dytë ndaj nesh”-thuhet në thirrjen e familjareve për drejtësi, botuar këto ditë në organet e shtypit.
 

Gashi:Parregullsi te shumta ne raportin e komisionit
 

Avokati I të pesë familjeve, Tome Gashi, atëbotë merr një raport nga një komisioni I vecantë, I formuar nga kryeadministratori I athershëm. “Raporti nuk eshte dashte te perpilohet por eshte dashte qe te fillojne menjehere hetimet penale, per t’u ditur pergjegjesia dhe personat pergjegjes”-thotë avokati Gashi.

Por, këtij raporti të Komisionit të Dubravës – në përbërje të Timothy Clayson, Andreas Weren dhe Zait Xhemailit, nuk I jane bashkangjitur provat mbi të cilat është nxjerr raporti.  Ai mbjell dyshim refuzimi I kopjes së këtij materjali për familjet se dikush ka arsye të vecantë që të hesht këtë rast? 
 

“Është e sigurt se kanë kaluar tri vjet dhe ky materjal nuk iu dorëzohet familjarëve. Kjo na përkujton kohën e komunizmit, kur komisionet kanë vendos për qështjet madhore.”
 

Babai I Mentor Mehmetajt:”Pse na vrane me duar lidh”?
 

Deshmitari Dibran Fylli nga Klina, është I bindur në atë që ka parë: ” Për hir të së vërtetës them se Hamëz Hasanin nga Mitrvoica e kam pa me sytë e mi, gjallë e shëndosh në oborrin e pavionit nr. 2 të burgut të Dubravës. Se si ndodhi që Hamza të jetë I djegur, unë nuk e kam të qartë!” Avokatit Tome Gashi pohon se përgjegjësit dihen, por mungojnë provat.  

“E dimë kush është përgjegjës, por nuk kemi prova. Pra, tani jemi në luftë për të siguruar provat materjale për këtë ngjarje… Dmth. cka ka ndodh? Pse ka ndodh? Me lëshimet e kujt ka ndodh? Atëherë do të kemi identitetin e përsonave përgjejges  dhe me siguri që këta njerëz do të përgjigjen para drejtësisë.”
 

Ndërsa, babai I Mentor Mehmetajt nga Zabllaqi I Istogut, gjithë cfarë do të dijë është: “Vetëm du me e ditë, pse na mbyti me duar lidh? Nëqoftëse ka drejtësi, pasha Zotin, tokën kam me e shit e pa e zbardh nuk e la!”
 

Mehmetaj ishte njeri nder te pesë te burgosurit qe humbën jetën dhe 17 të tjerë u lënduan, pas protestës së tyre ne Burgun e Dubravës, me 4 shtator të vitit 2003.

25 familje rome dhe egjiptiane kthehen në Pejë

5 shtator 2006-Dojçe Vele. Në Kosovë, vazhdon plotësimi i standardit tre dhe katër që ka të bëj me lirinë e lëvizjes dhe kthimin e të zhvendosurve. Në qytetin e Pejës u rikthyen edhe 25 familje rome dhe egjiptase, të cilat për shtatë vjet jetuan të zhvendosur në Mal të Zi

Ndërtimin e 29 shtëpive në rajonin e Pejës mundësoi qeveria e Holandës. Ndërsa, me realizimin e këtij projekti të realizuar nga organizata holandeze DRC, përfituan 24 familje të komunitetit rom dhe egjiptian, si dhe 4 familje të pastrehë të komunitetit shqiptar.

Sipas Gani Toskës, Zyrtar për Marrëdhënie Ndërnacionale, në Kuvendin Komunal të Pejës, njëra ndër arsyet kryesore që ndikoi në moskthimin e romve dhe egjiptianeve në Kosovë nuk është vetëm shhkatërrimi i vendbanimeve dhe infrastruktura. 

“Kanë ndikuar deklaratat e gabuara të popullit, që sipas tyre romët dhe egjiptianet kanë bashkëpunuar me serbët”-thotë Gani Toska.

Këto familje për shtatë vjet qëndruan larg trojeve të tyre dhe farefisit. Qeveria e Malit të Zi iu ofroi strehim, ushqim, ndihmë shëndetsore dhe ligjore. Por, egjiptiaani Shkëlzen Rama, 48 vjeçar, është i bindur se egjiptasit dhe romët e ikur, kanë pasur edhe arsye të bëjnë një gjë të tillë. Ai habitet se si mund të anashkalohet vetëm për faktin se nuk ka braktisur Kosovën? 

“Pse dikujt për shembull ia marojnë shpinë kur ai ka vjedh e ka ba tana të zezat? Atij ia marojnë shpiat, ia binë kauqat, ia binë tana sendet e neve si kemi mbet këtu, neve hiq kurrkushi s’na kqyr me sy?”-habitet Shkëlzen Rama,”Do me thënë veç pse po kthehen prej Malit te Zi e prej Serbisë, përnjëherë kanë ma shumë përparësi se sa na qi kemi mbet në Kosovë?” 

Valdet Palaci, 22 vjeç, ka ikur në Nikshiq para tetë vjetësh. Ndërsa, para tre muajsh është rikthyer në Kosovë, në pritje të përfundimit të shtëpisë. Ai brënda kësaj kohe, me familjen e tij pesë anëtarëshe dhe me babanë invalid, ka jetuar tek axha i tij, vet i
13-ti anëtarë, ku me punën që bënte ka mundur të sigurojë veç kafshatën e gojës.

“Dilshim kapak punojshim me do hekra e qeso senesh. Për me hangër kena pasë”-thotë Valdeti, i cili e ka fjalën për hekurishtat e shtëpive të djegura, burim ky ndër më të shpeshtët i këtyre komuniteteve, të cilat përditë mund të vërehen nëpër rrugët e rajonit me qerre kuajsh. 

Nepe Regjepi është një e ve 51 vjeçare, nënë e tre fëmijëve, e cila pas rrënimit të shtëpisë gjatë luftës, jeton në një shtëpi të huaj: “Edhe unë nuk kam shpi, edhe unë rri në shpia të huaja. Unë jam muzikante, defatore”.

Të qenit ‘tupanxhi’ e ‘defatore’ është një burim tjetër jetese për romët dhe egjiptianet. Por, se Nepa nuk është e vetmja muzikante në këtë lagje e cila mban familjen, siç thotë ajo, “me rreth të defit”, na bind zëri i një ashkalie tjetër në shtëpinë matanë, i cili
me gjithë zemër këndon një këngë burimore shqipe i përcjellur nga rënie tepsie dhe zëra të hareshëm fëmijësh. 

Gjallëria e tipike e lagjeve egjiptase ndjehet në çdo kënd. Por, kënga nuk mbyt gjithnjë hallet e jetës. Gjyle Dautaj, 45 vjeçare dhe nënë e shtatë fëmijë, sikur kërkon shpëtim duke na u rrëfyer: “Burri s’më punon kurrkund. Djalin e kam invalid. Ndihmë sociale nuk kam. Me dy dhoma jam tuj jetu, me 13 anëtarë, me dy dhoma jam”. 

Kjo grua e re është e mllefosur në institucionet e Kosovës, të cilat nuk i marrin parasysh, me arsyetimin se nuk kanë qënë të ikur nga lufta: “Jam drejtu gjithkah, jo nuk je kanë e ikën gjatë luftës. E nëse këta gjatë luftës janë kanë të ikun, këtyne tonve ju kanë marue na cka jena konë këtu, q’i s’kena lujte hiç, neve krejtve na kanë lanë në kasolle!”

Gani Toska, i cili është edhe Kryetar i Iniciatives së Romëve të Kosovës mendon se nuk ka barazpeshe në mes të komuniteteve pakicë, duke përmendur ndërtimin e 50-60 shtëpive për komunitetin serb në komunën e Pejës, gjysma prej të cilave edhe më tej janë të zbrazta.

Ndërsa Shkëlzen Rama është i bindur se ka dallim tejet të madh: “Numër një, kanë përparesi serbët. Ata s’janë shumicë. Shumicë jemi na! Një familje jona është 15 anëtarëshe kurse ata janë katër e pesë, por kanë vleftë më të madhe, sepse jane serb! E neve: Hajt more ti magjup. Ti s’ki asnjë të drejtë!” Si shiptari si shkau e thotë këtë. “Ti je magjup. Hajt shko n’shpi!” Ai serbi thotë: “Hajt cigane, idi kuci. Nema za tebe nishta!” E na atëherë, ku me mbet na?”

Përgjigjen ia jep zëri i egjiptianit, i cili i këndon kohës që po ikën, pa dashur të pyes se, çfarë i mbetet prej jetës veç këngës nën kulmin e kasolles së tij të vjetër?

“O i lumi unë që i bana tridhjetë vjet-e…”.

Ajetë Beqiraj,DW