Bonn: Politika duhet t’i hapë rrugën energjisë së rigjenerueshme

2 dhjetor 2005, Dojçe Vele, Në Bonn përfundoi punimet treditore Asambleja Botërore për Energjinë e Rigjenerueshme. Aty doli në pah rëndësia e veçantë e kësaj energjie për mposhtjen e varfërisë dhe rritjen e zhvillimit ekonomik.

“Ka shumë çështje për t’u diskutuar. Për të vepruar ka edhe më shumë. Botës i duhet një energji e re – energjia e rigjenerueshme!”

Kështu e nisi fjalën e tij përshëndëtese kryetari i bashkisë së Bonnit, Peter Finger në pritjen e delegatëve të Asamblesë Botërore për Energjinë e rigjenerueshme.

Me rastin e kësaj konference, rreth 300 ekspertë nga mbarë bota vizituan qytetin e Bonit. Ky qytet është vend ideal për mikpritje, sepse përveç Organizatës së Kombeve të Bashkuara, brenda tij ndodhen më shumë se 150 organizata joqeveritare, disa prej të cilave punojnë në fushën e energjisë përtëritëse, siç është Organizata Eurosolar apo Organizata botërore e energjisë së Erës (World Wind Energy Asossiacion).  Tubimi sezonal iu dedikua politikës gjermane, e cila u zhvillua në një treg me domethënie ndërkombëtare për energjinë e rigjenerushme. Këtu u qartësua, si edhe përse pati sukses një politikë e tillë dhe u diskutua për vazhdimësinë e saj pas zgjedhjeve parlamentare.

300 eksperte diskutojne ne Bonn per energjine e rigjenerueshme

Herman Scheer, president i Organizatës Evropiane për Energji të Rigjenerueshme “Eurosolar”, dhe president i Asamblesë Botërore për Energjinë e rigjenerueshme thotë: “Politika duhet të përkujdeset që rruga për energji të rigjenerueshme të hapet. Një ndër gënjeshtrat më të mëdha në debate lidhur me energjinë e rigjenerueshme është se një bartës i energjisë asnjëherë nuk vlen pa ndihmën politike. Gjithnjë ka qënë kështu dhe privilegjet më të mëdha të mohuesve të kësaj energjie ishin në të vërtetë qindra miliarda ndihmë nga shtetet për të sjellë energjinë atomike pa subvencione të hapura, pa të cilat asnjë ndërmarrje e energjisë atomike nuk do të fillonte punë. A do të duhet të bëhet e njëjta gjë për energjinë e rigjenerueshme, sepse me ardhjen e saj kemi gjasa më afatgjata dhe të sigurta për të furnizuar gjithë shoqërinë dhe se shpenzimet për fillimin e saj janë më të arsyeshme se sa investimi në energji të cilat me kohë as nuk do të mund të paguhen? Dhe, kjo është një situatë që mund të shihet kur më se 40 vende të botës së tretë duhet të paguajnë më shumë për importin e naftës se sa shumat që futen nga eksporti”.

Duhet bere me shume per promovimin e energjise se rigjenerueshme

Për të patur zhvillime ekonomike duhet të kemi energji. Dhe, kur të gjithë konsumuesit e energjisë gjithnjë duhen paguar, atëherë asnjëherë nuk do gjendet shteg daljeje nga stanjacioni ekonomik. Për hapjen e mundësive të furnizimit është edhe Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore e themeluar për të ndihmuar zhvillimin e programeve bërthamore dhe për bartjen e teknologjisë përkatëse si dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, e themeluar pas krizes së parë botërore të naftës, në vitin 1973. Por, sa bëjnë ato në promovimin e energjisë së rigjenerueshme?

Sheer për këtë thotë: “Agjencia Ndërkombtare për Energji Berthamore dhe Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, janë agjenci qeveritare ndërkombëtare por ato veprojnë sikur të kishin lidhje interesash me këto ekonomi-thotë Herman Sheer. Çfarë mungon është një agjenci ndërkombtare për energji të rigjenerueshme – e pavarur nga dy të tjerat, sepse ato kanë bërë gjithë ç’është e mundur që energjinë e rigjenerushem t’a mbajnë nën hije duke shpërndarë dezinformata për të penguar zhvillimin. Prandaj na duhet një agjenci e pavarur që t’iu ndihmojmë qeverive në zhvillimin e këtij programi dhe bartjen e teknologjisë përkatëse për energjinë përtëritëse”.

Qeveria gjermane do te mbeshtes energjine e rigjenerueshme

Sipas presidentit të Organizatës “Eurosolar” si edhe deputetit të parlamentit gjerman,  Herman Sheer, gjasat për themelimin e kësaj agjencie janë pak më të medha se dje, sepse: “Qeveria e re ka marrë vendim për iniciativë. Ajo  edhe duhet të vie prej një qeverie. Nuk ka arsye përse një organizatë qeveritare ndërkombtare duhet të ekzistojë vetëm nën kornizë të Kombeve të Bashkuara. Mund të themelohet pranë këtij sistemi dhe të jetë e përkrahur prej vendeve që shohin domosdoshmërinë për ndërtimin  e saj”.

Projektet për energjinë përtëritëse kanë shtrirë krahët edhe në Evropën Juglindore, ku sipas Herman Sherit, janë zhvilluar një sërë projektesh të vogla dhe gjasat e zhvillimit të kësaj energjie janë të mëdha si në të gjitha vendet e tjera, sigurisht pa përjashtuar edhe vështirësitë ekonomike. Sheer: “Energjitë e tanishme janë gjithnjë më të shtrenjta ndërsa energjitë e rigjenerueshe gjithnjë e më të përshtatshme, sepse prodhohen nga moti dhe nuk kanë nevojë të importohen. Kjo është gjithnjë e më e qartë, edhe atëherë kur për shkak të rrezikimit të punës së tyre, ekspertet tradicionalë të energjisë e injorojnë këtë fakt”.

Energjia e rigjenerueshme në Kosovë

Për një vend në zhvillim siç është Kosova një sistem i tillë është i domosdoshëm. Kjo është e qartë edhe për kompaninë shqiptare “Research and development in Kosova” Më 21 tetor kjo kompani për herë të parë në Kosovë bëri prezantimin e konstruksionit fotovoltaik që bën shndërrimin e dritës së diellit në energji elektrike.

Një hap të tillë Herman Shere e kishte propozuar prej kohësh: “Këtë e kam propozuar që në vitet 90-të, por më intensivisht pas luftës, kur përveç një bilanci të përgjakshëm u shkatërruan edhe sistemet energjetike. Dhe nga kjo përvojë duhej të mësonin që në vend që të rinovojmë sistemet e vjetra më mirë është të fillojnë me sisteme të reja të energjetikës për shfrytëzimin e energjisë përtëritëse me fuqinë e erës, mjeteve fotovoltaike dhe para së gjithash me bioenergji, e cila ka nje pioritet tjetër, pra revitalizimin e ekonomisë së vendit”.

Kosova ka potenciale per prodhimin e energjise se rigjenerueshme

Kompania “Research and development in Kosovo” me partner kompaninë gjermane “Yandalux” me seli në Hamburg, është e para e këtij lloji në Kosovë dhe ndërkohë ato po realizojnë një projekt pilot të përbashkët për ndriçimin e infrastrukturës rrugore. Por sa real është për Kosoven zbatimi i një sistemi me një koncept të energjisë ripërtëritëse në një kohë kur dihet që për të siguruar më vonë këtë energji me një kosto të lirë, fillimisht duhet bërë një investim të konsiderueshëm?

Ilir Seferi, drejtor i përgjithshëm i kompanisë “Research and Development in Kosova” na thotë më shumë: “Është shumë real, sepse ky sistem është shumë ekologjik dhe i pashterueshëm. Ndërsa ndriçueshmëria e diellit në Kosovë është e mjaftueshme, për të pasur përqindje të mjaftueshme të energjisë së përfituar nga dielli. Ndërsa me një bashkëpunim të qeverisë së Kosovës, institucioneve ndërkombëtare të bankave kredidhënëse si dhe Korporatës Energjetike të Kosovës një koncept i tillë është shumë real. Shteti i Kosovës do t’a subvencionojë këtë energji. Korporata Energjetike e Kosovës është e detyruar që t’a blejë, ndërsa bankat do të japin kredi. Kjo është forma me të cilën do të realizohet”.

Seferi: “Kosova ka ekspert te nivelit evropian

Seferi thotë se Kosova ka njerëz të përgatitur për të mundësuar realizimin praktik të këtij projekti. “Kosova ka shumë ekspertë të nivelit evropian. Këtë ata e kanë dëshmuar me 21 tetor ku “Reserch and Devepolment in Kosova” së bashku me ta ka bërë një kostruksion-model, të cilin ata vet e kanë vendosur”, thotë me bindje Ilir Seferi. Në bordin e kompanisë sonë janë edhe emra të njohur të shkencës, si psh. Prof.doc.Rifat Gjota, prof. Ali Topalli dhe inxhinjerë të tjerë. Ne kemi edhe bashkëpunim të ndërsjellë me firmën gjermane “Yandalux” dhe do të kemi trajnime të rregullta në këtë lëmi”.

Projekti në fjalë mund të funksionojë, si ishull i pavarur prej rrjetit fiks, por edhe mund të derdhë energjinë në rrjetin fiks. Por, me çfarë vështirësishë ballafaqohen implementuesit e tij dhe ku shohin zgjidhjen e problemeve të tyre. Drejtori i kompanisë “Reasearch and Development in Kosova, përgjigjet: “Dekurajuese është se këto pajisje në Kosovë doganohen me 26.5 për qind, ndërsa në të gjitha shtetet evropiane dogana është vetëm 1 për qind, për shkak se këto janë mjete ekologjike dhe kursejnë dioksid karbonin. Lidhur me këtë ne do të kemi përkrahjen e Ministrisë së Energjetikës, siç na është premtuar në takimin tonë në tetor të këtij viti”.

Ajete Beqiraj & Shpend Limoni ,Dojçe Vele

(Visited 1 times, 1 visits today)

Leave A Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *