Date Archives January 2003

A do të mbeten Zemajt viktimat e fundit të krimit të organizuar në Kosovë?

Bota sot,  6 janar 2003,  Përcarja. Kjo ndjenjë cnjerëzore që ka lëshuar rrënjë ndër ne, në cdo përiudhë kohe po i shfaqet popullit tonë në formë të re. Një nga format e kësaj dukurie të shëmtuar që na është mishëruar në gjymtyrë trupi është ndarja partiake e cila ka përqarë popullin deri në atë shkallë saqë pas cdo fushate zgjedhore njerëzit grinden, rrahen, urrehen deri në vëllavrasje. Ky fakt krijon përshtypjen se qëndrimi ynë shekullor nën thundrën e huaj nuk ka kaluar pa pasoja, sepse unit tonë të regjur në rrethana armiqësie sikur i është bërë shprehi beteja e përhershme me dikë. Duket sikur një armik i është i domosdoshëm për të mbijetuar, qoftë edhe nëse atë armik duhet kërkuar përbrenda nesh.

Një klime e tillë armicësie po mbretëron edhe në Decanin e pasluftws. Një klimë mbytëse e vërshuar nga bindjet politike qoftë në familje, rrugë apo kafene, ku pas rënjes së LDK-së në zgjedhjet e fundit, simpatizantët e AAK-së silleshin si zotër të vegjël në tokë. Qëndrimi i simpatizantëve të AAK-së të krijonte përshtypjen se me fitoren e kësaj partie edhe Kosova fitoi Pavaresinë, përderisa heshtja e anëtarëve të partisë më të vjetër vec sa akumulonte energjinë në ta për përbuzje e parulla vrasjeje morale, që më shumë i shembëllente një komedie. Aq më tepër, kur që në ditën e parë të fitores së AAK-së, para dyerve të LDK-së u vunë kurora varresh(?!).

Kjo komedi, vetëm dy muaj pas zgjedhjeve përfundoi në një tragjedi, kur pas atentatin në kolonel Tahir Zemaj dhe djalit të tij Enisit, u përfshi edhe kryetari i Forumit Rinor të LDK-së për Decan, Hasan Zemajt, individw të pandërgjegjshëm të kësaj partie të verbuar nga bindjet politike sillen të tërbuar në injorancën e tyre dhe atëherë kur vajtonte mbare Kosova, ata ngrehnin dolli. Vrasin apo i gëzohen vrasjes së shqiptarit të partisë tjetër, ka fare pak rëndësi, sepse të tillët assesi të kuptojnë se partia nuk është kandar me të cilin matet atdhedashuria as vlerat në shoqëri. Se ata qe i duhen Kosovës nuk janë pjesëtarët e njërës apo partisë tjetër, por janë njerezit e mencur, dia dhe guximi i të cilëve armicve tanë po ua verbon sytë! Kjo vrasje makabër nga njerëz që blihen e shiten dhe bëjnë tregti me jetëra njerëzish, nuk është goditje vetëm në familjet e  martirëve, por është goditje në shpatullat e Kosovës. Sepse, ata që zbrazen pushkën mbi një hero të luftës e dashamir të paqes sic ishte Kolonel Zemaj, ata që mundën të shtinë mbi një shembull të dashurisë, mirësisë e guximit sic ishte Hasani dhe ata që patën shpirt t’ia këpusin hovin një jete në lulen e rinisë-Enisit, le ta dinë mirë se ata kanë ngrehur dorë mbi Zotin dhe gryka e asaj pushke do t’iu kthehet nga po ata, në duart e të cilëve janë bërë lodër e verbër!

Jemi të një gjaku

Atentat. Atentat i trefishtw dhe shënjestra njw prijws lufte, njw paqedashws dhe njw studentit i ri në një pritë tradhtare ashtu sic dinë vetëm të pazotët. Krim nga kriminel qyqar, që të fshehur pas maskave vrasin në prita. Edhe tri plagë në shtatin e Kosovës e ne duarlidhur, në pamundësi t’i nxjerrim kriminelët para drejtësisë. Forcat e sigurisë që na kanë vërshuar nga të katër anët, kushedi për se, janë vetëm dekor i rrugëve e i institucioneve sepse të gjithë e dimë se në një vend të vogël sic është Kosova edhe mendësia më e varfër që ka një grimë pushtet ndër duar do të mund të gjënte kriminelët. Ndërkombëtarët mbahen fort pas parullave të zbrazta për një Kosovë të lirë, derisa në gji të kësaj lirie na vriten bijtë më të mirë. Na flasin për sigurinë edhe atëherë kur në mes të qytetit kryhen vrasje kaq cnjerëzore dhe mbesin mister. Na flasin për tërësinë e Kosovës “një dhe të pandarë”, përderisa veriu i Kosovws ende mbahet peng. Për “paqen dhe stabilitetin”, derisa para syve të ushtarëve paqeruajtës vriten vlerat e luftës; paqja, që po mundohemi ta ndërtojmë. Hovi i rinisë, në shpatullat e së cilës ka varur shpresat i gjithë kombi. 

Në Kosovë krimi po lëshon rrwnjw!

 Në Kosovë krimi po lëshon rrwnjw e krerët tanë, në vend se të bashkohen për të crrënjosur farën e keqe, akuzohen mes vete pa dashur t’ia dinë se ne armikun e kemi brenda dhe kur dy njerëz grinden, i treti të vret. Ne gjarpërin e kemi ne gji! Po mos të harronim këtë fakt, do ta dinim se pikërisht kjo ndarje partishë na ka përcarë dhe armicësuar deri në vëllavrasje. Po të mbaheshim fort për njëri-tjetrin, ne nuk do të kishim nevojë për reklama e blerje votash, sepse populli do ta dinte vetë rrugën e tij. Po të ishim më syqelë, ne shumë më shpejt do të arrinim qëllimin tonë. Atëherë, do te ishim ballhapur para popullit që na besoi votën. Sepse, ky popull nuk është më i pa dije dhe i ngratë sa të vrapojë verbërisht pas krerëve si bagëtitë. Ai është ngopur me fjalë dhe di të kërkoje vepra! Do një të thënë e një të bërë e mbi të gjitha, një rrugë të qartë se është lodhur nga udhëkryqet. Një bashkim forcash që nuk ndjell ndarje e përqarje, por që do ta bashkojë popullin në një. Sepse, edhe fëmija i djepit e di se më parë se të jemi të një partie, ne jemi të një gjaku-të një barku!

Nën kulmet tona vaj pas vaji e kuje pas kuje

Lufta e fundit në Kosovë do të duhej të ishte mësim për jetë. Llahtari që pamë me sytë tanë mësim edhe për gjeneratat që do të vinë. Do duhej të na bind se vëllai i fortë nuk do të thotë mbetje nën hijen e tij, por shtyllë ku mund të mbështetesh. Se, t’ia lëshosh rrugën atij që di më mirë s’do të thotë humbje për ty, por shpëtim për që të dy. Por jo! Neve lufta na dogji edhe zemrat, por krimbin e xhelozisë nuk e cenoi. Regjimi serb shguli me rrënjë cdo gjë që patëm mbi dhe por lakminë nuk e crrenjosi. Se, ato ndjenja të shëmtuara janë rrënjosur thellë në ne dhe na janë bërë sëmundje. Sëmundje, të cilat fryma e lirë ia shndërroi në epidemi që po helmojnë shoqërine tonë. Edhe pas gati katër vjet lirie, nën kulmet tona vaj pas vaji e kuje pas kuje. E populli shikon me duar në bri tek i vriten bijtë në prita! Shikon e loton, me shpresat që po fiken cdo ditë e më shumë për një të nesërme të mbarë të Kosovës. Dhe hesht e lëngon mes dhëmbjes së të sotmes e nën ethet e së nesërmes, kur dora e armiqve të lindur apo të shitur po shuan mendjet e ndritura që do të duhej të na udhëhiqnin drejt Pavarësisë. Kur në një të ardhme jo të largët, mbi ne do të vë pushtetin një pushtues tjetër apo armiku ynë i vjetër-Serbia. Sepse, ajo ka një betejë me një armik të hapur, ndërsa ne, papritur jemi gjetur në një udhëkryq të përgjakshëm e të rrethuar nga armiq që na shfaqen përherë me një maskë të re, gjithnjë me një krim të ri, por me shenjestrën e njëjtë: figurat më të shquara të kombit tonë. 

Zgjohuni shqiptar!

Prandaj, zgjohuni shqiptar se pesha e përcarjes suaj po bie mbi supet e athdheut. Përderisa nuk flasim në një gjuhë, Kosovën do t’a pllakosin netët ogurzeza. Bashkohuni! Përderisa nuk bëhemi grusht, mallkimi i Zotit do të qendroje mbi ne. Ai mallkim që vije përmes mashës së zgjatur të Serbisë apo kriminelëve që kemi brenda, për fatkeqësinë dhe turpin tonë. Të bashkohemi dhe të ngritemi të gjithë në këmbë derisa të gjejmë, KUSH po tenton ta shemb Kosovën ende pa u rimëkëmbur mirë? PËRSE po na e vrasin lirinë, në themelet e së cilës bëmë fli bijtë dhe bijat më të mira të kombit? DERI KUR kur do të na i shembin shtyllat, do të na i këpusin gjymtyrët?! Të gjithë të pyesim me një zë edhe miliona here: “KUSH?”, “PËRSE”, “DERI KUR?!!!”, derisa trupat e martirizuar të Kolonel Zemajt,  Hasanit dhe Enisit të ri të mbesin viktimat e fundit të krimit të organizuar në Kosovë!

Opinion, 6 janar 2003