Date Archives May 2006

Të pagjeturit e Kosovës me të drejtën e mohuar për varr

20 maj 2006, Dojçe Vele, Sipas të dhënave të lëshuara me 1 qershor 2006, nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, si pasojë e luftës në Kosovë numri i përgjithshëm i personave të pagjetur është 2287, 1966 prej të cilëve janë meshkuj dhe ë21-femra. Pas këtyre shifrave qëndrojnë familjet të cilat ecin me kokën prapa. Ato prej shtatë vjetësh janë peng i shpresës dhe dëshpërimit, mbetur pezull në pritje të përgjigjes për një lajm çfarëdoqoftë për fatin e të dashurve të tyre.

Njëra ndër këto familje është edhe familja Jusufi nga Shishmani, e cila pas shtatë vjetësh nën ethet e pritjes varrosi mbetjet mortore të katër djemve. “Mo zot me keq! Ma vështire e ma kiamet s’ka, se me i varros katër vllazën!?-shprehet vëllai i tyre në kulmin e dëshpërimit.
Pavarësisht nga përkatësia etnike apo vendndodhja, pritja e gjatë është një sprovë e dhimbshme. Por, ky problem rëndohet më shumë kur përkrah dhimbjes familjarët përballen me probleme administrative e juridike.   Sipas rregullores 2000/66 të vitit 2001, me shumën prej 37-62 euro ndihmohen vetëm bashkëshortet dhe fëmijët e të humburve. Por, këtë shumë nuk mund ta gëzojë asnjë anëtar tjetër, madje as prindi.
Idriz Gashi-Udhëheqës i Departamentit të Komunikimit pranë Komitetit Ndërkombtar të Kryqit të Kuq, në Prishtinë thote se: “Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, disa herë e ka ngritur çështjen e miratimit të Ligjit mbi Persona të Pagjetur. Një mostër nga Bosnja iu është afruar institucioneve vendore, për të gjitha problemet që kanë dalë si pasojë e zhdukjes së kryefamiljarit”.
Mijera persona të pagjetur edhe shtatë vjet pas përfundimit të luftës në Kosovë
Udhëheqësi i Zyrës për Persona të Burgosur dhe të Zhdukur në Gjakovë, Mehmetali Perolli mendon se është e nevojshme ngritja e një zyre pranë qeverisë së Kosovës: “Duhet të krijohet një zyrë operative pranë qeverisë së Kosovës, e cila do të merrej kryekëput me eliminimin e pasojave të luftës e në rastin konkret, me problemin e të zhdukurve. Sepse, flas me përgjegjësinë më të madhe se qeveria e Kosovës kësaj çështjeje i është qasur shumë joseriozisht.”
Numri i përgjithshëm i personave për të cilët familjet kanë nënshkruar Kërkesë Gjurmimi pranë Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, është 5972. Ndërkohë që për shkak të mospërputhjes së analizave të ADN-së gjakut dhe të atyre të eshtrave, nga mbetjet mortore të kthyera në Kosovë që nga viti 1999 e deri më sot, afro 700 prej tyre mbeten të paidentifkuara.
Mehmetali Perolli bën thirrje tek institucionet vendore: “Për ato mbetje mortore duhet të angazhohen me të madhe institucionet, ato vendore sidomos. Nëse nuk përputhen të dhënat me analizat e ADN-së kush janë ata atëherë?”
Gashi:” Kerkohet mobilizim i pergjithshem i Prishtines dhe Beogradit per zgjidhjen e problemit
Idriz Gashi, udhëheqës i Departamentit të Komunikimit pranë Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq parashtron: “Kërkohet një mobilizim i përgjithshem i të gjitha strukturave ndërkombëtare, që mund të bëjnë presion në qeverinë e Prishtinës dhe në atë të Beogradit që një herë e përgjithmonë të zgjidhet ky problem. Sepse, çfarë atëherë kur kufoma s’do të ketë më, e megjithatë njerëzit vazhdojnë të mungojnë?
Për një numër personash s’do të dimë kurrë, asgjë – thotë Mehmetali Perolli. Supozohet, që një numer i madh i tyre është djegur, sidomos nëpër Batajnicë, atje ku i kanë djegur me goma dhe pjesa e lartë e trupave është shkrirë. Ështe e dhimbshme. Por, këta nuk do ta kenë të drejtën ta kenë as varrin, përfundon ai.
Kryetari i Keshillit Koordinues të Asociacioneve të Familjarëve të të Pagjeturve të Kosovës, Haki Kosumi mendon se në krahasim me vendet e rajonit jemi një hap përpara: “Deri më tani 50 për qind e tyre është identifikuar dhe në raport me rajonin, si territor i Ballkanit prijmë në këtë drejtim.”
Sa kanë bërë qeveritë e të dyja vendeve lidhur me këtë çështje?
Idriz Gashi nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, sjell pikëpamjet e organizatës së tij: Vetë fakti që edhe shtatë vjet pas luftës janë shënuar pak rezultate në zbardhjen e fatit të përsonave të pagjetur, tregon se autoritetet si këtu në Prishtinë edhe ato në Beograd nuk janë marrë seriozisht me këtë problem. Në anën tjetër, edhe presioni i Bashkësisë Ndërkombëtare ka munguar në mënyrë që t’i shtyjë këto autoritete që të punojnë më shumë në këtë drejtim. Ndërsa, Mehmetali Perolli nga Zyra për të Burgosur dhe të Zhdukur në Gjakovë shton se: “Çështja e të zhdukurve ka qenë, është dhe do të mbetet  plagë e hapur, e cila do të krijojë dhe do të gjenerojë probleme gjithë kohën”.
Ajete Beqiraj,Dojce Vele